Meditime

Si ta bëni Kungimin shpirtëror nga shtëpia, sipas Shën Alfonsit dhe Papa Françeskut?

Në kushte të jashtëzakonshme që po jetojnë besimtarët tanë, sikurse këto ditë në kohën e virusit famëkeq Covid-19, Etërit e Kishës kanë paraparë mundësinë e marrjes së Krishtit shpirtërisht.

Përgatitni zemrën tuaj dhe thuajini këtë lutje të Shën Alfonsit ose të Papa Françeskut, do ta pranoni kështu, shpirtërisht, Korpin e Krishtit.

Besimtarët tanë katolik, në këto ditë qëndrimi të detyruar në shtëpi, në karantinë, për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19, me vështirësi arrijnë të pranojnë fizikisht në mënyrë sakramentale Korpin dhe Gjakun e Krishtit, por mund të marrin Eukaristinë shpirtërisht, sipas një tradite të konsoliduar katolike.

Besimtari duke përgatitur zemrën për të pranuar Jezusin, thotë lutjen e Shën Alfons Maria de Liguori:

“O Jezusi im, besoj se je vërtet i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka dhe të dëshiroj në zemrën time. Meqenëse nuk mund të pranoj në mënyrë sakramentale, të paktën eja shpirtërisht në zemrën time. Ndërsa tashmë erdhe, të përqafoj dhe të bashkohem me ty; mos lejo që të ndahem kurrë prej teje“.

Shën Alfonsi dhe uria

Pa dyshim,  Shën Alfons Maria de Liguori, ipeshkëv dhe mësues i Kishës, pra është një shenjt popullor për besimtarët tanë, i cili jetoi në shekullin e XVIII, si dhe kompozitor i këngës së famshme të Krishtlindjeve „Ti zbret nga Qielli“. Një njeri i Zotit që u përball me emergjencat e njerëzimit dhe ishte gjithmonë i gatshëm të jetë pranë të varfërve, siç bëri në urinë e vitit 1764, e cila rezultoi në vdekjen e 300 mijë njerëzve në mbretërinë e Napolit, që shënohet në Historinë e njerëzimit si një krizë të pashembullt ekonomik për mbarë Botën.

Shenjtërit që kanë pranuar Kungimin shpirtëror

Shenjtërit që shpeshherë kanë pranuar Kungimin shpirtëror janë, si psh. Shën Tomë Akuini, Shën Françesku i Salesit, Shën Katariana e Sienes, Shën Josemaria Escrivá dhe Shën Margareta Maria Alacoque.
Sipas Shën Tomë Akuinit, kjo praktikë, e konfirmuar në mënyrë autoritare nga Koncili i Trentos, konsiston në një dëshirë të zjarrtë për të pranuar Jezusin sakramental, por në pamundësi të pranimit sakramental të Jezusit, sikurse sot po jetojmë në këtë kohë të koronavirusit, mund ta pranojmë edhe shpirtërisht Jezusin.

Ftesa e Papa Françeskut

Të enjten, më 19 Mars, në festën e Shën Jozefit, Papa Françesku recitoi një lutje në fund të Meshës Shenjte që kremton çdo ditë në Rezidencën Papnore „Domus Sanctae Marthae“ në Vatikan.

„Unë i ftoj të gjithë ata që janë larg dhe ndjekin Meshën Shenjte përmes televizionit apo rrjeteve sociale,  ta bëjnë Kungim shpirtëror“ tha Papa Françesku para se të recitonte lutjen:

„Te këmbët e tua, O Jezusi im, të bij në gjunj dhe të ofroj pendimin e thellë të zemrës sime, para pranisë tënde të shenjtë. Unë të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të pranoj në zemrën time të përvuajtur. Në pritje të lumturisë të Kungimit sakramental, dëshiroj të pranoi me gjithë shpirtin tim. Eja tek unë, o Jezusi im, që unë të vij te ti. Bëj që dashuria jote të ndezë tërë qenien time, të kem dashuri për jetën dhe vdekjen. O Jezus, besoj në ty, shpresoj në ty, të dua me gjithë zemër. Ashtu qoftë”. (Familja e krishterë, 19 mars).