Meditime

Porosia e Imzot Dodë Gjergji për Pashkë 2021

Drejtuar meshtarëve,
rregulltarëve dhe rregulltareve,
besimtarëve dhe
të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë

Fort të dashur vëllezër e motra,
që nga Pashkët e vitit të kaluar, bota është përballur me shumë se herëve tjera me vdekjen, edhe pse të gjithë do të donim të mos mendonim për të. Po ja që rrallëkush ka mbetur pa e përjetuar paksa trishtimin që vdekja mbartë me vete, zemërthyerjen që shkakton ajo dhe lotin që nxjerr dhimbja e saj, pasi kemi humbur të dashurit ose kemi bashkëndarë dhimbjen me ata që kanë humbur të afërmit e tyre.
Kohët e fundit, ndonëse pandemia Covid-19 akoma po merr jetë njerëzish, kemi filluar të shpresojmë më shumë në mundësitë që po jep vaksina. Kështu që, nëse Pashkët e  vitit të kaluar i kemi kremtuar nën hijen e frikës njerëzore, Pashkët e sivjetme po i kremtojmë nën dritëhijen e shpresës ngushëlluese që po vjen nëpërmjet vaksinimit të njerëzve.
Ne të krishterët, që në Treditëshin e Shenjtë të Pashkëve, thellohemi në përsiatjen e padrejtësive që i shkakton bota, në vdekjen e padrejtë të Krishtit dhe në ngadhënjimin e Ringjalljes së Tij, besojmë se me forcën e të Kryqëzuarit arrijmë të përballojmë më lehtë çdo të keqe me të cilën sfidohemi. Sepse, shembulli i Krishtit që vuan, na mëson si të përballemi me vuajtjen tonë me dashuri, e cila na nxitë në përpjekje të përbashkëta për t’i tejkaluar vështirësitë, për t’u përballë me padrejtësitë dhe për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Mbi të gjitha, pjesëmarrja në gëzimin e Ringjalljes na mundëson që vdekjen ta shohim nga dimensioni i pavdekësisë hyjnore. Duke shpresuar dhe duke besuar se, ne, të vdekshmit, që jemi gjallë mbi tokë, nëpërmjet ngjalljes së Krishtit, të gjithë jemi të ftuar në pavdekësi dhe në jetën e pasosur.
Por, për të qenë pjesë e kësaj lavdie, për ta përjetuar këtë lloj lumnie dhe për të galduar me gëzimin e shpresës hyjnore, lypset që deri sa jemi gjallë të ecim gjurmëve të jetës si tij mbi tokë: që do të thotë,  ta jetojmë lirinë e shpirtit, paqen e zemrës dhe të shërbejmë me dashuri. Sepse, dashuria e Zotit nuk lejon padrejtësi, nuk mendon vetëm për vete dhe nuk seleksionon njerëzit sipas dallimeve që kanë, por i bën pjesë të pandashme në vuajtje, bashkëndan të mirat me barazi, ju mundëson të gjithëve pjesëmarrjen në gëzime, që asnjëri mes nesh të mos mbetët i pashpresë.
Pjesëmarrja e Hyjit në vuajtjet tona dhe vdekjen njerëzore është shprehja më e përkryer e dashurisë flijuese e Zotit për ne, i cili nëpërmjet sakrificës së Birit, shëron plagët e shpirtit që i shkakton egoja jonë, edukon zemrën njerëzore që të dijë të dojë dhe, nëpërmjet Ringjalljes, na mundëson të gjithëve që në Të, ta kemi jetën.
Nuk janë të paktë ata që e mohojnë këtë formë sakrifice, nuk e duan këtë lloj dashurie dhe mendojnë që nuk iu nevojitet fare kjo lloj shprese. Me pak fjalë, duan të janë jo t’zot e vetes, por Zot për veten. Mjerisht, përvoja me Covid-19 ka bërë të shohim brishtësinë dhe kufizimin e shoqërisë njerëzore. U dëshmua se sa të paqëndrueshme janë arritjet njerëzore, sa e cungueshme është liria, sa të cenueshme janë të drejtat e njeriut dhe sa i madh është egoizmi i individëve dhe i shoqërive. Me pak fjalë, pamë se si arsyetohet në mënyrë të pandërgjegjshme dhe sa pak dashuri ka zemra e njeriut, që nuk lejon të edukohet prej Shpirtit të Zotit.
Ishim dëshmitarë se si përnjëherë gjithçka ndaloi, jo vetëm jeta normale e njerëzve që ndryshoj thuajse tërësisht, por ranë idealet integruese të popujve dhe shteteve, vlerat e demokracisë si barazia, liria dhe të drejtat e njeriut. Kurse për barazinë e popujve të drejtat e barabarta, qasja e barabartë në të mirat dhe mundësitë që disponon njerëzimi, as që bëhej fjalë. Pasi u pa se si popujt konservuan mundësitë që kishin vetëm për vete, duke lejuar që bota përsëri të ndahet në të pasur, në ata mundësi pak dhe në të varfër. Doli në pah lakmia dhe konkurrenca e egoizmit njerëzor për fitim, ndikim dhe pushtet. Sa fariseizëm u shfaq në vendimmarrje, kur pandemia dukej rrezik i përgjithshëm vetëm derisa nuk i cenonte interesat e grupeve të veçanta dhe si vdekja e njerëzve ishte shqetësim i pasinqertë i të shumtëve. Një gjë e tillë u pa edhe në marrjen e vendimeve në bazë të pushtetit e jo në bazë të rrezikut, pasi në emër të jetës na u kërkua që të mbyllnim kishat e xhamitë, për Bajram e Pashkë, e në emër të pushtetit në mënyrë më flagrante u rrezikua jeta e njerëzve gjatë fushatës zgjedhore.
Varësisht gjithë kësaj, ne vazhdojmë udhëtimin tonë jetësor, duke ecur gjurmëve të Krishtit të Kryqëzuar e të Ringjallur, e të mbushur me shkëlqimin e dritës hyjnore i bindemi Zotit, Hyjit tonë, sepse jemi të bindur se Krishti nuk na braktis kurrë, por në çdo situatë të jetës është pranë nesh dhe me ne.
Këndej, i lutemi Atij për gjithë ata që kanë kaluar në amshim, për gjithë të sëmurit në spitale apo ata që lëngojnë në shtëpi, dhe për të gjallët që kanë mbetur pa të dashurit e tyre. Sidomos, ia besoj Krishtit të Ringjallur të gjithë të varfëritë që akoma nuk e kanë ndier dorën e shtrirë të shtetit, veprën bamirëse të Kishës apo bamirësinë e të afërmeve.

Me këto mendime, porosi dhe lutje, Ju uroj Festën e Pashkëve duke brohoritur me hare:
Resurrexit sicut dixit! Alleluia! – U ngjallë ashtu si patë thanë! Aleluja!

Ipeshkvi i juaj,
+ Dodë Gjergji