Lajmet

Biografia e misionarit tonë, Don Albert Jakaj

Ka ndjekur mësimet në Shkollën Fillore „Hasan Prishtina”, në Prishtinë. Është rritur në një familje të devotshme në frymë të krishterë dhe ka pasur një fëmijëri të lumtur. Familja e Don Albertit kanë shtegtuar çdo vit për festën e Zojes së Madhe në Letnicë, ku ka lindur thirrja e tij për ta ndjekur Jezusin në gjurmët e tija, së bashku me vëllain e tij binjak, Don Robertin.

Në vitin 1992, vëllezërit binjak, do të vijojnë mësimet me gëzim në Shkollën e Mesme „At Pjetër Meshkalla“ në Shkodër, të shoqëruar nga ish-famullitari i Prishtinës dhe tani Arqipeshkëv titullar i Tivarit, Imzot Zef Gashi.

Studimet filozofike ka ndjekur në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Lubjanes (Slloveni), ndërsa studimet teologjike ka vijuar në Fakultetin Teologjik „Shën Toma i Akunit“, pranë Universitetit Papnor Salezian (UPS) me seli në Romë.

Don Alberti dhe Don Roberti shugurohen diakona në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë (më 15.12.2005) nga Imzot Mark Sopi, ipeshkvi i Kosovës. Ndërsa Shugurimi Meshtarak është bërë nga Imzot Zef Gashi, Arqipeshkëv i Tivarit dhe Administrator Apostolik ‚ad interim‘ për Kosovë, më 1 korrik 2006 në Pejë. Me 9 korrik kremtojnë Meshën e Parë në Zllakuqan. Don Alberti, si meshtar shërbeu 3. vite si Kancelar në Arqipeshkvinë e Tivarit dhe famullitar në Braticë (Ulqin), ku krahas punës së zellshme në gjallërinë e Dioqezes së Tivarit, ai dallohet edhe në ndërtimin e Kishës në Kullomzë dhe Sajmir (Ulqin), në bashkëpunim të ngushtë me besimtarët e Kullomzes e Sajmirit, në veçanti me besimtarët në Diasporën e largët (SHBA dhe Australi). Dallohet për bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha shtresat e besimtarëve, në veçanti me intelektualët e Dekanatit të Ulqinit dhe të ngritjes së vetëdijësimit të kulturës dhe përkatësisë shqiptare në Ulqin e Tivar. Ka një bashkëpunim të ngushtë me përfaqësues të Bashkësive fetare, gjatë shërbimit të tij në Arqipeshkvinë e Tivarit. Në vitin 2008 deri në vitin 2011 ushtroi detyrën e sekretarit të Ipeshkvit aktual të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji me seli në Prishtinë dhe i dekretuar nga vetë ipeshkvi, zëvendes Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, këtë detyrë e ushtroi edhe nga Stublla.

Në festën e Dëftimit të Zotit ose siç e quan populli „Tre Mbretërit“, më 06.01.2011, ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, e dekreton famullitar në Stubëll të Vitisë, vendlindja e 24 meshtarëve dhe mbi 50 murgeshave që kanë lindur në Stubëll. Gjatë kësaj kohe shërbimit baritor ai dallohet në komunikim me të gjitha shtresat e njerëzve në famulli, sidomos me të rinjtë. Krahas renovimit të Shtëpisë famullitare dhe të Kishave në Stubëll (Kisha e Vjetër, që është edhe „Muzeu i Shkolles së Parë Shqipe“ dhe Kisha e Shën Jozefit), Kisha e Shna Prenes në Dunav (filialë e Stublles), njëkohësisht është mjaft aktiv edhe në iniciativat e fshatit, sidomos në implementimin e fondeve nga Ministria e Bujqësisë në Landin e Tirolit të Austrisë, për të parandaluar banorët e fshatit për të emigruar jashtë vendit, pra vetëm në vitet 2013-2018, Ministria e Bujqësisë e Tirolit kanë investuar në Stubëll mbi 500.000 euro, kryesisht në këto 3. lami: në përpunimin e rakisë, stallat e derrave dhe të dhenve. Përfituesit e këtyre projekteve, përmes meshtarit stubllas në Austri, janë vetë besimtarët e Stubllës (familja Gjergji, Demaj, Ramaj, Simani, Toma…etj). Poashtu dallohet edhe në ndërtimin e shtëpiave nevojtare (familjet F. Z., Z.Z. dhe A.J.) në Stubëll, në bashkëpunim të plotë me besimtarët në Diasporë dhe me Shoqatën Humanitare Integruese Kulturore „Stublla“ me seli në Zvicër, Itali, Gjermani dhe Austri.

Don Alberti gjatë shërbimit të tij si famullitar i Stublles, ishte edhe Kryetar i Shoqatës Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”, me seli në Stubëll (prej 06.01.2011 deri më 06.01.2017). “Takimet e Dom Mikelit”, që janë organ zyrtar i Famullisë së Shën Jozefit në Stubëll, kanë pasur një jehonë të madhe në Trevat shqiptare, e sidomos edicioni i vitit 2012, në Kishën e Shën Jozefit, ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji e bekoi flamurin kuq e zi dhe vendosja e flamurit gjigand kuq e zi në kodrën e Stubllavaqes.

Don Alberti për disa vite ishte edhe anëtar i Këshillit Ndërfetar të Kosovës, së bashku me Don Lush Gjergjin dhe Don Shan Zefin. Për disa vite ishte edhe sekretar i Këshillit Ndërfetar të Kosovës. Poashtu ai ishte edhe redaktor i Revistës Drita, organ zyrtar i Ipeshkvisë së Kosovës. Ku ka shkruajtur mjaft artikuj shkencor, kulturor, fetar dhe edukativ, kryesisht në Revistat “Urtia”, “Drita” dhe “Shpresa”. Poashtu është bashkëpunëtor i zellshëm i Radio Marisë në Kosovë.

Imzot Dodë Gjergji, në festën e Dëftimit të Zotit, pra më 06.01.2017, e emron Don Albertin, famullitar të Doblibares, ku Doblibarja bën pjesë në rangun e famullive të mëdha në Dioqezen Prizren-Prishtinë. Gjatë shërbimit të tij (prej 06.01.2017 deri më 26.11.2019) në Doblibarë, ai dallohet në ndërtimin e shtëpiave nevojtare në famulli (familjet N.D., Gj.L. e Gj.K.), në bashkëpunim të ngushtë me besimtarët në Diasporë dhe me Shoqaten Humanitare „Nëna Tereze“ në Zvicër. Së bashku me besimtarët, ai ndërtoi edhe Kapelen e Varrezave në Doblibarë, e pajisur me Komoren (frigoriferin) për të vdekur, njëkohësisht renovoi Kishën në Doblibarë dhe në Bërdosanë. Gjithashtu promovon harmoninë ndërfetare me Shehun e Doblibares, zt. Hysen Shehu, saqë Doblibarja së fundi konsiderohet si shembull i harmonisë ndërfetare në mbarë Kosovën, ky vlerësim është bërë nga shumë intelektualë dhe nga vetë Televizionet kombëtare (RTK, KTV, Klan Kosova e RTV21), përmes emisioneve kushtuar Harmonisë ndërfetare në Doblibarë. Dallohet edhe në inciativat e fshatit, si psh. ndriçimi i fshatit për festen e Krishtlindjes, ku kryetari i Gjakoves, zt. Ardian Gjini, e shpall Doblibaren si fshatin më të dekoruar në Komunën e Gjakoves dhe më gjerë. Krahas renovimit të Kishes në Doblibare dhe në Bërdosanë, ai në bashkëpunim me besimtarët e Diaspores ka rregulluar oborrin dhe parkingun e Shtëpisë famullitare në Doblibarë, njëkohësisht ai dallohet edhe në pajtimin e gjaqeve, ku së bashku me udhëheqësinë e famullisë kanë pajtuar shumë familje.

Prej 1 dhjetor 2019, Don Alberti, zyrtarisht shërben si misionar në Misionin Katolik Shqiptar „Nëna Tereze“, në Aarau, pra përgjegjës i besimtarëve shqiptar në Zvicrën Veriperëndimore, ku përfshin gjithsej 10. Kantone (AG, BE, BL, BS, FR, GE, JU, NE, SO e VD) pra prej Aargaut e deri në Gjenevë. Në bazë të statistikave të vitit 2020 gjatë Bekimit të Shpiave janë rreth 10.000 besimtarë shqiptar në mbarë territorin e MKSH „Nëna Tereze“ në Aarau. Kryesisht besimtarët tanë janë nga Kosova, por ka edhe familje te reja nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

Don Alberti është meshtar i Dioqezes Prizren-Prishtinë. Ai flet dhe shkruan rrjedhshëm këto gjuhë: shqip, anglisht, italisht, gjermanisht, sllovenisht dhe kroatisht.