Meditime

Nëntëditëshi nder e lavd të Shën Nënës Tereze

DITA E PARË

Njihe Jezusin e gjallë

«A e njihni met ë vërtetë Jezusin e gjallë, jo nga librat por nga qëndrimi me të në zemrën tuaj?» A jam i bindur për dashurinë e Krishtit për mua dhe timen për Atë? Kjo bindje është shkëmbi mbi të cilën ndërtohet shenjtëria. Çfarë duhet të bëjmë për të pasur këtë bindje? Duhet ta njohim Jezusin, ta duam dhe t’i shërbejmë. Njohja do t’ju bëjë të fortë porsi vdekja. Ne e njohim Jezusin përmes besimit: përmes Fjalës së tij në Shkrimin e shenjtë, duke e dëgjuar derisa flet përmes Kishës së tij dhe përmes një bashkimi intim në lutje». «Kërkojeni në tabernakull. Fiksoni sytë tuaj mbi të që është drita. Vendosni zemrën tuaj afër zemrës së tij Hyjnore dhe kërkojeni hirin për ta njohur atë».

Mendimi i ditës:

«Mos e kërkoni Jezusin në dhera të largëta; nuk është atje. Është afër jush, është brenda jush». Kërkoje hirin e njohjes intime të Jezusit.

Lutja e Shën Nënës Tereze të Kalkutës

Për tu lutur çdo ditë të Nëntëditëshit

Shën Nëna Tereze e Kalkutës, ti i lejove dashurisë së etshme të Jezusit në kryq që brenda teje të bëhet flakë e gjallë, që të bëhesh për të gjithë dritë e dashurisë së tij. Më nxirr hirin nga zemra e Jezusit… (përmend hirin për të cilin dëshiron të lutesh). Më mëso që të lejoj që Jezusi të depërtojë brenda meje dhe të marrë pushtetin mbi qenien time, në mënyrë kaq të plotë saqë edhe jeta ime të rrezatojë nga drita dhe dashuria e tij për të tjerët. Amen.

Zemra e Papërlyer e Marisë, shkak i gëzimit tonë – lutu për ne.

Shën Nëna Tereze e Kalkutës – lutu për ne.

Lutja drejtuar Shën Nënës Tereze

O Hyj, ti e thirre Shën Nënën Tereze virgjër, t’i përgjigjej dashurisë së Birit tënd të etur në kryq me një dashuri të thellë për më të varfërit ndër të varfër; bëj po të lutemi, që me ndërmjetësinë e saj, t’i shërbejmë Krishtit në vëllezërit tanë të vuajtur. Nëpër Zotin tonë.

***

DITA E DYTË

Jezusi të do

«A jam i bindur për dashurinë e Jezusit për mua dhe për dashurinë time për të?» Kjo bindje është porsi drita e diellit që bën të rritet limfa e jetës dhe bën të lulëzojnë gonxhet e shenjtërisë. Kjo bindje është shkëmbi mbi të cilin ndërtohet shenjtëria.

«Djalli mund të përdorë plagët e jetës, ai nganjëherë i përdor gabimet tona për të bërë që të mendojmë se është e pamundur që Jezusi të na dojë dhe së vërtetë dëshiron të qëndrojë së bashku me ne. Ky është një rrezik për të gjithë ne. Kjo gjë është aq e trishtueshme sepse është në kundërshtim të plotë me dëshirën e Jezusit që pret për të thënë… Ai ju do gjithmonë, edhe kur nuk e ndjeni vetën të denjë». Jezusi të do me butësi, ti je i çmueshëm për të. Drejtohu Jezusit me besim të madh dhe lejojë të të dojë. E shkuara i përket mëshirës së tij, e ardhmja provanisë së tij, e sotmja dashurisë së tij».

Mendimi i ditës

«Mos ki frikë – je i çmueshëm për Jezusin, Ai të do.» Kërko hirin që të bindesh për dashurinë e pakushtëzuar dhe personale të Jezusit për ty.

 

Lutja e së Shën Nënës Terezë të Kalkutës si në ditën e parë.

 

***

DITA E TRETË

Dëgjoje Jezusin që të thotë «Kam etje»

«Në agoninë e tij, në vuajtjen e tij, në vetminë e tij, ai ka thënë shumë qartë: «Përse më ke braktisur?» Mbi kryq ishte tmerrësisht vetëm dhe i braktisur në vuajtje… njerëzit që ishin aty menduan se kishte një etje të zakonshme «fizike» dhe menjëherë i dhanë uthull; por kjo nuk ishte etja e tij – Ai ishte i etur për dashurinë tonë, për dashamirësinë tonë, për atë lidhje intime me të dhe për atë bashkëndarje në vuajtjen e tij. Është e çuditshme që ka përdorur atë fjalë. Ai thotë «Kam etje», në vend që të thoshte: «Ma jep dashurinë tënde»… Etja e Jezusit në kryq nuk është imagjinatë. Ajo shprehet me fjalët: «Kam etje». Dëgjoje teksa na thotë mua dhe ty… kjo është e vërtetë dhuratë e Hyjit».

«Nëse dëgjon me zemër, do ta dëgjosh, do ta kuptosh… derisa të mos e kesh brenda vetes, në thellësi, përvojën që Jezusi ka etje për ty, nuk do të fillosh ta njohësh atë që Ai dëshiron jetë për ty ose atë që Ai dëshiron që ti të jesh për të».

«Ec nëpër gjurmët e tij duke i kërkuar shpirtrat. Sille atë dhe dritën e tij në shtëpitë e më të varfërve, veçanërisht të shpirtrave që kanë më shumë nevojë. Shpërndaje dashurinë e zemrës së tij kudo që të shkosh, kështu që do të shuash etjen e tij për shpirtra».

Mendimi i ditës

«A jeni të vetëdijshëm?! Hyji ka etje që ti dhe unë të ofrohemi për të shuar etjen e tij». Kërkoje hirin që të kuptosh thirrjen e tij: «Kam etje».

 

Lutja e së Shën Nënës Terezë të Kalkutës si në ditën e parë.

***

DITA E KATËRT

Zoja do të të ndihmojë

 

«Sa shumë kemi nevojë për Marinë që të na mësojë çfarë do të thotë të shuash dashurinë e cila ka etje për ne, të cilën Jezusi erdhi të na shfaq! Ajo këtë gjë e bëri për bukuri. Po, Maria e lejoi Hyjin që jetën e saj ta zotërojë plotësisht përmes pastërtisë, përvujtërisë dhe dashurisë së saj besnike… Të përpiqemi nën udhëheqjen e Nënës sonë qiellore, që në ne, në shpirt, të rriten këto tri sjellje të brendshme të rëndësishme, që i japin gëzim zemrës së Hyjit duke e lejuar që të bashkohet me ne, në Krishtin, përmes Krishtit, në fuqinë e Shpirtit Shenjt. Duke i përngjarë Marisë, nënës sonë, do ta lejojmë Hyjit që të marrë pushtetin e plotë mbi qenien tonë. Hyji, në këtë mënyrë përmes nesh, mund të arrijë me dashurinë e tij të etshme të gjithë ata me të cilët takohemi, në mënyrë të veçantë me më të varfarëit».

« Nëse i qëndrojmë pranë Marisë, ajo do të na dhurojë shpirtin e saj të besimit dashamirës, të braktisjes së plotë dhe të gëzimit ».

Mendimi i ditës

« Sa duhet të rrimë afër Marisë, që ta kuptojmë atë thellësi të dashurisë Hyjnore e cila iu shfaq kur në këmbët e kryqit dëgjoi klithmën e Jezusit : « Kam etje ! » Kërkoje Hirin që të mësosh nga Maria që të shuash etjen e Jezusit siç ka bërë ajo.

Lutja e së Shën Nënës Terezë të Kalkutës si në ditën e parë.

***

DITA E PESTË

Ki besim të verbër në Jezusin

«Kini besim në Hyjin e mirë i cili na do, kujdeset për ne, shikon të gjitha gjërat, i njeh dhe vepron për të mirën time».

«Duaje me besim pa e kthyer kokën prapa, pa frikë. Dhuroju Jezusit pa kursyer asgjë. Ai do të të përdorë për të realizuar gjëra të mëdha, me kusht që ti, të besosh më shumë në dashurinë e tij se sa në dobësinë tënde. Ki besim në të. Mbështetu n ëtë me besim të verbër dhe absolut sepsei ai është Jezusi».

«Jezusi nuk ndryshon kurrë… ki besim me dashamirësi në të, ki besim në të me një buzëqeshje të madhe duke besuar gjithnjë se ai është udha për tek Ati, ai është drita në këtë botë plotë errësirë».

«Na duhet të ngremë shikimin dhe të themi: «gjithçka mundem në atë që më jep fuqi». Me këtë shprehje të Shën Palit duhet të kesh një besim ta madh në zhvillimin e punës tënde – ose më mirë, të veprës së Hyjit – kështu do të japësh fryte të mëdha dhe të përsosura të shumta me Jezusin dhe për Jezusin. Bindu se vetëm nuk mund të bësh asgjë, nuk ke asgjë përveç mëkatit, dobësisë dhe varfërisë; pra të gjitha dhuratat e natyrës dhe të hirit që zotëron i ke marrë nga Hyji».

«Edhe Maria e ka shfaqur këtë besim të plotë në Hyjin duke pranuar të jetë mjet për planin e tij të shpëtimit. Ajo e dinte se vetë ishte asgjë, por gjithashtu e dinte se Hyji i gjithëpushtetshëm mund të bënte gjëra të mëdha në të dhe përmes saj. Pati besim. Pasi e tha «Po»në e saj para Atij… Çdo gjë përfundoi. Asgjë nuk dyshoi».

Mendimi i ditës:

«Besimi në Hyjin mund të arrijë çdo gjë. Boshllëku dhe vogëlsia jonë janë gjërat që i nevojiten Hyjit e jo plotësia jonë». Kërkoje hirin që të kesh një besim të pathyeshëm në fuqinë dhe në dashurinë e Hyjit për ty dhe për të gjithë».

Lutja e së Shën Nënë Terezës të Kalkutës si në ditën e parë.

 

***

DITA E GJASHTË

Dashuria e vërtetë është braktisje

Fjala „Kam etje“ nuk ka asnjë kuptim nëse përmes një braktisjeje të plotë nuk i dhuroj Jezusit gjithçka.
Sa e thjeshtë është të fitosh Hyjin! Ne i dhurojmë Hyjit veten tonë dhe në këtë mënyrë zotërojmë Hyjin. Hyji na përket më shumë se çdo gjë, sepse nëse ne i falemi Atij do ta zotërojmë ashtu si zotëron Ai veten e tij, pra do të jetojmë jetën e Tij. Shpërblimi me të cilin Hyji shpaguan dhurimin tonë është vetja e tij.
Bëhemi të denjë që ta kemi kur mbështetemi në të në mënyrë të mbinatyrshme. Dashuria e vërtetë është braktisje. Sa më shumë që duam aq më shumë e dhurojmë veten.
Shpeshherë shikoni telat e energjisë elektrike njërin pranë tjetrit: të vegjël apo të medhenj, të rinj apo të vjetër, me çmim të lartë apo të ulët. Derisa energjia elektrike të mos kaloj nëpër ta nuk do të ketë drita. Ky tel i energjisë elektrike je ti dhe jam unë. Energjia elektrike është Hyji. Kemi pushtetin që të lejojmë që energjia elektrike të kalojë përmes nesh, të na përdorë, të japë dritë në botë: Jezusin; apo të mos lëmë të na përdorë që të përhapet errësira. Zoja është teli më i përsosur. E lejoi Hyjin që ta mbush plot e përplot, me anë të dorëzimit të saj – „u bëftë me mua si është fjala jote“ – u bë Hirplote; dhe natyrisht në çastin kur u mbush me këtë energji elektrike, më hirin e Hyjit, ajo shkoi me nxitim në shtëpinë e Elizabetës për të lidhur telin elektrik, Gjonin, me korrentin e energjisë elektrike, Jezusin“.

Mendimi i ditës
„Lejoni që Hyji t‘ju përdorë edhe pa ju pyetur“. Kërkoje hirin e braktisjes në Hyjin gjatë gjithë jetës tënde.

Lutja e Shën Nënës Tereze të Kalkutës si në ditën e parë.

***

DITA E SHTATË

Jezusi do ato që dhurojnë me gëzim

„Për të sjellur gëzimin në shpirtin tonë, Hyji i mirë na dhuroi vetveten… Gëzimi nuk është thjeshtë një fakt kohor. Duke i shërbyer Hyjit dhe shpirtrave, kërkohet gjithmonë një arsye që është më e vështirë, diçka më tepër për ta zotëruar dhe për ta rritur në zemrat tona. Lutja është gëzim, forca është gëzim, të duash tjetrin është gëzim. Gëzimi është rrjeti i dashurisë që peshkon shumë shpirtra. Hyji i do ata që dhurojnë me gëzim. I jep më shumë atij që dhuron me gëzim. Nëse në punë takoni vështirësi dhe i pranoni me gëzim, me buzëqeshje të madhe, atëherë dhe në çdo rast tjetër, të tjerët do të shohin veprat tuaja të mira edhe do t‘i japin lavdi Atit. Mënyra më e mirë për të treguar mirënjohjen tuaj ndaj Hyjit dhe të tjerëve është që të pranoni gjithçka me gëzim. Një zemër e hareshme është përfundimi i natyrshëm i një zemre të ndezur me dashuri. Pa gëzim nuk ka dashuri, dhe dashuria pa gëzim nuk është dashuri e vërtetë. Prandaj na duhet ta japim këtë dashuri dhe gëzim në botën e sotme.
Gëzimi qe forca e Marisë. Maria është misionarja e parë e dashurisë. Ajo e para e pranoi Jezusin fizikisht dhe e solli tek të tjerët; këtë e bëri me nxitim. Gëzimi i dhuroi forcën dhe shpejtësinë për të shkuar dhe për të kryer punën e shërbëtores.“

Mendimi i ditës
„Gëzimi është shenja e bashkimit me Hyjin. Gëzimi na sjell në praninë e Hyjit. Gëzimi është dashuri, është përfundimi i natyrshëm i një zemre e ndezur nga dashuria“. Kërkoje hirin që të ruash gëzimin e të dashuruarit dhe të bashkëndash këtë gëzim me të gjithë ata që takon.

Lutja e Shën Nënës Tereze të Kalkutës si në ditën e parë.

***

DITA E TETË

Jezusi u bë buka e jetës, i urituri

«Jezusi e tregoi dashurinë e tij duke na dhuruar jetën e vet, gjithë qenien e Tij. «Edhe pse ishte i pasur u bë i varfër», për ty dhe për mua. E dhuroi vetveten plotësisht, vdiq në kryq. Por para se të vdiste u bë buka e jetës për ta shuar urinë tonë për dashurinë e tij. Ai tha: «Nëse nuk hani mishin tim e nuk pini gjakun tim nuk do të keni jetën e pasosur». Madhëria e dashurisë së tillë qëndron në këtë: Ai u bë i urituri kur tha: «Pata uri e më dhatë të ha», dhe nëse nuk dhatë të hajë nuk do të hyni në jetën e pasosur. Kjo është mënyra e dhurimit të Krishtit. Hyji vazhdon të dojë botën edhe sot. Vazhdon të të dërgojë ty dhe mua që të dëshmojmë se ai e do botën, se ende ndjen mëshirë për botën. Ne duhet të jemi dashuria dhe mëshira e tij në botën e sotme, por për të dashur duhet të kemi besim, sepse besimi në veprim është dashuri, kurise dashuria në veprim është shërbim. Ja përse Jezusi është bërë buka e jetës, që kështu duke e ngrënë të jetojmë dhe të shohim Atë në fytyrën e shpërfytyruar të të varfërve».

«Jeta jonë duhet të thuret në Eukaristinë. Nga Jezusi në Eukaristi mësojmë sa etje ka Hyji të na dojë dhe sa etje ka, t’ia shëkbejmë këtë me dashurinë tonë ndaj shpirtrave. Nga Jezusi në Eukaristi marrim dritën dhe forcën për të shuar etjen e tij».

Mendimi i ditës

«A e besoni se Jezusi është nën dukën e bukës, se është në të uriturin, në të zhveshurin, në të sëmurin, në atë që s’e do askush, në të pastrehin, në të pambrojturin dhe të dëshpëruarin?» Kërkoje hirin që ta shohësh Jezusin në bukën e jetës dhe t’i shërbesh në fytyrën shpërfytyruar të të varfërve.

Lutja e së Shën Nënë Terezës të Kalkutës si në ditën e parë.

***

DITA E NËNTË

Shenjtëria e Jezusit që jeton dhe vepron në mua

 

«Veprat tona të dashurisë nuk janë gjë tjetër veçse plotësia e dashurisë sonë për Hyjin në thellësinë tonë. Prandaj Ai që është më shumë i bashkuar me Hyjin do akoma më shumë të afërmin».

«Veprimtaria jonë është me vërtetë apostolike vetëm aq sa e lejojmë Atë që të veprojë në ne dhe nëpërmjet nesh – me forcën e Tij – me dëshirën e Tij – me dashurinë e Tij. Duhet të bëhemi të shenjtë jo sepse dëshirojmë të ndihemi të shenjtë por sepse Krishti duhet të jetë në gjendje të jetojë plotësisht jetën e tij në ne».

«Të konsumojmë vetën tonë me Të dhe për Të. Lejoni që Ai të shohë me sytë tuaj, të flas me gjuhen tuaj, të punojë me duart tuaj, të ec me këmbët tuaja, të mendojë me mendjen tuaj e të dojë me zemrën tuaj. A nuk është ky një bashkim i përsosur, një lutje e vazhdueshme? Hyji është Ati ynë i mirë. Lejoni që drita e dashurisë suaj të shndrisë, kështu që (me forcë) njerëzit t’i shohin veprat tuaja të mira (punën, pastrimin, të gatuarit, dashurinë ndaj burrit dhe fëmijëve tuaj) dhe t’i japin lavdi Atit».

«Jini të shenjtë. Shenjtëria është mënyra më e mirë për të shuar etjen e Jezusit, të tijën për ju dhe për tuajën për të».

Mendimi i ditës

«Dashuria e ndërsjelltë është udha e sigurtë për një shenjtëri të madhe». Kërkoje hirin që të bëhesh i shenjtë.

Lutja e së Shën Nënë Terezës të Kalkutës si në ditën e parë.

***

LITANITË E SHËN NËNËS TEREZE

O Zot, ki mëshirë.

O Krisht, ki mëshirë.

O Zot, ki mëshirë.

O Krisht, ndjena ne.

O Krisht, dëgjona ne.

Ati prej qiellit Hyj, Ki mëshirë për ne !

Biri, Shëlbues i botës, Hyj

Shpirti Shenjt, Hyj

Trinia Shenjtë, një i vetmi, Hyj

Nëna Tereze, misionare e dashurisë, lutu për ne!

Nëna Tereze, zelltare e misioneve

Nëna Tereze, vatër e miqësisë,

Nëna Tereze, vegimtare e përjetësisë,

Nëna Tereze, vizionare e paqes,

Nëna Tereze, çrrënjosja e racizmit,

Nëna Tereze, mistike e Eukaristisë,

Nëna Tereze, rregulltare e guximshme,

Nëna Tereze, themeluese e Misionareve të Dashurisë,

Nëna Tereze, shembull i fesë së gjallë,

Nëna Tereze, shembull i durimit,

Nëna Tereze, ngadhënjyese mbi pritat e djallit,

Nëna Tereze, shëmbëlltyrë e përvujtërisë,

Nëna Tereze, e dashura e të gjithë të varfërve,

Nëna Tereze, zotëruese e kohës,

Nëna Tereze, rrënuesë e lodhjes,

Nëna Tereze, përkrahsja e pushimit për lutje,

Nëna Tereze, mishërimi i dashurisë së Jezusit ndaj të varfërve,

Nëna Tereze, lapsi i Hyjit,

Nëna Tereze, e fejuara e Krishtit,

Nëna Tereze, lypcake e nëvojtarëve,

Nëna Tereze, ofshama e skamnorëve,

Nëna Tereze, streha e të braktisurve prej të gjithëve,

Nëna Tereze, klithja e fëmijëve të palindur,

Nëna Tereze, ndërgjegjësimi i atyre që nuk besojnë,

Nëna Tereze, shpresa e zemërthyerve,

Nëna Tereze, kushtrimi i barazisë shoqërore,

Nëna Tereze, nëna e të gjithë të gërbulurve,

Nëna Tereze, zanambare e himneve të Orëve,

Nëna Tereze, perri e virgjërirsë,

Nëna Tereze, kasnece e Lajmit të gëzueshëm,

Nëna Tereze, adhuruese e meshtarisë,

Nëna Tereze, shërbëtore e të gjithëve,

Nëna Tereze, zemra e artë e Kishës,

Nëna Tereze, testament i dashurisë ndaj të varfërve,

Nëna Tereze, zbuluese e Hyjnores,

Nëna Tereze, vravashkë e pashuar,

Nëna Tereze, forcimi i besimit tonë në Hyjin,

Nëna Tereze, mishërimi i virtyteve hyjnore,

Nëna Tereze, shtëpi e lutjes dhe përkormërisë,

Nëna Tereze, shëmbëlltyrë dhe nxitje nga jeta e virtyteve,

Nëna Tereze, dritare e Qiellit.

 

O Krisht, ndjena ne.

O Krisht, dëgjona ne.

O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, na fal ne, o Zot.

O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, dëgjona ne, o Zot.

O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

Lutja:

O Hyji, i Gjithëpushtetshëm dhe i amshuar; bëj që, përmes ndërmjetësisë së Shën Nënës Tereze të Kalkutës, e cila të shërbeu në më të varfërit ndër të varfër dhe të nderoi thellësisht në praninë eukaristike, të fitojmë edhe ne forcë dhe zell për t’i nderuar veçanërisht të varfërit dhe për t’u bërë gjithmonë krah i qëndrueshëm i të nëpërkëmburve dhe të përbuzurve dhe për të të nderuar deri në amshim në misterin e Eukaristisë. Amen.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »