Meditime

Kreshmë-t

Kreshmë-t. Lat. Quadragesima. Kohë kishtare, e quajtur liturgjikisht e shenjtë, prej 40 ditësh që u paraprin Pashkëve, në të cilën bëhen njinesa dhe vepra të tjera dashurie; fjalë nga e cila në gjuhën tonë kemi dhe foljen: kreshmoj dhe mbiemrin kreshmor, që tregojnë mënyrën e të ushqyerit në këtë kohë për të krishterët dhe sjelljen e tyre të përvuajtur; kohë, kur në kremtimin e Meshës, nuk këndohet aleluja as para Ungjillit, as në raste të tjera, por zëvëndësoshet me një tjetër strofëz, dhe në kremtime si veshje liturgjike përdoret ngjyra vjollcë; kohë prej 40 ditësh kur në Kishën katolike porositet ushqimi i njinueshëm, ngrënia thatë, përkatësisht pa bulmet, pa mish, me fare pak lyrë ose pa të; kohë pendimi pashkor që nga e Mërkura e përhimjes, pa llogaritur të dielat, që përfundon natën e Pashkëve, përkatësisht në të kremten e vigjiljes së të Dielës së Ngjalljes; kohë e shenjtë, e quajtur dhe Kreshma e Pashkëve për ta dalluar nga Kreshma e Ardhjes; pendesë e Pashkëve, festë kjo, e vendosur nga Koncili i Nicesë (në vitin 325) për t’u kremtuar në të dielën e parë pas hënës së plotë në pranverë; periudhë kishtare në Kishat e Lindjes me karakateristika të veçanta në traditën bizantine, kur gjatë javës nuk kremtohet Mesha Hyjnore sepse, duke u pasë trajtuar ajo si festë, ritet liturgjike lindore mendojnë se nuk ishte dashur të kremtohej në kohën e agjërimit; kohë kreshmore në tradition bizantine me kremtime të Liturgjisë Hyjnore vetëm në ditë të shtuna me anaforën (Lutja eukaristike) e Shën Gjonit Gojartë dhe në të diela me anaforën e Shën Bazilit, duke e ndjekur këtë pikëpamje që nga shekulli IV në vendimet e Këshillit të Laudicesë; kohë kreshmore në ritet liturgjike bizantine kur, të mërkureve dhe të premteve, që janë ditë agjërimi duke filluar nga lashtësia, kremtohet “Mesha e Dhuratave të Parashuguruara” si festë e Mbrëmësores së Kreshmëve dhe përdoren Dhuratat e Shenjta të së dielës përpara, të shuguruara në fund të kremtimit.

Diela e parë e Kreshmëve (e). E diel me lexime të veçanta për të zgjuar ndjenjet kreshmore dhe pendestare, kur kremtohet dhe riti “i zgjedhjes” (lat. ritus electionis”) në Kishën katolike, përkatësisht shënimi e emrave të katekumenëve (lat. inscriptione nominis) që kanë për t’u pranuar në sakramentin e pagëzimit, në sakramentin fillimit të krishterë në Vigjiljen e Pashkëve; e diel me Meshën rituale të pranimit të katekumenëve dhe shënimit të emrit të të gjithë atyre që kanë për të marrë sakramentin e fillimit të krishterë në Vigjiljen e Pashkëve në Kishën katolike, ku parashihet lutja e veçantë e Kolektës, Lutjes mbi dhurata dhe Lutjes pas kungimit (khs. Meshat rituale, në MeR, f. 813-814) me të cilat thirret mbrojtja e Hyjit mbi të zgjedhurit që përgatiten për pagëzim, lypja e faljes së mëkateve të tyre dhe shërimi i plotë për të gjithë të pranishmit.

Diela e tretë e Kreshmëve (e). E diela e shqyrtimit a hetimit të parë të katekumenëve; e diel e quajtur oculi “Sytë e mi përherë i drejtoj te Hyji”, sipas fjalëve të para të psalmit (25,15) në gjuhën latine, kur bëhet vlerësimi i parë përgatitor (lat. primum scrutinium præparatorium – shqyrtimi i parë i përgatitjes) i katekumenëve për sakramentin e pagëzimit, sakramentin e fillimit të krishterë që, në pikëpamjen katolike, i bën të pagëzuarit pjesë të popullit të Zotit (khs. PO, 4) dhe, për nga natyra e shërbimit, i përket ta zbatojë ipeshkvi, të cilin që nga Kisha e hershme e ndihmonin diakonët dhe priftërinjtë, por që sot i ngarkohet si detyrë e veçantë priftit (khs. CIC, 530); e diel e shqyrtimit të katekumenëve me lutje dhe thirrje drejtuar Hyjit që ata të përgatiten me vetëdije për të dëshmuar lavdinë e Hyjit dhe për ta ripërtëritur dinjitetin e parë të humbur me mëkatin e rrjedhshëm, që ata të pranojnë misteret e shenjta, të bëhen gati për ta dëshmuar Ungjillin dhe të marrin njohuritë e mësimet që të aftësohen denjësisht për të marrë sakramentet e jetës së pasosur (khs. Meshat rituale, në MeR, f. 814-815); kremtim i Meshës kreshmore kur bëhet shqyrtimi i parë i katekumenëve dhe njëkohsisht, në Lutjen Eukaristike, thirret ndihma e Hyjit për nunët dhe nuneshat që do t’i paraqesin kandidatët ose kandidatet për pagëzim.

Diela e katër e Kreshmëve (e). E diel e quajtur Laetare (Gëzohuni); kremtim i Meshës së radhës në kohën e Kreshmëve me ngjyrën liturgjike vjollcë ose rozë në Kishën katolike, kur lejohet përdorimi i veglave muzikore dhe mund të zbukurohet altari, kryhet vlerësimi i dytë përgatitor për pagëzim i katekumenëve që kanë për t’u pranuar në sakramentin e fillimit të krishterë në Vigjiljen e Pashkëve dhe thuhen lutje rituale dhe ndërmjetësuese për ta dhe bëhet përkujtimi i nunëve dhe nunave (khs. Meshat rituale, në MeR, 816); e diel që përmes ngjyrës vjollcë dhe trëndafilit ngjyrartë, mëtohej për t’i zbutur ndjenjat e dhimbjes së besimtarëve për mundimet e Krishtit dhe për të bërë të ditur lavdinë e tij para Ngjalljes që po afrohej; kremtim kreshmor me lexime në vazhdimësi në Vitin liturgjik në Kishën katolike, duke u shtuar dhe shqyrtimi i dytë i katekumenëve dhe lutje drejtuar Hyjit që ata të rilinden edhe për qiellin e të mund t’ia arrijnë shpëtimit të amshueshëm (khs. Meshat rituale, në MeR, f. 815 dhe 816).

Diela e pestë e Kreshmëve (e). E diela e Mundimeve (Dominica de passione), e emëruar kështu sipas ritit të jashtëzakonshëm të Mesharit Romak, të miratuar me Letrën apostolike Summorum Pontificum në formën e Motu Proprio (më 7 korrik 2007) nga Papa Benedikti XVI; e diel që sipas ritit të jashtëzakonshëm të Mesharit Romak të vitit 1570 i paraprin të Dilës së Luleve dhe, sipas këngës hyrëse të pslamit 43,1 në gjuhën latine, quhet dhe Judica (Judica me, Deus, “Më përligj, o Hyj”), dhe që nga kjo e diel, sipas vendimit të Konferencës së Ipeshkvijve, mund të ruhet dokja e mbulimit të kryqit deri në të Premten e Shenjtë, ndërsa e figurave deri në fillim të Vigjiljes së Pashkëve; e diel që, sipas Mesharit Romak të vitit 1962, quhet “E Diela e parë e Mundimeve (Dominica I. Passionis), ndërsa e diela që vjen prapa saj “E Diela e dytë e Mundimeve ose e Diela e Luleve (Dominica II. Passionis seu in palmis); e diela e pestë e Kreshmëve sipas Mesharit Romak të botimit tipik të vitit 2002, që i paraprin të dielës ndjekëse, e quajtur: “E Diela e Luleve dhe e Diela e Mundimeve” (Dominica in palmis de Passione Domini); e diela e hetimit të tretë të besimit të kandidatit që do të pranohet për sakramentet e fillimit të jetës së krishterë në Vigjiljen e Pashkëve, për të vërtetuar kthimin e tij të plotë, shkallën e përgatitjes dhe gatishmërinë, duke përdorur lutje rituale dhe ndërmjetësuese të veçanta, që katekumenët, tashmë të njoftuar me misteret e shenjta, të përtrihen nga burimi i pagëzimit e të bëhen pjesëtarë të Kishës, që me ndihmën e flisë së Meshës të pastrohen, pasi janë shndritur me hiret e fesë (khs. Meshat rituale, në Meshari, f. 817).