Meditime

In memoriam: Imzot Mark SOPI (1938 – 2006), Bari i guximshëm dhe i vendosur për të gjithë

Jeta dhe vepra

Imzot Mark Sopi, lindi në Binçë më 26 shkurt 1938. Pas shkollës fillore në Viti, Gjimnazit klasik në Pazin të Kroacisë, studimet filozofike dhe teologjike i kishte filluar në Zagreb dhe përfunduar në Romë. Shugurohet meshtar në Romë, më 29 qershor 1968. Don Dedë Ramaj, famullitari i atëhershëm i Stubllës dhe Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës kremtore pati thënë në mënyrë profetike:“Mos harro biri i kujt je, së pari i Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i tyre, pastaj i famullisë dhe së fundi i familjes… Ndero të parët dhe ndero vetveten, sepse ke gjurma për të ndjekur nga lashtësia dhe historia…”. Pesë vitet e para të meshtarisë ishte famullitar në Ferizaj dhe sekretar i Imzot Nikë Prelës. Gjatë viteve 1974-1991 famullitar në Zllkakuqan, me shërbime të palodhshme në çdo kuptim dhe drejtim: baritor, bamirës, organizativ, ndërtimor, për objektet kishtare, përgatitjen për themelimin e dy famullive të reje, të Klinës dhe të Budisalcit, në pajtimet e gjaqeve… Ishte edhe intelektual i mirëfilltë dhe punëtor i palodhshëm nëpër revista të ndryshme, sidomos “DRITA” e Ferizajt dhe “Vëgim drite” të Durrësit. Si fryt i kësaj pune ka dhuruar këto botime: “Baca Kolë dhe famullitari”(1995), “Martirët e Karadakut”(1996),” Koncilet ekumenike” (2000) dhe “Shën Luçia” (2003). Papa Gjon Pali II. e emëroi ipeshkëv të Kosovës më 23 nëntor 1995, pas shërbimit katërvjeçar në Durrës, dhe më vonë e shuguroi në Vatikan më 6 janar 1996. Udhëheqjen e Ipeshkvisë e mori në Prizren, më 18 shkurt 1996, me plot flijim, kujdes dhe përkushtim, e udhëhoqi deri në ndërrimin e jetës, më 11 janar 2006.

Tiparet vepruese dhe dalluese

Nga jeta dhe profili i tij ka shumë tipare vepruese dhe dalluese, unë do t’i theksoj vetëm disa. Parimor dhe guximtar në çdo rrethanë të jetës dhe të veprimit, para, gjatë dhe pas Luftës së vitit 1999. Ishte Bariu i Mirë i grigjës së besuar, jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, sidomos atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtarët, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët, për t’i ngushëlluar të pikëlluari dhe ndihmuar të varfëritë, për të qenë aty ku njerëzit tanë vuajnë, ishin të goditur dhe kërcënuar. Me qëndrime të qarta dhe largpamëse, me zemër të madhe dhe bujare për të varfër dhe nëpërkëmbur. Gjithnjë në kërkim për shërbimin e Zotit, Kishës sonë, në çështje shoqërore, kulturore, arsimore, sidomos në mishërimin e jetës dhe të veprës së Nënës Tereze në traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë. Ëndrra e tij jetësore ishte ndërtimi i Shenjtërores – Katedrales së Nënës Tereze në Prishtinë, si fanar në detin tonë të trazuar, si dhe zgjidhja fatlume e çështjes së Kosovës. Posaçërisht, dua të theksoj aftësitë e tija për komunikim me të gjithë, me përfaqësues të huaj në Kosovë apo gjetiu, për paraqitjen dhe mbrojtjen e çështjes sonë madhore dhe për të mirën e përbashkët. Me një fjalë, Imzot Mark Sopi ishte njeri urëlidhes mes skajshmërive, veprues në çdo kënd dhe vend, flijues për të mirën e të gjithëve, me gjakftohtësi dhe me urti, me fe të gjallë, shpresë të ngultë dhe dashuri flijuese dhe dhuruese për Zotin, për Kishën, për popullin Shqiptar, për të gjithë. Imzot Mark Sopi fill pas rrënimit të diktaturës në Shqipëri, së bashku me Mons. Damjan Kurti, shkoi në Durrës si misionar për ta ndihmuar dhe shërbyer këtë Kishë dhe Popull martir, duke dëshmuar kështu dashurinë flijuese dhe dhuruese.

Testamenti shpirtëror i Imzot Mark Sopit

“Unë jam Ringjallja dhe Jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. E kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë” ( Gjn 11, 25-26). Jezusi na pyet edhe ne sot, siç e pyeti dikur Martën: “A e beson ti këtë?”. “Po, Zotëri! Unë besoj se Ti je Mesia, Biri i Hyjit – ai që duhej të vijë në botë!” (Gjn 11, 26-27). I vdekuri jeton dhe flet, për ne që besojmë në Zotin, në vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtin, në jetën e pasosur. Pra, Imzot Mark Sopi është i gjallë ndër ne, jo vetëm në mendje dhe në kujtime, por para së gjithash në Zotin, në pritje të ngjalljes së trupit dhe në jetën e pasosur. Në këtë shtyllë Imzot Mark Sopi e ka ndërtuar jetën tokësore dhe veprimtarinë e tij baritore, në personin e Jezu Krishtit, të mishëruar, të vdekur dhe të ngjallur, si burim i pashtershëm feje dhe dashurie, si mundësi konkrete për dëshminë e krishterë. Pa këtë lidhje dhe trinom Jezu Krishti – Kisha – Populli Shqiptar, ne s’mund ta kuptojmë, shpjegojmë dhe zbërthejmë jetën dhe veprimtarinë e Imzot Mark Sopit ndër ne, me ne dhe për ne, rrezikojmë ta cungojmë apo edhe të japim interpretime të njëanshme dhe të gabuara për të. Imzot Mark Sopi ka jetuar dhe vepruar për Krishtin e ngjallur, ka besuar, predikuar dhe dëshmuar gjithnjë ngjarjen kulmore të ngjalljes së tij, si fitore jona, është frymëzuar dhe flijuar për Atë. Krishti i ngjallur është shpërblim më i madh i tij në amshim. Njësia e dytë e jetës dhe veprës së tij ishte pa dyshim Kisha katolike, si “Mësuese dhe Nënë”, të cilën ai e ka dashur dhe shërbye me tërë qenien e tij njerëzore dhe të krishterë. Pra, Krishti dhe Kisha ishin dy binaret e jetës, të cilat ai kurrë nuk i ndau dhe harroi, por me mendje dhe me zemër i pranoi dhe përqafoi duke i shërbye deri te ofshama e fundit të kësaj jete. Shpesh thoshte kështu: “Tash Kisha jonë e stërlashtë dhe martire, ka gjasa të lulëzojë, pas dimrit kaq të rëndë dhe të gjatë shekullor. Ne duhet t’i rrimë gati “arës së Zotit”, ta përgatisim dhe mbjellim sa më mirë. Zoti do të bëjë të rriten të korrat…”. Sot mund të themi se pati të drejtë. Frytet e para të kësaj “pranvere” shihen dhe hetohen dukshëm kudo ndër ne. Kishte njohuri, nderim dhe admirim, dashuri të madhe për paraardhësit tanë, “Martirët e Karadakut”, që i kishte studiuar nëpërmjet dokumenteve të arkivit “Propaganda Fide” në Romë, si model i jetës dhe dëshmisë së krishterë. Ishte i lidhur qenësisht me Popullin tonë Shqiptar në të mira dhe të vështira, gjithnjë në shërbim dhe flijim të të gjithëve, pa dallime dhe përjashtime. Shën Nëna Tereze ishte hallka dhe unaza që i lidhte këtë trinom, Krishtin, Kishën, Popullin Shqiptar, gjithnjë nën ndikimit e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Çka të theksojmë nga jeta dhe vepra e tij meshtarake dhe baritore? Erdhi në ktye të Ipeshkvisë para Luftës, me plotë sfida dhe rreziqe, pasiguri. Lirisht mund të themi që guximisht dhe urtësisht na ka mbrojtur dhe udhëhequr, si Bari Mirë, jo vetëm për katolikët, por për mbarë popullatën tonë. Mbrojti lirinë, demokracinë, qenien tonë njerëzore dhe kombëtare. Gjatë 10 vjetve ishte kudo e lypte dhe kërkonte situata. Të keqes i tha guximisht dhe vazhdimist JO, të mires gjithnjë PO. I butë dhe i ëmbël në bashhkëbisedime, i guximshëm dhe i vendosur në vendime dhe në qëndrime. Me imzot Mark Sopin Kisha Katolie në Kosovë u bë gjithnë më e njohur, më e pranishme në hapësirat tona, sidomos në ndihmë për të goditurit e Luftës, në ndërtimin e shtëpive, shkollave, spitaleve, rrugëve, infrastrukturës, në veçanti në ndërtimin e njeriut, familjes dhe shoqërisë. Fjala e tij e rastit në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005, ku me këmbëngulje dhe dhe me argumente mbrojti qëndrimet tona dhe kërkoi demokraci, liri, barazi, pavarësi, vëllazëri dhe pajtim për të gjithë qytetarët e Kosovës… Nëpërmjet ekraneve televizive, Imzot Mark Sopi ishte bërë një anëtar i familjeve dhe popullit tonë, gjithmonë me fjalë dhe porosi të ëmbla dhe ngushëlluese, me këshillime të qëlluara dhe frymëzuese, me qëndrime largpamëse dhe inkurajuese…

Vdekja e tij e papriur e kishte tronditur Kishën dhe Popullin tonë…

Imzot Mark Sopi Nënën Tereze e pati takuar në Romë gjatë studimeve, dhe që nga ajo kohë lidhja kurrë nuk ishte ndërprerë. Atë e ka pasur si model të përsosur të jetës së kushtuar, si fryt të Kishës tonë martire, dhe si përfaqësuese të denjë të Kishës dhe Popullit Shqiptar në botë, tash edhe në amshim. Në vizitat e saja nëpër Kosovë dhe në Shqipëri, ishte së bashku me Nënën Tereze, duke e pranuar dhe përcjellë, po ashtu edhe në famullinë e Zllakuqanit (1982). Ishte shumë i gëzuar dhe i lumtur në pjesëmarrjen e lumturimit të saj në Romë, më 19 tetor 2003, edhe pse kishte disa halle shëndetësore. Jo rastësisht dha shpirt në Prishtinë, gjatë një bisedimi në Komunë rreth ndërtimit të Katedrales dhe Shenjtërores së saj, më 11 janar 2006. Pra, dëshira, testamenti i fundit i Imzot Mark Sopit, ishte i ndërlidhur me Nënën Tereze, ndërtimin e Kishës dhe Katedrales me emrin e saj, me jetën dhe porosinë e saj për ne dhe për botën. Tash, shpresoj dhe uroj, që së bashku ta shijojnë amshimin e lumtur në parajsë dhe të luten e të ndërmjetësojnë për ne, për Kishën dhe Popullin tonë.

Prishtinë, 11 janar 2021

Don Lush GJERGJI

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »