Hierarkia Katolike e Shqipërisë ose e thënë më qartë, Elita Kulturore e Kombit Shqiptar para 127 viteve, fotografuar gjatë mbajtjes së Koncilit të III-të Shqiptar në Shkodër prej datës 19 Maj deri më 23 qershor të vitit 1895.
Fotografia e plotësuar me emrat përkates, duke nisur nga rreshti i parë ulur nga e majta në të djathtë:
1. Imzot Gabriel Neviani, Ipeshkëv i Zadrimës; 2. Imzot Julian Marsili, Ipeshkëv i Antigonës; 3. Imzot Pashk Trokshi, Arqipeshkëv i Shkupit; 4. Imzot Pashk (Pasquale) Guerrini, Arqipeshkëv i Shkodres; 5. Imzot Prenk Bardhi, (Primo Bianchi) Arqipeshkëv i Durrësit; 6. Imzot Nikollë Markoni, Ipeshkëv i Pultit; 7. Abat Prend Doci, Abat i Abacisë së Sh’Lleshdrit (Shën Aleksandrit në Mirditë. Dy të fundit në rreshtin e dytë janë përkatësisht Dom Lazer Mjeda me Dom Ndoc Mjedën. I treti në rreshtin e dytë në këmbë (gjithnjë duke nisur nga e majta) është Dom Nikollë Mazrreku, asokohe delegate nga Karadaku (Letnica), Kosova. Ndërsa në rreshtin e tretë, i dyti në këmbë është Dom Shtjefën Krasniqi delegat nga Prizreni.
E fillova artikullin përmbledhës me këtë polifoto “Elita Kulturore e Kombit Shqiptar” me qëllimin që lexuesi nëpërmjet saj të nxjerr sadopak në pah vlerat dhe kontributin e jashtzakonshëm të Klerit katolik shqiptar, ku njëri prej tyre është edhe Imzot Pashk Trokshi. Jashtë kufijve shtetërorë e në qarqet diplomatike është i njohur si Mons. Pasquale Troksi (= Trokši, rrallë Troxi, Trokshi, Trokthi…) apo Paskal Troksha (i përdorur kryesisht nga vendet sllavisht-folëse). Në vitin 1897, dy vjet pas mbajtjes së tij, materialet e këtij Konçili u publikuan në gjuhën latine nga Shtypshkronja e Kongregatës së Propaganda Fide.[1] Nga shfletimi i këtyre materialeve krijohet një pamje mjaft e qartë rreth punimeve dhe përmbajtjes së vendimeve të marra në funksion të veprimtarisë së Kishës në dioqezat shqiptare.[2]
Imzot Trokshi u lind më 2 Janar 1850 në Deblnisht të Laçit (në atë kohë Sanxhaku i Durrësit), djali i Jak Trokshi dhe Diella Vathi, një grua katolike nga Kurbin. Ai mbeti jetim në një moshë të re, dhe së bashku me vëllain e tij Hilën u transferuan në familjen e nënës së tij (familja Vathi, Laç, Kurbin). Dajët e Pashkut i dhuruan një copë toke pranë Gurëz në një kend fshati, në afërsi të Kishës së Shën Mhillit, ku edhe sot jetojnë pasardhësit e tij (familja Trokthi). Ai që i vogël ra në sy për shkathtësi, zgjuarsi dhe dëshirë e vullnet për të ndjekur rrugën e meshtarisë. Këto cilësi të Tij dolën më në pah gjatë Meshës Shenjtë (frekuentimi i rregulltë në Meshë dhe në aktivitete kulturore e kishtare), ku shumë shpejt ai fitoi simpatinë dhe respektin e Imzot Raffaele D’Ambrosio, i cili në atë kohë ishte Arqipeshkëv i Arqidioqezes së Durrësit. Imzot Raffaele duke parë këto cilësi dhe dëshirën e Pashkut për meshtar dhe pasi merr mendimin dhe bekimin e nënës së tij, dhe së bashku me dajën e tij, Pjetër Vathi, fillojnë t’a inkurajojnë, arsimojnë dhe mbeshtesin djaloshin në rrugën e meshtarisë.[3]
Studimet e para Pashku i mori në vendlindje, pra në Delbnisht të Laçit, për t’i vijuar me pas në Shkodër, ku edhe kreu studimet e mesme ne Kolegjin Papnor në Shkodër. Studimet e larta për filozofi dhe teologji i përfundoi në Romë. Shugurimin meshtarak e bën në vitin 1873 në Shkodër dhe emërohet në Arqipeshkvinë e Durrësit si sekretar i Mons. Raffaele D’Ambrosio. Krahas punës si Sekretar, Imzot Pashku, herë pas here mbante Meshë në Kishën “Zoja e Këshillit Të Mirë”, Gurëz, Kurbin. Kjo kishë u shugurua më 25 prill të vitit 1881 nga Imzot Raffaele D’Ambrosio dhe famullitari i saj i parë ishte pikërisht Dom Pashk Trokshi.
Për situatën dhe nevojën që kërkonte koha në Shkup dhe duke pasur parasysh aftësitë e tij, Arqipeshkvia e Durrësit propozon si kandidaturë të përshtatshme, meshtarin e Dioqezes së Durrësit, Don Pashk Trokshin, t’i propozojnë Selisë Shenjtë për Selinë Metropolitane të Shkupit, si pasues i Imzot Andrea Logorecit. Në Selinë arqipeshkvore të Shkupit kishin shërbyer ipeshkvinjë dhe arqipeshkvinjë me autoritet, si psh. Imzot Pjetër Mazreku, Imzot Andrea Bogdani, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, Imzot Mate Krasniqi, Imzot Dario Bucciarelli, Imzot Pjetër Bogdani… për t’u pasuar nga Imzot Lazër Mjeda, Imzot Nikë Prela.
Më 22 Dhjetor 1892, Papa Luani XIII, sipas Akteve Zyrtare të Selisë së Shenjtë: “Emrohet Arqipeshkëv i Ipeshkvisë së Shkupit zyrtarisht më 10 Janar 1893”. Sipas dëshirës së Imzot Pashkut, vendimi u shpall në prani të Elitës kishtare të asaj kohe në Kapelën e Seminarit Papnor në Shkodër dhe në nder të Tij u organizua një ceremoni e madhe festive. Më 10 Mars 1893, Imzot Trokshi u shugurua Arqipeshkëv, në Kishën e Jezuitëve në Shkodër nga Imzot Pasquale Guerini, në praninë e Arqipeshkvit të Durrësit, Raffaele D’Ambrosio dhe Abatit të Mirditës Prenk Doçit (njëri nga shqiptarët me më autoritet të asaj kohe).
Cilësitë e Tij si figurë poliedrike: teolog, diplomat, filozof, atdhetar, inkurajues e mbrojtës i Arsimit, dokeve e Gjuhes shqipe dhe i Krishtërimit në Shqiperi e në trevat shqiptare ne Maqedoni, Kosovë, Mal te Zi, Kroaci e më gjërë (si Arqipeshkëv i Patriarkanës së Kostandinopojës, Turqi).
Si inkurajues dhe mbrojtes të arsimit, Imzot Pashk Trokshin e gjejmë në shkrimet e studiuesit Albert Ramaj[4], Vjenë, Gusht 2000 “Informacione dhe dokumentacione sipas Arkivave të Austrisë sidomos atij shtetèror në Vjenë mbi vendin Stublla e Epreme dhe mbi Shkollën e këtij vendi – mësuesin e saj Don Mikel Tarabulluzi”, ku thekson se: “Është interesant se Argjipeshkvi Imzot Pashk Trokshi kërkon qysh më 1897 që 5 studentë nga ipeshkvia e tij Shkup-Prizren të vijojnë Seminarin (Shkollën e Mesme) dhe të studijojnë teologjinë diku në Austri.”[5] Pra me rëndësi ishte rihapja e Shkollës në Stubëll. Kjo Shkollë ishte hapur në shekullin e XVI (viti 1584)[6], sikurse shkruan Dhimitër S. Shuteriqi, që ishte në formë Kolegji, i rangut të Institutit të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Europë, e ku përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët. Kjo traditë e shkollës shqipe, e filluar që në vitin 1584, do të vazhdojë të përforcohet dhe të pasurohet veçanarisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kur në disa qendra të njohura të Kosovës si në Prizren, Pejë, Gjakovë, Zym, Janjevë e Stubëll, pranë Kishave Katolike, do të hapen dhe rihapen shkolla shqipe, duke u bërë kështu njëkohësisht edhe qendra jo vetëm të arsimit dhe edukimit, por edhe të lëvizjes sonë kombëtare. [7]
Edhe studiuesi Thomas Frasheri në revistën “Shqipëria e Shenjtë” nxjerr në pah lidhjen e fortë të klerit katolik shqipëtar me Perëndimin, ku Imzot Pashk Trokshi, arqipeshkëv metropolitan i Shkup-Prizrenit (1893-1906) mbështeti formimin e të rinjve shqiptarë në gjuhë shqipe dhe ndihmoi shumë per t’u arsimuar në Universitetet më të mira austriake, si për shembull Refat Begollin, Dom Mikel Tarabulluzin, Dom Gjon Shllakun, Gasper Gashin, etj. … vlera e madhe arsimdashëse dhe atdhetare pa dallim feje, krahine dhe ideje e Imzot Trokshit del në pah me këtë mbështetje dhe ndihmë për arsimim jo vetëm për të krishterët por edhe për muslimanët (Refat Begollin) edhe pse ky ishte një klerik i fesë katolike.
Në Letrat e At Gjeçovit, Pashk Trokshin e gjejmë të rreshtuar me personalitete të hierarkisë kishtare (Pal Dodaj, Ernest Koçi, etj ), me figurat historike kombëtare (Ismail Qemalit, Bajram Currit, Preng Bib Dodës, Prend Doçit, Mit’hat Frashërit, Luigj Bumqit, Nikoll Kaçorri, Ahmet Dakli…etj) dhe figurat e shquara të kulturës e artit (Gjergj Fishta, Aleksandër Xhuvani, Zef Skiroi, Faik Konica, etj… dhe jo rastësisht Selia e Shenjtë për ipeshkëv dhe arqipeshkëv të Kishës katolike shqiptare gjithmonë ka emruar shqiptarë shume të arsimuar dhe me autoritet të madh siç ishin Pjeter Mazreku, Andre e Pjeter Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Mate Krasniqi, Pashk Trokshi, Lazer Mjeda, Andre Logoraci, etj. Këta Pishtare të Dritës së Ungjillit, të arsimit kombëtar dhe të kulturës, ndonëse në rrethana të vështira e ndër rreziqe të shumta, kanë shërbyer, sic do të shprehej edhe F. S. Noli për t`i lidhur shqiptarët, për t`i bashkuar ata me Perëndimin, ndërsa për keto figura edhe Çabej do të shprehej: -”.. për kohën në te cilën jetuan, atdhe, gjuhë e besim ishin trinom i pandarë.”
Si diplomat, Imzot Trokshin e hasim në korespondencat, bashkpunimin dhe përpjekjet e pa fundme (prej një atdhetari të shquar) me personalitet kishtare në Ballkan, Vjenë, Vatikan, etj si edhe me figurat më të shquara të kohës si Ministrinë e Jashtme Italiane që me vonë bëhet edhe Presidenti italian Tommaso Tittoni); (Perandorin Austro-Hungarez, Franz Jozef e I-rë… etj).
Në Konkatedralen e Zojës Ndihmëtare të qytetit te Prizrenit:.. një pllakë e shkruar në shqip nga Perandori i Austro-Hungarisë Franc Jozefi. Pllaka eshte vendosur në organo, të cilën ky perandor ia dhuron (dhurata është bërë në vitin 1897, kur arkipeshkëv ishte shqiptari Pashk Trokshi) kishës shqiptare për të shoqëruar këngët kishtare… Organo, në pjesën e poshtme të kapakut të tastierës, mbart pllakën ku Perandori i Austro-Hungarisë, Franc Jozefi, bën dedikimin e tij për Kishën Katedrale të Prizrenit. Dedikimi është bërë në gjuhën shqipe, mbi një pllakë bronzi, të gdhendur me dorë, në një tekst me nëntë reshta, me shkronja kapitale, të tre madhësive. Reshtin i tretë, ka përmasa më të mëdha të shkronjave, dhe kjo për të nxjerrë në pah Franc Jozefin, Perandorin e Austro-Hungarisë, përkrahësin e arsimit dhe kulturës shqiptare, mbrojtës të krishterimit në Shqipëri.
Në librin “Kujtime të një jete së kalueme”, shkruar nga Dom Ndoc Nika, gjejmë të pasqyruar pjesmarrjen dhe kontributin e Tij të madh për krijmin e Alfabetit Latin të Gjuhës Shqipe… “Në mbledhjet e Bashkimit, puna kryekreje kje sajimi i nji alfabeti të përgjithëshem, qi se i cilli shkrimtar të kishte nji pasqyrë per me u unjisue me tjerët. U muer per parim alfabeti fjesht latin, me germat latine e, tue kenë se gjuha shqype ka disa tingllime të veçanta qi nuk mund shprehen me ato germa, u muer para sysh me dyfishue germat ma të pershtatëshmet qi t’i afroheshin tingllit të nevojitun. U muer per bazë alfabeti i perdorun nga atëdhetari Faik Konitza në të perkohëshmen e vet “Albania” e Brukselit, edhe u bane pak ndryshime, qi u dukne ma të pershatëshme. Mbasi kje pranue në mbledhjen e pergjithëshme e mbeten të gjith të kënaqun per perfundimin e marrun n’at rasë per punen kryesore, u caktuene disa punime per se cillin prej pjestarve, qi të pregatiteshin per shtyp. Abetari, libri i këndimeve, katekizmi, numertorja, fialori, qi ishin ma të nevojitunit per msojtoret, të gjitha në nji alfabet. Une kishem fletoren me të cillen bashem ma të madhin reklam t’atij alfabeti. Nder pjestarët dikush ishte ma puntuer dikush ma i plozhët e dikush edhe nuk pat shkrue as fare. Puna ma e madhja e ma e randa kje fjalori. Atê e muer mbi veti Dom Dodë Koleci në bashkim me mue e me Dom Mark Shllakun.Un me gjith se kishem shkrime tjera neper dorë, ju perkraha shum Dom Dodë Kolecit, por aj bani pjesen ma të madhen e fjalorit. Unë, nji të treten e Dom Mark Shllaku nja kater a pesë germa. Shkrimet tona n’at pikë ishin me i lehtsue Dom Dodës mundin. Ia çueme, prandej, shkresat qi aj i rregulloj per shtyp….”[8]
Kryekëput ishte alfabeti latin
“Qëllimi e programi i Shoqnís “Bashkimi” ishte perhapja e giuhës së shkrueme, të forcueme me botime të shumta. Permirsimet, dlirsimet, perfecionimet e zbukurimet do të vijshin ma vonë, kur njerëz të kulturuem të degës perkatse do të mujshin me pasë landë të mjaftueshme, të lanun prej të parve, per me e shqyrtue, me e rritë e me i dhanë trajtat perkatëse e të pershtatëshme.
U mblodhne në Shkoder Argjipeshkvi i Prezrendit Pashko Trokshi; Argjipeshkvi i Durrsit, Prend Bianki; Ipeshkvi i Zadrimës, Lazer Mjeda; Ipeshkvi i Pultit, Nikolla Markoni; Argjipeshkvi i Shkoders, Pashko Guerini [9] e, natyrisht, Abati i Mirditës, Prenk Doçi me shoqnín “Bashkimi. Për shka? Me rrahë punen e alfabetit, gadi si të ishte çashtje feje!…
…U kerkuene arsyetime dhe, pikë së pari, Shoqnija Bashkimi spjegoi se alfabeti nuk ishte nji gja lokale e krahinore, ishte nji gja e pergjithëshme e të gjith Shqypnís dhe e të gjith shqyptarve. E dyta, Shoqnia Bashkimi luftonte per alfabetin latin, e thjesht latin, e prandej per kahë ana e saj nuk interesohej per bashkimin e dy germave në se ishte e pershtatëshme njana a tjetra. Po të pranohej parimi i Shoqnís, për të tjera ishte dakord. Nuk u mbërrijt n’asnji marrëveshje. Ishte gja e parapame…Me aq Shoqnia Bashkimi vazhdoi nder shkrimet e botimet e veta… U shtyna tek giatë në diftesen e këtyne ngjarieve prej se kjene sende ku une merrshem pjesë e edhe per pershtypjet qi më patne lanë. Historín e këtyne ndodhjeve e kam pasë shkrue imtish, mbas mbledhjeve t’Ipeshkvive edhe doshem me e botue, por më pat ndalue Imzot Abat Doçi… Shoqnija Bashkimi nuk kishte kurrnji përfitim tjetër veçse përhapjen e botimeve në giuhen shqyp, dhe prej se ishte shoqni letrare patriotike, në një mbledhje vendoj me pregaditë shkrime të fymëzueme me shpirtin patriotik, tue ndejë në pritje qi të merrte fuqi të pergjithshme njani prej alfabeteve të ndjekun prej shkrimtarëve të asjë kohë. Ishin alfabeti i vjetër i Shkodrës, Alfabeti i Naim Frashërit, Alfabeti i Stambollës, Alfabeti i Faik Konicës, Alfabeti i Bashkimit dhe ai i Agimit….
Në mbledhjen e Manastirit nga ana e Bashki, shkoj vetë. Aty u paraqitne alfabetet e ndryshme. Per parim u muer alfabeti latin; per germat e nevojituna per shprehiet e fjalve shqype u pranue dyfishimi i germave sikur e pat alfabeti i Bashkimit dhe i Faik Konicës tue ba ndonji ndryshim si në ç dhe në ë. Me at Kongres Alfabeti shqyp muer njyeren e pergjithsis e pjestarët e shoqnís Bashkimi vazhduene me e perdorë nder botimet e tyne…”
Gjatë periudhës (1899-1900), Ipeshkvit Trokshi iu krijuan disa mosmarrëveshje me qeverinë austriake, gjë e cila u bë shkak që Kongregata e Propagandës ta largojë prej aty në fillim në Vjenë e më pas në Romë, ndërsa besimtarët refuzuan pjesëmarrjen e tyre në Meshë për shkak të mungeses se Tij, pra derisa Arqipeshkvi (Imzot Trokshi) të kthehej. Revista “Albania“ e Faik Konicës në Bruksel, në një shkrim të shkurtër në shqip dhe më të zgjeruar në frëngjisht, të shkruar megjasë nga vetë Faik Konica në vitin 1898, e merr në mbrojtje Imzot Trokshin prej disa kritikave që i ishin bërë në gazetën italo-shqiptare të arbëreshëve „ La Nazione Albanese (Viti II/1897, nr. 20, f. 2-5), botuar në Napoli, lidhur me disa mosmarreveshje që arqipeshkvit Troksi i kishin dalë në Prizren.
Ja si shkruan Konica: “Gazetat e vetequajtuara shqipetaret’Italise zune e po e shajne Imzotin Troksi, kryeipeshkpvin e Prizdrenit duke thene sikur Madhesia e Tij eshte zihur megithe prifterin e vendit per ghepura; edhe ato gazeta e levdojne teper Imzotin Troksi per kete zihje. Po kush nuke e merr vesh se keto levdime armiqesh jane te shara? Qelhimi i gazetareve italiane eshte te prishin ne mes tone ate bashkimin e vogel qe kemi. Kemi shprese se Madhesia e tij Imzot Kryeipeshkovi u ka per te kelhatuar gojen italianeve se nuke ka nevoje te mprohet prej franmasoneve italiane, meqe jane ne mije vendet e tjera ku munt te thote ne ka gehe e ç’ka per te thene.“ Shih: „Imzot Troksi e Franmasonetitaliane ne Shqiperi“. [10]
Kontributin për trevën e Kurbinit për periudhën 1903-1912 (kryengritja e Kurbinit) dhe jo vetëm të Imzot Pashk Trokshit e gjejmë në arkivat e Vatikanit, Stambollit, Vjenës… «Paskal Troksha, Arqipeshkvi i Shkupit të vilajetit të Kosovës me anë të dy letrave që i dërgon Dom Nikoll Kaçorri në atë kohë mori informacione të hollësishme për veprimet e dhunshme që kishte ndërmarrë Shefqet Beu, komandanti i forcave osmane. Arqipeshkvi Trokshi reagoi me tone të ashpra pranë Konsullatës Austro-Hungareze të Prizrenit, ku ai me anë të një letre që mban datën 5 Janar 1907 i shkruante : « Tani, këto ditë kam marrë dy letra nga vendlindja ime, ku më tregojnë të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Kurbin, siç janë në dijeni të gjitha ambasadat europiane. Letra e parë nisej nga Durrësi me 10 Dhjetor 1906 nga Imzot Kaçorri (nëpërmjet pronoterit apostolik), i cili më thotë se në shtëpinë Tuaj ushtarët kanë bërë kërdinë mbi gjithçka Letra tjetër që mban datën 11 Nëntor 1906, të cilën ma dërgoi me një njeri të veçantë (At Gjinin), ditën e Vitit të Ri më shkruante se Shefqet Beu me tradhtarët e tij të egër, përveçse shkatërronte e plaçkiste , por vodhi orenditë e deri djathin e gjalpin. Në shtëpitë tuaja kanë mbetur vetëm katër faqet e mureve »…. dy letra të marra nga Prof. Aurel Plasari në ditën (19 Nëntor 2012) e ardhjes së shpatës dhe përkrenares së Skëndërbeut (origjinalet) në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë…[11]
Shkollat e para shqipe në Kosovë
Në shkrimet e studiuesve Gazmend Shpuza[12] dhe të Engjëll Koliqit[13] “Sot e 428 vjet më parë hapen shkollat e parë shqipe në Kosovë”, gjendet i pasqyruar edhe aktiviteti patriotik dhe kontributi i madh i Imzot Pashk Trokshit në luftën e Kaçanikut dhe Lidhjen e Prizrenit e më vonë në shpalljen e Pavarësisë. Koliqi[14] në shkrimin e Tij tek “Lecco, 17 Maj 2005” ndër të tjera shkruan:- “Stublla e Karadakut sivjet kremton një jubile të madh, 100-Vjetorin e themelimit të Famullisë dhe të legalizimit të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Dom Mikel Tarabuluzi, patriot nga Prizreni, sapo kishte marrë Urdhërin e meshtarisë, ishte emëruar famullitar i Letnicës, që në qarqet kishtare njihej si famullia e Malit të Zi të Shkupit (Montenegro di Scopia). Meqë Dom Mikeli, menjëherë ishte lidhur me liderët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim nga pushtuesit osmanlli dhe për faktin se në Letnicë më lehtë dhe më shpesh mbërrinin elementë nga hordhitë pushtuese, Ai më shumë rrinte në Stubëll (në famullinë e Letnicës asokohe ishin edhe fshatërat: Stubëll, Binçë, Shashar, Vërnakollë, Terziaj dhe Dunav). Në marrëveshje edhe me liderët e kombit në rajon e sidomos me Idriz Seferin, Dom Mikeli u stacionua në Stubëll, përfundimisht në vitin 1896, kur stubllanët ia falën truallin rrëzë Stubllavaqës dhe e ndërtuan kishën, ku Ai, njëkohësisht, zhvillonte ceremonitë fetare dhe mësimet në shkollë, që menjëherë e kishte hapur, në lokalet e kishës. Të gjitha këto Ai i kishte bërë me leje të ipeshkëvit dhe të të gjitha qarqeve kishtare, deri në Vatikan. Duke parë rreziqe që i kanoseshin Dom Mikelit dhe kishës në Stubëll, Vatikani vuri në lëvizje qarqet diplomatike të fuqive të kohës (Francës, Italisë dhe Austro-Hungarisë), të cilat ia imponuan Portës së Lartë në Stamboll, që ta njohë legale Kishën e Stubllës dhe Shkollen Shqipe, që funksiononte në gjiun e saj. Kështu pra, në prag të pranverës së vitit 1905, ipeshkëvi i Shkupit Imzot Pashk Trokshi, nënshkroi Dekretin për themelimin e Famullisë së Stubllës dhe për emërimin famullitar të Dom Mikel Tarabulluzit (1868-1933).”[15].
Dom Mikel Tarabulluzi hapi Shkollën e parë legale shqipe në Stubëll, duke qenë ai vetë mësuesi i saj, shkollë e cila u njoh zyrtarisht nga Perandoria Austro-Hungareze. Kjo pati efekt ndikues, në fakt në këtë kohë u hapen edhe Shkolla shqipe tjera, si në Gjakovë, Pejë, Ferizaj e Zllakuqan. Imzot Pashk Trokshi ka dhënë edhe një kontribut të madh tërthortë gjithashtu edhe në lëvizjen atdhetare shqiptare në prag të shpalljes së Pavarësisë. Personaliteti dhe figura e tij del më së miri në pah edhe nëpërmjet letërkëmbimit të tij me At Shtjefën Gjeçovin, At Pal Dodaj, At Gjergj Fishtën, At Ernesto Cozzi, Ismail Qemali, Bajram Curri, Preng Bib Doda, Prend Doçin, Mit’hat Frashëri, Luigj Bumçin, Dom Nikolë Kaçorri, Ahmet Dakli, Aleksandër Xhuvani, Zef Skiroi, Faik Konicën… etj.
Zyra famullitare në Stubëll, që në fillim ishte pothuajse edhe shtab dhe seli e liderëve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim nga pushtuesit. Aty ishin të përditshëm patriotët e Karadakut: Idriz Seferi, Munish Vërnakolla, Maliq Vërnakolla, Jak Munishi, Perë Simani, Engjell Koliqi, Jozë Ballabani, Gjon Koliqi, Gjon Andrea (Ramaj) e shumë të tjerë. Aty u përgatit edhe plani i Luftës së Kaçanikut, luftë kjo që i priu Lëvizjes Mbarëkombëtare, dhe që u zgjerua menjëherë në Malësinë e Shkodrës e në mbarë Shqipërinë, deri në Vlorë, ku përfundimisht, më 28 Nëntor 1912 u ngrit Flamuri i Lirisë dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë.
Deri më 29 Prill 1908 shërbeu si Arqipeshkv i Ipeshkivisë Shkup-Prizren dhe për aftësitë dhe kontributin e madh në arsim e kulture, i ngjit shume shpejt shkallët e hirearkisë fetare, ku me Vendim të Kongregatës së Propagandës u emrua Arqipeshkëv i Dioqezës së Nakoleas (Patriarkana e Kostandinopojës), Turqi. Shërbeu në këtë post deri me 29.07.1917 (data e vdekjes). [16]
Si personalitet i hirearkisë kishtare, eshtrat e Tij prehen në Varrezat e Kishës së Shën Pjetrit në Vatikan, Itali. [17]
Pashk Trokshit, shkroi poezinë me titull:”Fali Zoti “Jesu Krisht”
Fali Zoti “Jesu Krisht”
(Kangë kushtuar Imzot Pashk Trokshit)
Në Sanxhak të Durrësit, në Delbnisht
Fali Zoti “Jesu Krisht”
Nji djalë të shkathët e mendar
Me kry shkollë, me u bë meshtar
Prifti i Durrësit nalt po shkon
Arqipeshkv, Shkupi po e don
Imzot Trokshkin në Shkup-Prizren
Për shkollim syni s’po i flen
Pesë shqiptarë ka çue në Austri
Me studjue për teologji,
I ka zgjedh me fort kushtim
Për Atdhe, Gjuhë e Besim
Flet Gjeçovi e Ismail Qemali
Theofan Noli e Vatikani
Si e përhapi ndër shqiptarë
Atë trinom të artë krenarr
Arqipeshkvi atë fjalë të shenjtë
E përhapte me të shpejtë
Gjuhë, besim e atdhe së pari
Asht trinom i çdo shqiptarit
Thotë “Albania” në Bruksel
Derën Kishës kush s’ia çel
Kush pret fjalën për meshtarë
Ka lanë Zotin pa bestarë
Imzot Trokshi djalë Kurbini
Kishte zemrën prej florini
Amanet kishte prej të Parëve
Me hap Biblën në sy të shqiptarëve
Në Shkup-Prizren kishë katolike
Në Stubëll nxiti Shkollën shqipe
Në Kaçanik Idriz Seferi
Ja rrok dorën si vëlla nderi
Si vëlla gjaku e pret shkupiani
Në shqiptari i ka shkue zani
-Permbi fe ka nji dashni
Që e ka emnin Shqiptari
Imzot Trokshi e mbyll jetën
Atdhetar që s’e then Besën
Në Kurbnin e rriten kreshtat
Në Vatikan i pushojnë eshtrat
(Gjokë Beci, mars 2013)
Referencë:
Gasper Gjini, Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj, Prizren 2011.
Robert Elsie, Fjalori historik i Shqipërisë, Uegen, Tirana 2011.
Selver Islamaj (përg.), Letërkëmbimet e panjohura të Faik Bej Konicës 1897-1900 Vëllimi I, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2020.
Gjush Sheldija, Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës e dioqezat sufragane (shënime historike) (Das Metropolitanerzbistum Shkodra und die Suffragandiözesen (historische Anmerkungen)); Shkodra, 1999.
Skender Asani ‐ Albert Ramaj ‐ Natasha Didenko, Familjet katolike shqiptare në Shkup (dokumente, fotografi dhe dëshmi), Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve & Acta non Verba, Shkup, 2018.
Ritzler et Seferin: Hierarchia Catholica, vol. VIII, 1978, p 505: *2. Jänner 1850.
Dall’Archivio Segreto Vaticano. Miscellanea di testi, saggi e inventari. Vol. 3, 01/2009.
Thede Kahl, Izer Maksuti, Albert Ramaj (Hg.), Die Albaner in der Republik Makedonien – Fakten, Analysen, Meinungen zur interethnischen Koexistenz, Wiener Osteuropa Studien, LIT 2006.
Farlatus D. – Coletus I., Illyricum Sacrum, 8 vol, Venetiis, 1751-1819.
Shuteriqi Dh., Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Prishtinë 1978.
Valentini G., $Contributi alla Cronologia Albanese, II, Roma 1944.
Monumenta Germaniae, Historica AA XI , 1, Berolini 1893; Farlati, VIII, 67, 77, 160.
Ndoc Nikaj, Historia e Shcypniis (English: History of Albania), Kessinger Publishing, Brussels, 1902.
Kastriot Marku, Imzot Pashk Trokshi, Arqipeshk, Arqipeshkëv i Shkupit (1850-1917), Gazeta 55, Tiranë, 2014.
Gazmend Shpuza, Në prag të pavarësisë, Eagle Press, New York 1999.
_____
[1] Concilium Albanum Tertium Provinciale sive Nationale habitum anno MDCCCXCV, Leone XIII Pontifice Maximo, Romae ex Typographia Polyglotta, S.C. De Propaganda Fide 1897, pp. 60.
[2] Kastriot Marku, Konçili i Tretë Shqiptar (Concilium Albanum Tertium (1895), Kumbona e së Diellës, Shkodër 2015, fq. 17-19.
[3] Ritzler et Seferin: Hierarchia Catholica, vol. VIII, 1978, f. 505.
[4] Shih Thede Kahl, Izer Maksuti, Albert Ramaj (Hg.), Die Albaner in der Republik Makedonien – Fakten, Analysen, Meinungen zur interethnischen Koexistenz, Wiener Osteuropa Studien, LIT 2006, f. 52.
[5] Der Erzbischof von Skopje, Pashk Trokshi, wollte im Jahre 1897 fünf Studenten nach Österreich schicken (Mission Albanien 1871-1911, HHStA F27/K, Albanische Seminaristen in Innsbruck); HAUS-HOF-und SAATSARCHIV, Administrative Registratur (shkurtmisht shënohet edhe HHStA A.R.), F 27/K. 49, Mission Albanien 1871-1911, Albanische Seminaristen in Innsbruck.
[6] Dhimitër S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, Naim Frashëri, Tiranë 1987, fq. 92.
[7] Kastriot Marku, Imzot Pashk Trokshi, aripeshkëv i Shkupit (1850-1917), Gazeta 55, Tiranë 2012, f. 6.
[8] Dom Ndoc Nika, Kujtime të një jete së kalueme, Plejad, Tiranë, 2003, faqe 172-176.
[9] Gjush Sheldija, Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës dhe Dioqezat Sufragane II (shënime historike), Shkodër 1957-58; Fjala e Shkodrës, nr. 6, shtator, Shkodër 1999.
[10] Në revistën Albania, Vol. B, II/1898, Nr. 9, (XXI), f. 138. Shih po aty: „La rédaction de l‘“Albania“: Monsueigneur et les francmaçonsitaliens“. Bol. B, II/1898, Nr. 9 (XXI), f. 146-147).
[11] HHSTA, PA, A. Raport i Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë dhe Konsullatës së Përgjithshme të Vjenës në Prizren.-Vjenë, dt.18 shkurt 1907.
[12] Gazmend Shpuza, Në prag të pavarësisë, Eagle Press, New York 1999, fq. 7 e 183.
[13] Engjëll Koliqi, Stublla e Karadakut-vatër e parë e arsimit dhe shkollës shqiptare në Kosovë, Bota e re, 15 shkurt 1984, fq. 19.
[14] Engjëll Koliqi, Stublla po bëhet një tempull i arsimit dhe i kulturës sonë kombëtare, Bota sot, 26 gusht 2001, fq. 28.
[15] Shih Xheladin Rexhepi – reporteri RTV TEMA, ka pasqyruar më shumë hollësi për Shkollën e parë legale shqipe në Kosovë https://www.youtube.com/watch?v=KA0wYgYProw ose IN PERSON_SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KOSOVË_RTV TEMA_HD).
[16] Hierarchia Catholica medii [et recentioris] aevi: sive Summorum pontificum, S. R. E. cardina ecclesiarum antistitum series, e documentis tabularii praesertim Vaticani collecta, digesta, e latinici, 8 (1846-1903), Patavii: “Il Messaggero di S. Antonio”, fq. 505, OCLC 799226111.
[17] Hierarchia Catholicae, Volumen octavum (1846-1903), f. 505.