Meditime

Frank Shkreli: Ka ardhur koha ta kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën

Kryeministri Albin Kurti: “Ka ardhur koha ta kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”

Nga Frank Shkreli

At Gjergj Fishta, Albin Kurti dhe Dom Mikeli. Kush janë dhe çfarë kanë të përbashkët këta tre burra shqiptarë?  At Gjergj Fishta, Frati i maleve, Politikani dhe Poeti i madh i Kombit shqiptar, Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, një politikan ndryshe i një brezi të ri udhëheqsish shqiptarë. Të dy janë, emra të njohur të botës shqiptare — ndonëse i përkasin periudhave të ndryshme të historisë kombëtare dhe Dom Mikel Tarabulluzi, kleriku katolik dhe mësuesi, i cili në vitin 1905 hapi shkollën e parë shqipe në Kosovë.  Këta tre burra të Kombit u “bashkuan” në “Takimet e Dom Mikelit”, të shtunën me 18 shtator në Stubëll të Vitisë, në Kosovë, njëri prej fshatrave më të vjetër të Dardanisë.
Stublla, sipas studiuesit vendas Engjëll Koliqi, është e njohur në historinë e asaj zone si një vatër dhe qendër lëvizjesh kombëtare për çlirimin e trojeve shqiptare nga zgjedha shumëshekullore e perandorisë osmane. SOT JEMI GJITHE ME TY, O KOSOVE! (arbitalia.it)  Ai shkruan në linkun e bashkangjitur se në Stubllën krenare është përgatitur edhe plani operativ i Luftës së Kaçanikut të vitit 1910, që shënoi fillimin e Kryengritjes mbarëkombëtare, për liri. “Siç shpreheshin nxënësit e Dom Mikel Mësues Tarabulluzi-t, që i kam takuar sa ishin të gjallë, (Shkollën e Dom Mikelit) shpesh e vizitonin patriotë të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe udhëheqës të Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar. Për këtë, në intervistën e zhvilluar më 13 shkurt 1984, njëri nga ata – Tade Ballabani, ndër të tjera ka thenë: “Ma së shumti më kanë mbetë në kujtesë Imzot Lazër Mjeda dhe Idriz Beu (Idriz Seferi – E.K.), të cilët shpesh ardhshin me dom Mikelin me na vizitue edhe na mbajshin fjalime për përparimin e luftës dhe për fundin e pushtuesve turqë”.
Siç tregojnë plot fakte historike, por siç më tregonte edhe Lokja Ime (kushërië nga nëna me Idriz Seferin), Idriz Beu, me Engj Pal Koliqi-n, Joz Ballabani-n, Jak Munishi-n e Martin Gjergji-n kishin qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Dom Mikelit dhe që të pesët bashkë e kishin hartuar planin operativ të Luftës së Kaçanikut, të vitit 1910, që ishte praktikisht fillimi i Kryengritjes Mbarëkombëtare për çlirimin definitiv nga zgjedha pesëshekullore otomane. Sapo kishin mbaruar planin, ishin marrë vesh me Isë Boletinin, i kishin mbledhur trimat vullnetarë të Karadakut e të Luginës së Moravës dhe ishin nisur drejt Stagovës, ku ishin bashkuar me njësitë që Boletini i kish sjellur nga Carraleva. Me kushtrimin e fortë për liri, ishin futur në Grykën e Kaçanikut, ku kishin dërmuar hordhitë e tërbuara të Turgut Pashës. Kjo betejë e fituar e nisi serinë e fitoreve të njëpasnjëshme mbi turqit, deri në çlirimin definitiv të Shqipërisë”, shkruan studiuesi Engjëll Koliqi.
“Takimet e Dom Mikelit” është një manifestim i përvitshëm letrar, kulturor e shkencor, që organizohet tash 32 vjet me radhë, një aktivitet përkujtimor për At Mikel Turbulluzin, klerikun e Kishës Katolike Shqiptare, mësuesin dhe themeluesin e shkollës së parë shqipe në Kosovë. Është pra një takim vjetor që kujton veprimtarinë patriotike dhe kulturore të Dom Mikelit në fillim të shekullit të kaluar, por është gjithashtu edhe një kujtim-imitim i takimeve të periudhës së tij, siç shkruan edhe studiuesi vendas Engjëll Koliqi, të patriotëve shqiptarë më të njohur të kohës, të cilët takoheshin aty në Stubëll për të hartuar planet dhe strategjitë për çlirimin e trojeve shqiptare nga otomanët.
Sivjet, “Takimeve të Dom Mikelit” në Stubëll të Kosovës, përveç udhëheqësve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë dhe udhëheqësve të administratës së qeverisë vendore, u është bashkuar edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, me qëllim, që përveç Dom Mikelit, “Të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”, ka thenë i pari i qeverisë së Republikës së Kosovës, në fillim të fjalimit të tij me atë rast.
Kryeministri Kurti në “Takimet e Dom Mikelit” është shprehur se, “Fishta është politika e poemës në gjuhë.  Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”, është shprehur Albin Kurti.
“Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes veti në çdo çast”, ka thenë udhdëheqsi i qeverisë së Republikës së Kosovës.
Duke e rikujtuar Fishtën si politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, i cili i ftonte shqiptarët në një projekt të përbashkët, përtej fesë, (“Kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, Fishta), Kryeministri Kurti theksoi se Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë.
Të “Kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën” ishin fjalët e Kryeministrit të Kosovës, Z.Albin Kurti. Sa bukur tingëlloinë këto fjalë nga një Kryeministër shqiptar, po të marrim parasysh së në Shqipëri At Gjergj Fishta ende konsiderohet si një figurë e pa dëshiruar, si nga politika ashtu edhe nga akademia dhe shkenca. Presim dhe shpresojmë që në një ditë jo shumë të largët edhe Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama të deklarojë, publikisht, se mbas 30-vjet post komunizëm ka ardhur koha që edhe matanë të kufirit shqiptaro-shqiptar, të “Kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”, sepse siç është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, javën që kaloi në “Takimet e Dom Mikelit” në Stubëll të Kosovës, “Fishta është politika e poemës në gjuhë.  Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar”, është shprehur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti.

PRIFTI I MISIONIT

Misionari: Don Marjan Demaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08

Translate »