Meditime

E Mërkurja e Përhime – Kthehu e beso Ungjillit

„Kthehu e beso në Ungjill. Kujtohu se je pluhur…“ Mes këtyre shprehjeve nga Shkrimi Shenjt, meshtari zgjedh njërën kur na vendos hirin. Ne ulim kokën dhe kthehemi në vend, gojëmbyllur dhe të prekur nga një shenjë kaq thelbësore. Është një gjest unik në vitin liturgjik dhe shenon hyrjen në Kreshme, një kohë prej 40 ditësh që na çon në Javën e Madhe dhe që kulmon me Pashkën e Ringjalljes.
Shën Pali na thotë: “Pajtohuni me Hyjin”. “kthehuni me gjithë zemër kah unë”, thotë Zoti përmes gojës së profetit Joel. Ushtroni lëmoshën, lutjen, agjërimin thotë Jezusi. Nga këto ftesa le ta marrim seriozisht atë çka na thotë meshtari kur na vendos hirin.
Është një kohë shtegtimi, çmagjepsjeje, ballafaqimi, prove, ndeshjeje për të mbërritur në zemrën e besimit: në vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit.
Përshpirtëria e kohës shërben për të parë se ku jemi dhe për të marrë vendimin nëse duhet ndjekur apo jo Krishti që në javët e shkuara na ka paraqitur ungjillin e tij. Ndodh e njëjta gjë çdo vit. Pas Krishtlindjes kemi filluar një udhëtim me Jezusin. Këtë udhëtim ai e bën në Galile ku ai ka ardhur mes të tijve: kemi parë lebrozin, vjehrrën e Pjetrit, të paralizuarin. Mbretëria u është ofruar atyre që e dëgjojnë. Edhe neve na ofrohet kjo fjalë që kërkon tani një përgjigje besimi. Ja për çfarë shërben Kreshma: për të parë ku jemi, për të marrë një vendim. Duhet të bëjmë një shoshitje: për të zgjedhur sërish që të jetojmë me Hyjin dhe sipas tij; për të gjetur sërish Besëlidhjen me Hyjin;
për të parë se kush jemi në lidhje me fjalën e tij dhe me drejtësinë e tij.
Hiri nuk është vetëm shenjë e vdekjes dhe e mëkatit, por është edhe shenja me anë të së cilës pranojmë se jemi të vegjël dhe se jemi të përvuajtur, është shenja se ne presim gjithçka nga Hyji dhe jo gjithçka nga vetvetja. Është edhe shenja e dëshirës sonë për kthim.
Fillon koha për t’u takuar me Hyjin, është koha e pajtimit, është koha e faljes. Të mos e lëmë këtë kohë të na kalojë pa kremtuar sakramentin e Pajtimit, pra pa u rrëfyer, mos ta humbasim rastin “që të pajtohemi me Hyjin”, siç u thotë shën Pali Korintasve. Të përgatitemi, të bëjmë një shqyrtim ndërgjegjeje.
Të gjithë ne, shpesh, kemi jetuar dhe jetojmë përvojën e trishtuar të lidhjeve të miqësisë që ftohen, dalëngadalë bëhemi si të huaj. Sa betime dashurie dhe miqësie të mohuara njohim që lënë një vetmi të dhimbshme… Veçanërisht marrëdhënia me Hyjin është një marrëdhënie dashurie, sa herë Bibla na paraqet këtë marrëdhënie mes Hyjit dhe njerëzimit në klimën e një dashurie të tradhtuar, të ftohur.
Por Bibla na paraqet edhe se Hyji, në Jezusin, ndërmerr nismën për pajtimin, është ai që e bën hapin e parë. Ai na ka fort për zemër, miqësinë tonë! Mjaft të shohësh çmimin që ka paguar. Plotësisht solidar me ne ka bërë të tijin fatin tonë. Ka dhënë jetën për ne, që të mos dyshojmë aspak për dashurinë e tij për ne. Ja, konteksti ku vendoset koha e Kreshmës, në këtë mister të shpëtimit: po ai do që të vdiset, por ndaj mëkatit, që të mund të jetojmë për Hyjin në dashurinë e rigjetur.
Fjalimi në Mal e Mateut përfundon me një referim tek Ati. Nuk janë vetëm këshilla morale por edhe besimi. Lindin nga zbulimi i Hyjit që është Atë. Lutja, bashkëndarja (do ta quaja kështu lëmoshën) dhe agjërimi janë ecja jonë për t’iu afruar Atit, për ta rregulluar jetën tonë sipas tij. Agjërim për të hequr veten nga qendra e vëmendjes, lutje për t’u përqendruar tek Hyji, bashkëndarja-lëmoshë për t’u përqendruar tek vëllezërit tanë.
Lutja na ndihmon që të hyjmë në planin e Hyjit: të shenjtërojmë emrin e tij, të vijë mbretëria e tij, të bëhet vullneti i tij. Le të përpiqemi të kuptojmë nevojat e vërteta të botës që të afrohet Mbretëria. Le të gjejmë dhjetë minuta kohë për të për të lexuar një pjesë të Shkrimit të Shenjtë.
Por mos ta ngatërrojmë agjërimin me një kurë dobësimi si një trill të çastit! Është kjo një mënyrë për të na kujtuar se varemi prej tij, është një vepër përunjësie për t’u vënë në praninë e tij. Me agjërimin zbulojmë përparësinë e vërtetë, që citohet në Ungjill: jo vetëm me bukë jeton njeriu… Vetë Jezusi agjëron për ta vënë veten krejtësisht në duart e Atit para se të fillojë gjithë veprën e vet. Le të çlirohemi gjatë Kreshmës nga instinkti ynë i zotërimit.
Lëmosha apo bashkëndarja është fryt i rregullimit të jetës sonë në lidhje me vullnetin e Hyjit, kjo na bën ne “të mëshirshëm”, na çel ndaj mëshirës dhe ndaj drejtësisë. Duke e ushtruar Jezusi na fton që të duam të mirën e tjetrit dhe drejtësinë (që për Hyjin është dashuri dhe falje). Le të çlirohemi nga krenia dhe egoizmi që ia mbyllin zemrën tonë të tjerëve. Mjafton edhe një buzëqeshje, një shtrëngim dore… ose një ofertë për ata që punojnë në fushë të bamirësisë.
Me këto tri gjeste Jezusi nuk na kërkon heroizma, por na mëson se kush është Hyji dhe mënyrën për të shkuar drejt tij. Le ta lëmë veten me përvujtëri dhe vërtetësi në duart e tij: gjithçka do të kthehet në një rast për të takuar Atin, për ta njohur atë në besim. Në këtë mënyrë do të ecim drejt Pashkës me Krishtin! Ecje të mbarë, ju dëshiroj të dashur besimtarë, në Kohën e Kreshmëve.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »