Meditime

Don Shan Zefi: Imzot Mark Sopi, një dhuratë e madhe për Kishën dhe kombin

Me rastin e 15-vjetorit të kalimit në amshim dhe të rivarrimit të Imzot Mark Sopit  (1938-2006) në Katedralen e Prishtinës (15 janar 2021)

Shkruan: Don Shan Zefi

Kam nderin që, sot, me rastin e rivarrimit të Inzot Mark Sopit në kriptën e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë e që përkon edhe me 15-vjetorin e kalimit të tij në amshim, ta mbajë fjalën e rastit mbi jetën dhe veprën e tij, për kohën dhe rrethanat nëpër të cilat kaloi imzoti ynë.

1. Kush ishte Mark Sopi?

Ipeshkvi ynë Imzot Mark Sopi lindi në Binçë (Viti) më 26 shkurt 1938 nga prindërit Mihilli dhe Maria, nga një familje që në kohën e perandorisë osmane kishte dëshmuar me jetë përkatësinë e tyre fetare e kombëtare, pra si katolikë të vërtetë shqiptarë. Gjaku i derdhur i të parëve të tij (si dhe të shumë meshtarëve të tjerë nga këto anë), edukimi i shëndoshë familjar (edhe me rruzare të përditshme në dorë), madje nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë, e nxitën Markun e ri të dëgjonte zërin e Zotit, thirrjen e tij meshtarake, mbasi e kreu shkollën fillore në Viti. Dhë kështu edhe ndodhi!

Mësimet i vazhdoi në gjimnazin e njohur klasik në Pazin (Kroaci), që gjithnjë i kishte në kujtime të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirtëri të çiltër. Në saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit të matutjeshëm teologjik në Zagreb, ku edhe i kreu dy vitet e para të filozofisë, ndërsa fakultetin teologjik e kreu në “Pontificia Universitas Urbaniana“ në Romë, në vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë të njohur nga bota shqiptare, deri edhe te autori i këtyre rreshtave, dhe me sukses e kishte mbaruar tezën e magjistraturës mbi “Martirët e Karadakut”, nga edhe e kishte prejardhjen, siç u tha më lartë. Pra, një temë historike që ka zgjuar gjithnjë kurreshtje tek kleri katolik shqiptar e më gjerë.

Pasi i kreu studimet teologjike, ai shugurohet (simbas të drejtës kanonike) diakon (1967) e pastaj shugurohet meshtar në kishën e Shën Jeronimit ilir në Romë, më 29 qershor 1968, dhe kthehet përfundimisht në Kosovë, më parë si famullitar në Ferizaj, e pak më vonë edhe si sekretar i të ndjerit Imzot Nikë Prelës (1969). Mbetet në këtë detyrë misionare deri në vitet 1974, kur në të njëjtën kohë emrohet famullitar i ri në Zllakuqan (Klinë), që në atë kohë llogaritej si një ndër famullitë më të mëdha të Dioqezës (mbi 40 fshatra), prej të cilës do të dalin më vonë edhe dy famulli të tjera: kjo e Klinës dhe e Budisalcit.

Me ardhjen e lirisë fetare në Shqipëri (nga vitet 1989 e këndej), ai si meshtar i mirë e me përvojë, nuk ngurroi të shkojë në atë vend tejet të varfër, të përvuajtur e me ideologji të paparë komuniste-ateiste, dhe në vitin 1991 i besohej detyra e famullitarit në Milot, duke marrë edhe përgjegjësinë e kryetarit të Caritas-it në Durrës, së bashku me Mons. Damjan Kurtin, si dy apostuj të pandashëm në përhapjen e ungjillëzimit në qytetin e lashtë të Durrësit dhe të rrethit të tij të gjerë. Dhe atje qëndroi për katër vite apo deri sa Nunci Apostolik Ivan Dias në Tirana nuk ia kishte dhënë lajmin se Ati i Shenjtë Gjon Pali II e kishte vendosur t’ia besonte, jo tashmë ndonjë famulli tjetër, por Kosovën, dhe atë në cilësinë e ipeshkvit me kompetenca të Ordinariatit me seli në Prizren. I njëjti Papë, më 6 janar, në festën e Dëftimit të Zotit, së bashku me 13 ipeshkvinj tjerë, e shuguron ipeshkëv në Basilikën e Shën Pjetrit në Romë, ku patëm fatin edhe ne, si shumë të tjerë, t’i përcjellim ritet e shenjta të shugurimit ipeshkvnor.

