Meditime

Mons Lush Gjergji: Ngjallja e Krishtit në jetën tonë

Ngjallja e Krishtit në jetën tonë – Pashkët 2020

Nga Mons. Lush Gjergji

Leximi i parë: Vap 10, 34. 39-43
Pjetri, tashmë i ndërruar dhe frymëzuar nga ngjallja e Jezu Krishtit, si dhe nga përvoja e hidhët e mohimit, por i trimëruar nga mëshira dhe falja, mori fjalën në emër të të gjithë apostujve, me guxim, vendosmëri dhe lumturi duke dëshmuar kështu: “Ne jemi dëshmitarë për të gjitha që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem” (Vap 10, 39).

Kjo ishte përvoja e tij me Jezusin, si dhe e apostujve, nxënësve dhe një pjese të popullit, që e kishin parë, dëgjuar dhe përcjellë për së afërmi gjatë veprimtarisë së tij botore.
Kryepriftërnjët, farisenjtë dhe armiqtë tjerë të Jezusit, kishin vendosur me çdo kusht ta vrisnin, sepse i shqetësonte, u prishte planet e manipulimit me popull, u shkatërronte privilegjet, duke rrënuar popullaritetin dhe besimin e tyre në popull. Ata nuk ishin më të aftë dhe të hapur për shqyrtim, se kush ishte Jezusi, por ishin të verbëruar nga urrejtja, mëkati, dëbimi i së vërtetës dhe dashurisë. “E vranë “duke e varur në shtyllë” (Vap 10,39).
Pjesa e tretë i përket ngjallje së Jezusit, që për Pjetrin ishte aq e qartë, e sigurt dhe jetësore, për të cilën ishte i përcaktuar dhe vendosur deri në flijim të jetës, vdekje martire. “Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe e bëri të dëftohet i gjallë – jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar – neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej së vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secili që beson në Të” (Vap 10, 40-43).

Për ne: Përvoja jonë me Jezu Krishtin, Kishën Katolike, jetën sakramentale, mund të rrezikohet, zbehet, dobësohet nga faktorët e ndryshëm të jashtëm dhe të brendshëm, sidomos nga mosbesimi dhe mungesa e jetës së krishterë, që shndërrohet në indiferentizëm, deri te urrejtja e Zotit, Kishës, jetës fetare.
Sa feja, si jetë me Zotin, Kishën, njëri-tjetrin, na aftëson, frymëzon dhe udhëzon për jetë të re, për dëshmi që Jezusi vërtet është i gjallë dhe veprues në mua, në ty, në ne, në botën e sotme, nëpërmjet risisë së jetës dhe lirisë së bijve të Hyjit?

Leximi i dytë: 1 Kol 3, 1-14
Ngjallja e Jezu Krishtit nuk është vetëm ndërrimi thelbor dhe qenësor i Pjetrit, apostujve dhe nxënësve të tij, por edhe i jetës tonë të krishterë, si dalje prej robërisë së Djallit, mëkatit dhe vdekjes. Jeta e re, “sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin”, këtë e dëshmon dhe tregon. Vërtetësia e ngjalljes së Krishtit në ne, është ndërrimi i jetës, shenjtërimi, jeta me Zotin dhe me të afërmin, si parakusht për pjesëmarrje në lavdinë dhe pavdekësinë e Tij, “edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi”.

Ungjilli: Gjn 20, 1-9
Dy njerëz nuk duan, nuk mund të jetojnë më pa Jezusin: Gjoni dhe Maria Magdalena.
Gjoni, nxënësi i dashur i Tij, që tërë jetën ia kishte kushtuar dhe dhuruar Jezu Krishtit, tashmë ishte i hutuar, vetmuar, tronditur, por edhe në kërkim.
Ai, së bashku me Simon Pjetrin, janë drejtuar kah varri, për të vërtetuar atë çka kishte thënë Maria Magdalena. Edhe më tepër, ishin në kërkim të Jetës, ngushëllimit, sigurisë, amshimit.
Hapat e Gjonit ishin më të shpejtë se të Pjetrit, për arsye të moshës. Mirëpo Gjoni nderon moshën e Pjetrit, edhe më shumë misionin që ia kishte besuar Jezusi atij si Kryeapostull.
Maria Magdalena s’mund të ndahej prej Jezusit, sepse vetëm Ai e kishte kuptuar, dashur dhe falur, pra, ia kishte mundësuar ndërrimin e jetës së saj.
Ungjilltari Gjoni shkruan kështu: “Ende nuk e kishin kuptuar Shkrimi Shenjt se duhet që Ai të ngjallet së vdekuri”.
Pa e besoi. Çka pa? Varrin e zbrazët dhe të hapur, ashtu siç kishte thënë Maria Magdalena, si dhe pëlhurat e palosura në një vend. Ishin tre shenja: varri i zbrazët, i hapur dhe pëlhura e palosur, ashtu si bënte Jezusi sa ishte i gjallë dhe në mesin e tyre. Nëpërmjet shenjave, erdhën te Shenja – Krishti i ringjallur, Jeta e re, Shpëtimtari i botës.
Gjoni dhe Pjetri ishin njerëz që “ende nuk e kishin kuptuar Shkrimi shenjt”. Mirëpo Gjoni dashuronte dhe besonte para të tjerëve, sepse në jetë, në vuajtje, në përkatësi, ishte më i afërmi me Jezusin, besnik.
Pjetri, Kryeapostull, ishte “mbikëqyrësi” dhe pjesëmarrës i këtyre ngjarjeve të madhërishme, garancia e kësaj dëshmie kaq të madhe dhe vendimtare për ata, për ne, për mbarë njerëzimin.
Maria Magdalena, mëkatarja publike, e falur dhe e liruar nga e keqja, bëhet dëshmitare publike e risisë, ngjalljes së Jezu Krishtit, jo vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me jetë ndryshe, të hirit, mëshirës dhe dashurisë së Zotit në jetën e saj.
Tre modele të jetës dhe të dëshmisë së ngjalljes së Jezu Krishtit, që janë ftesë, nxitje dhe frymëzim edhe për ne.