Meditime

Tomë Mrijaj: Botohet Kalvari i vuajtjeve të familjes Mons. Dr. Zef Oroshit nën Komunizem

Botohet libri “Një jetë i përgjuar” Dosja e Sigurimit të mons. dr. Zef Oroshit nga Shtëpia Botuese Volaj, Shkodër. Në “Dy fjalë për lexuesin”,  përgatitësi dhe botuesi i këtij botimi, biografi i monsinjor Oroshit,  publicisti Tomë Mrijaj shkruan mes të tjerash:-“ Sa më e madhe lufta kundër tij, shpifjet kundër tij, aq më shumë i shtohej zelli monsinjorit, që në predikim t’i hapte sytë komunitetit shqiptar, se çfarë po ndodhte në Shqipërinë bunkier dhe t’i tregonte botës dhe amerikanëve për gënjeshtrat komuniste. Me interes janë edhe letërkëmbimet me familjen e tij, letrat që censuroheshin, studioheshin e kontrolloheshin imtësisht nga Sigurimi i shtetit komunist në Shqipëri. Janë botuar disa libra, për veprimtarinë e monsinjor Oroshit, por botimi i Dosjes së tij, me titullin: “Një jetë i përgjuar”, është si qershia mbi tortë dhe vetëm sa e lartëson atë dhe aktivitetin e tij të gjërë.  Çdo gur, që është hedhur mbi personalitetin e tij, ka formuar një kështjellë monumentale, që nuk mund të rrëzohet dot.  Monsinjor Zef Oroshi, është bërë i pavdekshëm në zemrat e besimtarëve, në historinë kombëtare, në historinë e mërgatës shqiptare të mes shekullit XX, ku, fillesat e katoliçizmit mes shqiptarëve në SHBA mbajnë emrin e tij.”

Pjesë e librit është dhe ky artikull i imi të cilin po e botoj të plotë për të njohur më mirë kalvarin e vuajtjes së familjes së mons.dr. Zef Oroshit (Çokut) përgjatë periudhës së komunizmit.

Historia e popullit shqiptar sikurse na mëson nëna histori, vazhdimisht është e mbushur më shumë ngjarje dhe episode të rëndsishme historike, të cilat dora dorës po zbardhen, nën dritën e rishkrimit të historisë, e cila fatkeqsisht deri tani ka qenë e mbushur me shumë doza të mëdha propagande fallco ideologjike komuniste, sesa me fakte origjinale dhe argumente reale historike.

Si shumë familje të tjera shqiptare në shtetin burg të regjimit bolshevik komunist, në Shqipërinë e diktatorit Enver Hoxha edhe rrethi i afërt familjar i prelatit shqiptaro amerikan mons. dr. Zef Oroshit, nuk i shpëtoi morsës shtrydhëse të regjimit të egër socialkomunist, duke filluar fillimisht me përhapjen e lajmeve të rreme, presione psikologjike, qysh kur ai ishte famullitar i kishës katolike në Ungrej (Mirditë), survejimin e organizuar sistematik ndaj tyre, pastaj internime të njëpasnjëshme në kohë të ndryshme, ku shumë prej tyre më vonë provuan heqjen e lirisë dhe burgun e tmerrshëm komunist.

Sipas burimeve arkivore të shtetit komunist, të cilat i kemi shfletuar dhe lexuar me shumë kujdes kohët e fundit në AQSH në Tiranë, shohim nga tekstet e hartuara me paramendim nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit, që projektonin dosjet, për të gjithë kundërshtarët politikë të regjimit, shohim se: “Nga koha e arratisjes e deri aty nga fundi i vitit 1953 dom Zef Oroshi, ka treguar aktivitet të madh kundër R.P. të Shqipërisë, duke ardhur shumë herë si diversant. Ky nuk ka njëri, sepse nuk ka pasur grua. Dy vëllezërit e tij, që janë këtu kanë qenë të ndarë me te dhe nuk kanë banuar së bashku, nuk është marrë asnjë masë karshi tyre.”

Kushdo sot, mbas shumë dekadave, që rilexon me kujdes dhe qetësi, këto fraza të sipërcituara, sheh sesa me kujdes i kanë hartuar manipulimet e tyre punonjësit e lartë të Sigurimit të Shtetit komunist, fletët e dosjes së madhe të klerikut shqiptaro amerikan.

Këtu ne dhe ju, kuptoni shumë qartë sesa të djallzuar ishin ata në hartimin e Dosjes së prelatit të shquar shqiptar mons. dr. Zef Oroshit, të cilën fatmirësisht e ka sjellur para jush biografi dhe studiuesi i kujdesshëm i tij shqiptaro amerikan Tomë Mrijaj.

Ja një shembull tjetër konkret, sesi hartoheshin faqet e dosjes së Sigurimit të Shtetit në periudha të ndryshme të historisë. Kështu me datën 18/X/1960, me titull: “Mbi vëllezërit e kriminelit dom Zef Çokut (Oroshit)”, shkruhet: ”Me të sipermen kerkohen hollësira rreth familjes dom Zef Çokut (Oroshit).

Dy vëllezërit e dom Zefit të quajturit Pren Gjok Prendi dhe Ndue Gjok Prendi (ky i fundit i vdekur), janë internuar qysh në vitin 1953, sebashku me nanën Dilën dhe motrën e tyre Luken, në qytetin e Lushnjës, ku vazhdojnë të qendrojnë edhe sot.

Një pjesë e familjes tyre ka banuar në lagjen Varosh të këtij rrethi deri në vitin 1957-1958, kohë në të cilën babai i tyre Preni i ka tërhequr në Lushnje, ku  mesa dimë neve ata vazhdojnë të punojnë në fermë.

Përsa i përket qendimit politik të familjes së dom Zefit si dhe korrespondencës, që mund të jetë zhvilluar në mes tyre, të kërkohet hollësira rrethit të Lushnjës dhe atij të Pukës, mbasi ashtu siç theksuam më sipër ata banojnë në këto dy rrethe.

Në një  tjetër dokument, me datim 19/5/1961 dhe titull: “Mbi pjestarët e e familjes së të arratisurit dom Zef Çokut” shkruhet: “Në katundin Kaftallë (Kërthpulë) të këtij rrethi, nga ku është dhe dom Zefi ka patur dhe ka aktualisht këta pjestarë të familjes:

1)      Prend Gjok Prendin (Çoku), vëllai i Zefit, vjeç 50. Në vitin 1953, është internuar në Lushnje, mbas arratisjes së dom Zefit, ku ndodhet dhe sot. Me vete Prendi qysh në fillim ka marrë gruan e tij dhe dy fëmijë të vegjël, ku i ka dhe tani. Mbi qendrimin e Prendit atje nuk dijmë gjë.

2)      Ndue Gjok Prendi (Çoku) vëllai i dom Zefit është arrestuar më 1953 dhe në vitin 1954 ka vdekur në burg.

3)      Drande Ndue Gjoka, gruaja e Ndue Gjokës dhe kunata e dom Zefit, burri i ka vdekur në burg. Kjo vet banon në katundin Kaftall (Kërthpulë), me qendrim politik indiferent. Ka me vete edhe një vajzë të vogël, vjeç 12.

4)      Gjok Prend Gjoka, djali i vëllait të dom Zefit (i Prendit), që është në internim, vjeç 25, me banim në katundin Kaftallë, punon puntorë në ndërmarrjen rruga Fushë-Arrësit. Me qendrim politik indiferent.

5)      Pjeter Prend Gjoka (Çoku) djali i vëllait të dom Zefit, vëllai i Gjokës, vjeç 23, banon në katundin Kaftallë, punon punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga Puke. Me qendrim politik indiferent.

Lidhur me këtë familje nuk kemi asgjë për të shënuar, mbasi nuk kanë ndonji aktivitet armiqesor, ndërsa për vëllain e dom Zefit që është i internuar në Lushnje, nuk dijmë ndonjë gjë. Gruaja dhe dy fëmijët që Prendi i ka me vete, nuk janë të internuar.”

Këto të dhëna janë nxjerrë nga Sigurimi i Shtetit, por kemi mbledhur të dhëna dhe nga familjarët e mons. Oroshit. Ku dëshmojnë se:

Gjok Prendi Baba i mons. dr. Zef Oroshit vdiq në vitin 1919 në moshë të re.

Dila Gjokë Prendi, e ema e monsinjorit, internohet në vitin 1952 në Tepelenë, Tiranë, Lushnje, ku dhe vdes në internim.

Prend Gjok Prendi, vëllai i madh i mons. Oroshit, arrestohet në vitin 1952, dënohet me 5 vite burg pastaj në internim. Ky quhet dënim i përjetshëm, duke mos pasur të drejtë civile, që të kthehet në shtëpinë e tij në Mirditë.

Ndue Gjok Prendi vellai i vogë mons. Oroshit (për të cilin mund të lexoni më poshtë), arrestohet në vitin 1952, ku qendron 1 vit në hetuesi në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës dhe vdes në moshën 32 vjeçare.

Pjetër Prendi, djali i vëllaut të monsinjorit. Internohet në vitin 1952. Tepelenë, Tiranë, Lushnje.

Gjon Prendi, djali vëllait të mons. Oroshit. Internohet në vitin 1952. Arrestohet me 12 maj 1966, për tentativë arratisje. Dënohet me 11 vjet burg politik. Kryen dënimin në burgun famkeq të Spaçit. Ai edhe sot vuan pasojat fizike të shkaktuar në burgun e tmerrshëm në fjalë, ndryshe Mat’hauzen dhe Aushvici shqiptar.

 

Vdekja në torturat më çnjerëzore të Ndue Gjok Prendit

Për brezin e sotshëm dhe ato që do të vjnë në tokën e Arbërit, është mirë që të zbardhim apo lemë deshmi historike origjinale mbi vdekjet çnjerëzore, në sallat dhe qelitë e ftohta të hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, të kohës së errët të diktatorit komunist Enver Hoxha.

Këtu do të flasim shkurtimisht, për antikomunistin Ndue Gjok Prendi, që ishte vëllai i vogël i mons. dr. Zef Oroshit, i cili, arrestohet në vitin 1952, ku qendron 1 vit në hetuesi në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit të Shkodrës. Këtu fatkeqsisht ai vdes në moshën 32 vjeçare, duke mos pasur mundësi fizike që t’i mbijetoj turturave shtazarake…

Me fitoren e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri në vitin 1991, njerëzit që kanë qenë në qelinë e burgut me të riun Ndue Gjok Prendi, tregojnë për torturat më ç’njerëzore, që kishin bërë ndaj tij kuadrot kryesorë të Ministrisë së Brendshme, Hetuesisë së Përgjithshme dhe Sigurimi i Shtetit në qytetin e Shkodrës (sot ky burg famkeq, sot ndodhet si pjesë e Kuvedit të Motrave Katolike, të cilat e kanë kthyer në shtepi muze, si dëshmi e historisë plot vuajtje dhe sakrifica sublime, ku kanë mbyllur sytë dhe kaluar në amshim shumë prelate dhe klerikë të tjerë, të Kishës Katolike në Shkodër dhe Shqipëri). Ndoi vdes nën tortura, duke mos mundur t’ju mbijetojë atyre.

Tortura të tjera të egra, janë përdorur vazhdimisht ndaj Ndue Gjokë Prendi. Ai është rrahur me dru, deri në shkaktimin e plagëve dhe humbjen e ndjenjave. Më vonë ndaj tij janë përdorur tortura klasike psikologjike të përgjithshme, të bëra vazhdimisht gjatë gjithë ditës në hetuesi nga oficerët e lartë të Sigurimit dhe ndihmësit e tyre xhelatë.

Bashkëvuajtësit e tij u kanë treguar me hollësi pjesëtarëve të familjes, disa nga torturat çnjerëzore, që iu bënë të riut 32 vjeçar Ndue Gjok Prendit, vëllait të vogël të mons. dr. Zef Oroshit.  Ata ishin: Rrahje me dru, shpim i mishit me tel të djegur, futja e kripës në mish, lënia në ujë të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, varje me kokëposhtë, shtrëngimi i gjinjve me pinca, maçoku në tumane (bernavekve), mbushja e gojës me kripë, futja e jashtëqitjes në gojë etj.

Qëllimi i këtyre torturave ndaj pjesëtarëve të familjes së meshtarit në Shqipëri, ishte për të frikësuar prelatin e shquar mons. dr. Zef Oroshin, që të ndal hovin e tij kundër Qeverisë dhe diktaturës komuniste në Shqipëri.

Dihet, se prelati shqiptar dr. Oroshi, ishte bërë një ndër liderët e rëndsishëm të komunitetit shqiptaro amerikan në SHBA dhe Europë. Ai kishte një aktivitet shumë të madh antikomunist në SHBA dhe në veçanti prelati bashkëpunonte ngushtë në Ëashington D.C, me disa senatorë dhe kongresmenë me peshë në Senatin dhe Kongresin Amerikan.

Duke mbetur brenda temës sonë theksojmë, se sipas dëshmive gojore nga ish të persekutuar, tregohet me hollësi llojet e torturave të përdorura gjatë regjimit komunist. Ajo ishte njësoj kudo nëpër qelitë e hetuesive, që ushtrohej sistematikisht nga Sigurimi Shtetit komunist në rrethana të ndryshme, dhunë dhe represioni fizik ndaj të denuarve politikë, gjatë viteve 1945-1991 në Shqipëri.

 

FATI I LUKES, MOTRES SË MONSINJOR ZEF OROSHIT

Luke Gjokë Prendi, lindi më 19 shkurt 1919 Kaftallë Mirditë. Ajo ishte motra e mons. dr Zef Oroshit, Prendit dhe Ndout. Me shugurimin e dom Zef Oroshit si meshtar, Lukja, edhe pse nuk ishte motër kishe, i shërbeu të vëllait në Ungrej ku ai shërbente..

Arratisja e tij do të kishte pasoja për familjen dhe të afërm të tjerë. Familja e dom Zefit u internua. Ndoi, i vëllai i dom Zefit, arrestohet e dërgohet në burgun e Shkodrës dhe vdes pas 11 muajve hetuesi. Burgut nuk do i shpëtonte as vëllai tjetër Prendi.

Anëtarët e tjerë të familjes, motra Luke dhe gruaja e Prendit me fëmijët, internohen fillimisht në Tiranë, Berat e Tepelenë, e në fund e mbyllin kalvarin e tyre në Plug të Lushnjes.

Lukja, teksa i shërbente dom Zefit, arriti të përvetësonte italishten dhe gjermanishten, njohuritë e gjuhës gjermane i hynë në punë në Tepelenë, ku aty u shoqërua dhe me dy motra nderi gjermane, duke qenë se njihte gjuhën, por Sigurimi i pikasi dhe i largoi dy motrat për në një tjetër kamp.

Lukja mbajti kontakte me të vëllain nëpërmjet letrave që ai i dërgonte me emrin e Ana Hajdarit, letërkëmbimi ishte i thjeshtë dhe vetëm për të ditur gjendjen shëndetësore.

Në kampin e Tepelenës, sipas tregimeve të Lukes, vdisnin çdo ditë njerëz. E vetmja gjë që e mbante gjallë shpresën ishte libri i vogël i uratës që nuk e lëshoi nga duart dhe e fshihte që të mos e shihnin rojet, ky libër shpëtoi bashkë me Luken.

Ajo ka treguar dhe një ngjarje kur Bardhok Biba vinte tek qela e dom Zefit në Ungrej dhe në biseda e sipër dom Zefi i ka thënë disa herë që të ndërronte drejtim e të mos merrej me komunizmin e Bardhok Biba thoshte: “Ne do hamë me lugë floriri, komunizmi nuk është diçka e keqe.”

Me rënien e komunizmit, Lukja kthehet nga internimi dhe strehë e vetme e saj ishin nipat të cilët e mbajtën derisa mbylli sytë në mars të 2007.

Një nga ngjarjet e dhimbshme ishte dhe vdekja e vëllait të madh Prendit në mes të viteve ‘80, ku dom Zef Oroshi hapi të pame (bëri pritje për ngushëllime) për të në SHBA, dhe ishte hera e parë që ai po u tregonte miqve se ndjehej borxhli ndaj të vëllait të madh pasi përpara arratisjes e kishte pyetur vëllanë a të ikte apo të rrinte, duke e ditur që do të ishte familja ajo që do vuante pasojat e arratisjes.

I vëllai kishte këmbëngulur që ai të ikte dhe të mos merzitej për ta e që veç ai të shpëtonte dhe ka marrë bekimin e tij. Dom Zefi e vuajti së tepërmi largësinë nga vendlindja, por dhe faktin se ata ishin të internuar.

Ky ishte kalvari i një familje të tërë që humbën pothuajse gjithçka përveç se dinjitetit, e çdo hap i tyre fals ishte garanci për burgosje apo internime. Familje me njollë në biografi që nuk iu hoq asnjëherë për aq kohë sa zgjati komunizmi në Shqipëri.

Njollosja e djeshme nga diktatura ishte damka që i shoqëroi në sytë e sistemit komunist, por ata sërisht e mbajtën kokën lartë pasi nga djepi i asaj familje kishte dal një meshtar që la gjurmët e tij në historiografinë shqiptare e kryesisht në atë të diasporës shqiptare në Amerikë.

Vuajtjet e familjes së tij i jepnin forcë mons.Oroshit për të mos u ndalur përballë armiqve apo pengesave që shfaqeshin, e për të punuar më fuqishëm me komunitetin shqiptar në SHBA, për të lënë shenjen e tij në historinë e Katolicizmit shqiptar.

Ai nuk reshti së ngrituri zërin kundër padrejtësive që bëheshin në Shqipëri në emër të komunizmit. Nuk reshti së demonstruari kapacitetin intelektual të tij, nuk reshti së shkruajturi, së botuari, së predikuari.

Meshët e tij kishin kryefjalë dhe kallzues vuajtjet e Shqipërisë dhe mënxyrën që kishte sjellë ai regjim famëkeq.

Dosja e Monsinjorit, është dëshmija e gjallë e frikës së një sistemi të tërë ndaj atij si individ, forcës së fjalës së tij si meshtar, aftësive të tij si intelektual, peshës së fjalës si mirditor, vendndodhjes së tij në tokën e demokracisë, ku kritikonte hapur çdo ndërmarrje antishqiptare të regjimit komunist, çdo vllavrasje, çdo vetvrasje, kritikonte hapur çdo akt mbytës së lirisë së shprehjes dhe lirisë së predikimit fetar që i bëhej ndaj feve në Shqipëri.

Nga Leonora Laçi

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »