Papa kryesoi meshën në Shën Pjetër në festën liturgjike të Virgjërës së Guadalupes: dëgjojmë zhurmën e luftës, por edhe kjo “është kohë e favorshme për shëlbim”. Virgjëra e Guadalupes është Nënë në mesin e popullit amerikan, identiteti i të cilit kërcënohet nga një paganizëm i egër dhe shfrytëzues dhe nga një ateizëm praktik dhe pragmatik, nënvizoi Papa Françesku
Shkoi tek lufta, tek vuajtja dhe tek padrejtësitë e shumta kudo në botë, mendimi i Papës Françesku, ndërsa dje pasdite kremtoi meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në festën liturgjike të Zojës së Guadalupes. Ashtu si pesë shekuj më parë, “në një çast të ndërlikuar për banorët e botës së re, Zoti deshi ta shndërronte trazirën, që ngjallte takimi ndërmjet dy botëve të ndryshme, në një kuptim të ri për jetën dhe dinjitetin, duke na dërguar Marinë – shpjegoi Ati i Shenjtë – edhe sot Zoti vazhdon ta dërgojë Nënën e Tij për të ngushëlluar e për të plotësuar nevojat e më të vegjëlve, pa përjashtuar askënd”.
Zoti e drejton historinë
Virgjëra që një ditë takoi Juan Diegon në kodrën e Tepejakut, ashtu si pas lajmërimit të Engjëllit të Tënzot, niset me nxitim për në botën tonë plot plagë, që ka nevojë për të: “Dëshiron të rrijë me ne, na lutet që ta lejojmë të jetë Nëna jonë dhe t’ia hapim jetën Birit të saj Jezus, ta pranojmë mesazhin e Tij që të mësojmë të duam si Ai. Vërtet, Zoti – theksoi Papa – e udhëheq historinë e njerëzimit çdo çast. Ai është Emanueli, Zoti-me-ne, ecën krah për krah me ne si vëlla e shok udhe. Është i afërt, njëri prej nesh, është si ne, me përjashtim të mëkatit.
Kërcënimet e paganizmit dhe të ateizmit
Zoja e Guadalupes, vijoi Françesku, e cila njihet nga popujt e Amerikës Latine si “Virgen Morenita” (Virgjëra e Zeshkët), iu duk disa herë Juan Diegos, një nga aztekët e parë të kthyer në krishterim, nga data 9 deri më 12 dhjetor 1531, në një kohë kur popujt amerikanë vuanin nga “varfëria, shfrytëzimi, kolonializmi shoqëroro-ekonomik dhe ai kulturor”. Edhe sot, “Ajo – vërejti Papa – është në mesin e karvanëve të liridashësve, që shkojnë drejt veriut, në mesin e popullit amerikan, identiteti i të cilit kërcënohet nga një paganizëm i egër dhe shfrytëzues, plagoset nga predikimi aktiv i një ateizmi praktik dhe pragmatik”.
“Këtë vit ne e kremtojmë Zojën e Guadalupes në një çast të vështirë për njerëzimin. Janë kohë të hidhura, plot zhurma lufte, me padrejtësi në rritje, zi buke, varfëri dhe vuajtje. Por, megjithëse ky horizont duket i zymtë, i turbullt, me paralajmërime për shkatërrime e shkretime edhe më të mëdha, dashuria dhe bindja ndaj Hyjit na thonë se edhe kjo është kohë e favorshme shëlbimi, në të cilën Zoti, përmes Virgjërës Mari, vazhdon të na dhurojë Birin e tij, i cili na kërkon të vëllazërohemi, të lëmë mënjanë egoizmin, indiferencën dhe antagonizmin, duke na ftuar të marrim përsipër ‘pa vonesë’ përgjegjësinë për njëri-tjetrin, të kujdesemi për vëllezërit dhe motrat tona të harruara e të flakura nga shoqëritë konsumiste dhe të çinteresuara”.
Drejt 500-vjetorit të Zojës së Guadalupes
Dje, në kontinentin amerikan, filloi Nëntëditëshi Ndërkontinental Guadalupan, udhë që përgatit kremtimin e 500-vjetorit të Zojës së Guadalupes, në vitin 2031. Ati i Shenjtë e ftoi Kishën në Amerikë të marrë pjesë në këtë rrugëtim, “duke rinovuar indin shoqëror dhe kishtar të këtyre popujve e bashkësive”.
“Ju lutem bëjeni këtë në frymën e vërtetë të Guadalupes. Më shqetësojnë propozimet ideologjike e kulturore të llojeve të ndryshme, që duan ta përvetësojnë takimin e popullit me Nënën e tij, që duan ta ‘çmetisojnë’ dhe t’i bëjnë makijazh Nënës. Ju lutem, mos lejoni që mesazhi të distilohet sipas mendësisë së kësaj bote e sipas ideologjive”.
/RV