  1. Veprimtaria e tij shkencore dhe kulturore

Imzot Mark Sopi duke e njohur kontributin e madh historik të klerit katolik shqiptar për fe e atdhe, duke njohur përpjekjet e tyre në fusha të ndryshme historiografike, gjuhësore, etnografike, teologjike…, e nxitën priftin e ri që edhe ai të jap kontributin e tij në këtë drejtim, sidomos në kohën e errësirës, ideologjisë komuniste që e mohonte edhe vetë Zotin. Pra, në periudhën kur besimi, relogjioni dhe vlerat e shenjta kombëtare pësonin më së shumti, gjë që dëshmohet edhe me angazhimin e tij të parë në Ferizaj si prift dhe bashkëpuntor i revistës së çmueshme “DRITA“ që botohej asokohe në Prizren e më vonë në të njëjtin qytet me tematika të ndryshme kulturore, shkencore, fetare… Dhe, pikërisht, emri i Don Mark Sopit gjithnjë e më shumë vërehej në rubrikën e rregullt “Baca Kolë dhe Famullitari”, ku paraqitej stili i tij në formë dialogu, duke përdorur në mënyra të ndryshme alegorike, metaforike dhe simbolike nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e shqiptarëve. Me këto shkrime, në kohën kur intelektualët tanë heshtnin për arsye tashmë të njohura, ai nuk luhatej t’i mbronte vlerat e krishtera, traditën e pasur të popullit shqiptar, shkruante: “As në të kaluarën nuk ka qenë e dëmshme rruga jonë fetare, madje është i vetmi shteg i të ardhmes sonë të sigurtë.“ (Baca Kolë dhe Famullitari, f. 96). Këto fjalë flasin vetvetiu për formimin e tij të hershëm intelektual.

Duke pasur edhe përvojën e shkrimeve në revistën “Drita”, Imzot Mark Sopi gjatë qëndrimit të tij në Durrës e drejtoi revistën “Vegim Drite”, duke botuar artikuj të ndryshëm, siç do të bashkëpunojë njëkohësisht edhe me revistën “Kumbona e se Dielës”, që botohej në Shkodër. Ka shkruar edhe artikuj tjerë të çmueshëm në “Lajmtarin Ipeshkvor”, gazetën zyrtare të Ordinariatit ipeshkvor që e drejtonim ne “ad usum internum”.

Derisa kaloi në amshim ka botuar disa libra, si: “Baca Kolë dhe Famullitari” (Pejë, 1995); “Martirët e Karadakut” (Pejë, 1996); “Koncilet Ekumenike” (Drita – Prizren, 200) dhe “Shën Luçia” (Drita – Prizren, 2003). Nëse këto vepra sadopak do të lexohen me vemendje dhe pa paragjykime, atëherë shihet qartë se shkrimet e tija janë nën frymzimin e traditës së krishterë, duke dashur gjithnjë t’i riaktualizonte ato në kohën dhe hapsirën e botën shqiptare, madje edhe të hedh, përsa ishte e mundur, një dritë të re në bazë të përparimeve shkencore.

  1. Kontributi i Imzot Mark Sopit (1996 – 2006) si ipeshkëv

Vështirë do të jetë për historiografët në një të ardhme të afërt të shkruajnë mbi kontributin e Imzot Mark Sopit në krye të ipeshkvisë së Kosovës gjatë një dekade të tërë (1006-2006), jo pse nuk ka çfarë të shkruhej, por e kundërta, do t’i mundojë. Në fakt kontributi i tij shtrihet në shumë aspekte, por, tani për tani, le të mjaftonë të përmendet kalimthi për Kosovën, shqiptarët dhe për Kishën Katolike.

Veprimtaria e tij e gjerë do të mund të ndahej në tri periudha, mendoj si të pashmangshme: para, gjatë dhe pas luftës, ku mishërohej misioni i tij ipeshkvor.

  1. 1. Kontributi i Imzot Mark Sopit para luftës

S’është lehtë të përfshihet i tërë kontributi e meritat e tija para lufte, por në sintezë, në bazë të dëshmive të shkruara, mund të themi se përpjekjet e tija, përveç atyre kishtare, ishin të përqëndruara, nëse mund të shprehem kështu, edhe “jasht” sferave misionare (“jasht sakristisë”), sepse një gjë e tillë imponohej nga rrethanat e ndryshme të paraluftës, si njësia e saj shpirtërore (morale), uniteti i tij kombëtar.

Dihet se Kisha në të kaluarën e afërt (prej viteve 1981 e këndej) kishte filluar të flasë më shumë në favor të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi, pavarësisht konotacioneve të mundshme politike, sepse nuk mund as të heshte. E kishte përgjegjësinë (morale) për shqiptarët, edhe pse shumica prej tyre s’ishin katolikë. Ç’është e vërteta, lypet të theksohet se Kisha nuk ka të drejtë të mendojë vetëm për vete, për të drejtën e vet, për të drejtën e besimtarëve të vet dhe për lirinë e tyre, por diçka më shumë. Duke pasur këtë parasysh, udhëheqjen e Kishës në disa raste kritike ishte deklaruar haptas në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, në bazë të ndërgjegjës së pastër morale. E tërë kjo bëhej për një arsye të vetme: jo vetëm pse liria është e pandashme, por mbi të gjitha prek vlerat morale, të cilat rrezikohen, veçmas kur privohet e drejta elementare e njeriut, pavarësisht përkatësisë fetare, kombëtare etj., sepse është krijesë e Zotit dhe si e tillë duhet të mbrohet.
Imzot Mark Sopi i bëri të gjitha përpjekjet e mundshme njerëzore (meshtarake), politike e kishtare që të shpëtohej qenia fizike e popullit shqiptar. I njihte mirë luftërat në aspektin historik, që kishin ndodhur në Kosovë e në vende të ndryshme të Europës Juglindore dhe, thoshte, ashtu ngjajshëm si Imzot Pjetër Bogdani: “Zoti na shpëtoftë se jemi në rrezik të madh”. Kjo lutje ishte shpeshherë në shpirtin e gojën e tij. Kurrë nuk ka dëshiruar të jetë indiferent, e as pasiv ndaj asaj që ndodhte, por vetë natyra e një kleriku të lartë që përfaqësonte një Kishë e një Vend kërkonte maturi, vizion e diplomaci, sepse e dinte se ata do të mund të hakmerreshin në rend të parë ndaj klerit katolik që ishte gjithmonë në anën e të përndjekurve, siç e kemi rastin me Atë Shtjefën Gjeçovin, Atë Luigj Palin etj etj.

Për hir të qëndrimit ungjillor që predikonte gjithkund për paqe, që apelonte për tolerancë e drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, Papa Gjon Pali II do t’i shpreh mirënjohje pikërisht për këtë qëndrim konstruktiv para e gjatë luftës, siç janë shprehur gjithashtu edhe shumë personalitete të larta nga bota perëndimore e më gjerë. Sigurisht, kjo periudhë pra (gjatë dhe pas) luftës do të jetë vetëm fillimi i hulumtimeve në të ardhmen për figurën tashmë të njohur të Imzot Mark Sopit. Ne patëm fatin të jemi afër tij, ta njohim urtinë e tij personale, si dhe angazhimin e tij me çdo kusht të mos vijë deri te lufta, deri te shkatërrimi fizik i njerëzve, e këtë e dëshmojnë edhe takimet tona brenda dhe jashtë vendit (Prishtinë, Vatikan, Vjenë, Washinton, New York, Aman, Jeruzalem, Oslo …). Vizionet e tija për Kosovën ishin të ngjashme me ato të Rugovës (siç u shpreha me rastin e kalimit të tij në amshim përmes mass-mediave).

  1. 2. Kontributi i Imzot Mark Sopit gjatë luftës

Kjo që u tha më lartë mbështetet edhe më fuqishëm me qëndrimin e tij në Kosovë gjatë luftës që, as për një çast, nuk luhatej ta braktiste popullin e vet. Po! I mësuar prej Pjetër Bogdanit: “Fati i popullit tim, është fati im”, e përcolli edhe atë në të gjitha ditët e luftës. Vizitat e shpeshta nëpër famullit tona, janë gjithsesi dëshmia më e mirë për heroizmin e tij. Edhe ato pak ndihma financiare që i kishte, ua jipte skamnorëve, duke i bekuar e inkurajuar njëkohësisht të qëndronin në shtëpitë e tyre. Ne, thoshte ai, “nuk jemi fajtorë për atë që po ndodhë. Askujt keq nuk i kemi bërë. Prandaj, edhe duhet të qëndrojmë edhe nëse na rrezikohet jeta. E këtë e kemi për detyrë. Zoti është me ne!“

Le të lejohet të pyetem: Çfarë do të ndodhte sikur edhe ai, në cilësinë e ipeshkvit, ta braktiste Prizrenin e Kosovën? Bariu i mirë, në kuptimin ungjillor, kurrë nuk e braktis grigjen e vet! Me të qëndruan meshtarët dhe motrat e nderit, si kurrë më parë të bashkuar me grigjën e vet, mandej me grigjën ‘tjetër’, kontributi i të cilëve qe i madh në shumë fusha të jetës, duke filluar nga mbrojtja për jetë e deri tek shërbimet jo të pakta humanitare. Me te Kosova ndihej moralisht më e fortë, se Zoti nuk i kishte braktisur, dhe se kjo gjendje e mjerueshme e përndjekjeve do të kalonte. I tillë qe pra edhe Imzoti ynë, duke u përngjarë denjësisht paraardhësve të tij deri tek Imzot Nikë Prela, që vetë e kishte dëgjuar duke thënë gjatë viteve 1981 e këndej “se ku popull do të rrojë.“ Dhe vërtetë mbijetoi, si feniksi mitologjik! Pra, një popull i pavdekshëm, i ringjalljes dhe në shpirtë gjithherë ripërtrirës e fisnik.

  1. 3. Kontributi i Imzot Mark Sopit pas luftës

Lufta mbaroi e duhej inkurajuar njerëzit ta mbijetonin holokaustin e tyre, tragjedinë e tyre e të ktheheshin në trojet e tyre, edhe përkundër asaj që kishin humbur të dashurit e tyre, shtëpitë e tyre… që, siç na mbetet gjithmonë në kujtime, gjithkund shihej përmbysje biblike, shkretëtira, rrënime e fytyra të vujtura, por, fatbardhësisht, shihej edhe gëzimi, hareja e shpresa e ngultë (besimi) e rimëkëmbjes së shpejt politike, ekonomike, kulturore… Dhe patën të drejtë! Duke pasur këtë parasysh, Imzot Mark Sopi filloi menjëherë të japë kontributin e tij në emër të Kishës Katolike e në shenjë atdhedashurie, kudo nëpër Kosovë dhe pa kurrfarë dallimi fetar në mesin e njerëzve, qytetarëve të Kosovës.

A mund të thuhet ende se nuk dihet për ndihmat e shumta që janë dhënë gjatë këtyre viteve të pasluftës përmes dorës së tij e bashkëpuntorëve të tij? Dua të them se ndihmat e natyrave të ndryshme humanitare janë drejtuar tek njerëzit e varfër, tek institucionet e ndryshme, duke filluar që nga invalidët e luftës e deri tek shoqatat e ndryshme kulturore, arsimore… Me një fjalë, zbatohej urdhëri i dashurisë ndaj të afërmit, ndaj skamnorit, ndaj njeriut që kishte nevojë. Këtu askënd nuk e zhgënjeu! Dhe për këtë përparësi morale ndaj bashkatdhetarëve, populli i tij, pa dallim feje, e shpërbleu denjësisht me pjesëmarrje masive në ritet mortore në Prizrenin e lashtë dhe në Binçën martire.

Edhe përkundër ndihmave e donacioneve të shumta humanitare, nuk mjaftonte të rimëkëmbej Kosova e pasluftës, të (ri)fillonin investimet e pritura, madje që popullit t’i njihet e drejta për vetëvendosje, për pavarësi. Edhe në këtë drejtim Imzot Mark Sopi do të angazhohej në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare. Ç’është e vërteta, u bë zëri i fuqishëm i çështjes së pazgjidhur kombëtare, duke apeluar gjithnjë në instancat më të larta ndërkombëtare, madje edhe deri te Papa Gjon Pali II, se statusi i Kosovës do të duhej të zgjidhet sa më shpejt e në frymën e vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës.

Jo vetëm meshtarët që e përcollën nuk do të dijnë, madje as unë personalisht që isha me të për një dekadë të tërë, por vetëm Zoti do t’i mbajë në mend të gjitha takimet që i patëm për Kosovën dhe shqiptarët. Mund të them se me dhjetra e dhjetra relacione i referohen drejtpërdrejti  çështjes së Kosovës, gjithnjë duke kërkuar zgjidhje të drejtë në përkim me vullnetin e popullit. Kjo që thuhet, biografët apo studiuesit do të mund t’i kenë në shqyrtim gjatë dekadave të ardhshme, pasi që për një kohë të gjatë të gjitha relacionet e tija nëpër arkivat e Vatikanit, Prizrenit dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore nuk do të mund t’i kenë (menjëherë) në shqyrtim.

Jam shumë i vetëdijshëm se në këtë referim të shkutër biografik “Mbi jetën dhe veprën e Imzot Mark Sopit“ po lihet, natyrisht, akoma shumëçka për t’u thënë, veçmas në levizjet e preferuara nga Koncili II i Vatikanit mbi ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar, por do të doja, në fund, ta bëja një krahasim mbi argumentin që e kemi në shqyrtim.

Siç dihet në Konferencën e Parisit (1919) ishin shestuar plane të ndryshme për dezintegrimin e Shqipërisë Londineze (1913) dhe asgjë nga politika dhe gjeopolitika nuk shkonte në favor të shqiptarëve. Le të themi edhe kësaj radhe, si dhe herave tjera, ishte kleri katolik dhe Selia e Shenjtë, gjegjësisht Papa Benedikti XV që e panë rrezikun e aneksimit jugosllav dhe grek. Ta parët pretendonin me marrëveshje “paqeja” ta aneksonin Shqipërinë Veriore (Shkodrën, Lezhën , Mirëditën…), ndërsa të dytët Shqipërinë Jugore (Korçën, Gjirokastrën…) me marrëveshje të fshehta ndërmjet Greqisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Rusisë, por ndodhi ajo që ndodhi! Në fakt vetë Imzot Luigj Bumçi, ipeshkëv i Lezhës, më 13 korrik 1919 e kryesoi delegacionin e shqiptarëve në Vatikan te Papa Benedikti XV, që Shqipëria të mos coptohej nga katër anët e krahinave të saja. Dhe siç mësojmë nga relacionet që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit, Papa Benedikti XV u premton që së bashku me ambasadorin e Anglisë dhe të SHBA-ve do të bënin gjithçka të mos coptohej Shqipëria. Pra, u ruajt integriteti territorial i saj.

Edhe ipeshkvi ynë Imzot Mark Sopi me delegacionin e tij, me Dr. Don Lush Gjergjin, vikarin gjeneral, dhe Dr. Don Shan Zefin, kancelarin ipeshkvor, që ia kishte përgatitur takimet e shumta, me miq të njohur shqiptarë në Kongresin Amerikan (15 – 25 maj 2005) dhe me Autoritete tjera më të larta politike, kulturore e fetare të atij vendi, dëshmuan gojarisht dhe me shkrim të vërtetën për Kosovën dhe Shqiptarët. Të gjithë ne jemi dëshmitarë si trajtohej çështja e Kosovës, aspiratat e popullit tonë të pafajshëm për pavarësi, duke u dhënë-ndërkombëtarët- sikur të drejtë serbëve se ndoshta edhe kanë pasur arsye, sidomos pa zjarrëdhënies së  objekteve  të  kultit ortodoks (2004) madje duke na paditur edhe si fundamentalistë, terroristë… Më duhet të them pa ngurrim se Imzot Mark Sopi, kudo nëpër takime të shumta që u zunë goje më lartë, së bashku me bashkëpuntorët e tij, nuk la kurrfarë dyshimi se represioni, përndjekjet dhe masakrimet që kishin ndodhur në Kosovë nuk kishin asgjë të përbashkët me fundamentalizmin islamik shqiptar. Më posht le t’i përkjutojmë pyetjet dhe përgjigjet e drejtpërdrejta në Kongresin Amerikan (më 18 maj 2005, në ora 10:30) dhe jasht tij:

A keni frikë nga fundamentalizmi islamik në Kosovë?

Ipeshkvi përgjigjet: “Jo! Nuk kemi frikë.

A ka fundamentalizëm në Kosovë?

Përgjigjet: “Jo! Mund të ketë ndonjë individ apo grup.

A keni frikë prej myslimanve shqiptarë?

Përgjigjet: “Jo! Ata janë vëllezërit tanë.

A meriton Kosova ta ketë pavarësinë?

Përgjigjigjet: “Po! Kjo është zgjidhja më e mirë.

Të gjitha këto rrëfime (pohime) ishin dhënë më parë edhe me shkrim dhe gojarisht gjatë takimeve personale me kongresmenë, senatorë, udhëheqës të lartë fetarë… Pra, para se të hynim në Dhomën e Jashtme të Kongresit Amerikan, secili prej nesh e kishte lënë atë dëshmi tanimë historike për qëndrimin zyrtar të Kishës Katolike tek ne ndaj Kosovës e shqiptarëve.

Prandaj, le t’u lihet lexuesve në ndërgjegje porosia e kësaj dëshmie historike, për kontributin e Imzot Mark Sopit e bashkëpuntorëve të tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sidomos në këtë periudhë kur po flitej e shkruhej gjithnjë e më shumë mbi përplasjet e mundshme të civilizimeve, kulturave e religjioneve.

Fjalët e Imzot Mark Sopit në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes në Prishtinë (2005) se “JU DUA TË GJITHËVE“, mendoj se do të ishte testamenti, porosia e tij e shenjtë për ne dhe për gjeneratat e ardhshme.