Meditime

Kreshmë e karantinë: cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet në këtë kohë të Koronavirusit?

40 ditë: karantinë fizike ose Kreshmë shpirtërore!

Nga Don Albert Jakaj

Në shikim të parë mendojmë se bëhet fjalë për dy terme shumë të ndryshme, por në fakt kanë edhe gjëra të përbashkëta. Le të shohim se çfarë kuptimi kanë termi “kreshmë” dhe “karantinë”, pra cilat janë ngjashmëritë, dallimet dhe mënyrat me të cilat kanë evoluar me kalimin e kohës. Etimologjia e fjalës karantinë vjen nga dialekti venedikas, në shekullin XIV, nga quarantena (lexohet: kuarantena), që ka të bëj me numrin 40, pra me një sëmundje ngjitëse (grip i theksuar, tifoja, kolera, murtaja…) që kërkon zbatimin e masave të rrepta parandaluese në higjienë, duke u larguar prej familjes, shoqërisë dhe njerëzve, në mënyrë që i infektuari të jetoi në karantinë prej 40 ditesh, ngjashëm edhe termi Kreshmë vjen nga latinishtja “quadr(ag)esima”, që në shqip përkthehet e dyzeta apo e katërdhjeta ditë, që kërkohet nga besimtari të jetoi në pendesë, lëmoshë, lutje, agjërim dhe në vepra bamirësie, që i referohen 40 ditë të qëndrimit të Jezusit në shkretëtirë. Jo rastësisht termet në gjuhën italiane “quaresima” dhe “quarantena”, kanë të përbashkët rrënjën nga latnishtja “e katërdhjeta”.
Pra janë dy fjalë të ndryshme, por që i dëgjojmë shpeshherë në ditët kur gjithçka sot lidhet me koronavirusin, me një fjalë kanë të përbashkët (vet)izolimin, ndonësa njëra të fton të lirohesh nga sëmundjet e shpirtit (mëkati) dhe tjetra të shërohesh nga sëmundjet e trupit (Covid-19).
Që nga epidemia e koronavirus, që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e quan „virusi kinez“, por që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti këtë pandemi dhe i dha emrin Covid-19, e cila filloi në qytetin Wuhan në Kinë dhe pastaj u shtri në pjesën tjetër të botës, madje së fundi edhe në vendin tonë në Kosovë. Në këto ditë përmes televizionit kemi dëgjuar shpeshherë fjalën ‘karantinë’ dhe tashmë kemi filluar të familjarizohemi me këtë term, e cila më parë (ose pothuajse) ka qenë e panjohur për ne, madje s’kemi ditur se këto dy terme kanë edhe gjëra të përbashkëta. Termi “karantinë”, fjalë që tregon gjendjen e izolimit në të cilin qindra e qindra shtete në katër anët e Botës, kanë marrë masa parandaluese ndaj virusit famëkeq Covid-19. Ndërsa me të Mërkurën e Përhime fillon Koha e Kreshmës, e cila na orienton drejt festës së Pashkëve, që është festa e Ngjalljes së Zotit tonë, Jezu Krishtit.
Të dy fjalët kanë tipare të përbashkëta, si për kuptimin e tyre aktual, qoftë për origjinën historike që i referohen numrit 40 dhe për mënyrën se si kanë evoluar, por padyshim që janë dy fjalë të ndryshme, të cilat i referohen dy fushave semantike të ndryshme, megjithëse me ndonjë ngjashmëri. Le të shohim se cilat:

Çfarë do të thotë termi karantinë?

Për fjalorin e Gjuhës shqipe, “karantinë” është një izolim i detyruar apo masë mbrojtëse që merret për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve epidemike, duke i mbajtur përkohësisht në një vend të veçuar nga të tjerët njerëzit e sëmurë, kafshët apo bimët e prekura nga sëmundja, ata që dyshohet se janë prekur nga një sëmundje ose njerëzit që kanë pasur të bëjnë me ta. Etimologjia e termit rrjedh nga dyzet ditë, kohëzgjatja tipike e izolimit të së cilës anije nga zonat e prekura nga murtaja në shekullin XIV.
Prandaj është një term shumë aktual, siç po lexojmë këto ditë. Edhe pse ka humbur referencën për numrin dyzet, aq sa karantina për të cilën sot po flasim për koronavirus shpesh i referohet një periudhe shumë më të shkurtër, rreth dy ose tre javë, duke iu referuar simptomave që shfaq virusi fatal Covid-19.

Çfarë do të thotë termi Kreshmë?

Sipas Katekizmit të Kishës Katolike, termi “Kreshmë” i referohet periudhës dyzet ditore të pendimit në përgatitje për Pashkë, pra që nga e Mërkurja e Përhime deri të Shtunën e Madhe, ku besimtarët tanë nuk hanë mish e bulmet dhe përgatiten shpirtërisht për festën e Pashkës. (Krah. KKK 540). Nga latinishtja “quadr(ag)esima” që në shqip domethënë “e katërdhjeta ditë” para Pashkëve.

Karantinë dhe Kreshmë: dallimet dhe ngjashmëritë

Prandaj, dy fjalë shumë të ndryshme, por që disi i ngjajnë njëra-tjetrës. Dhe jo vetëm sepse ne jemi duke i përdorur në një periudhë pendese, sikurse kjo që po kalojmë për arsye të koronavirusit. Për të dy, fati i numrit dyzet është thelbësor: ditët në të cilat duhet të qëndrojmë të izoluar për të shmangur kalimin e pandemisë tek njerëzit, dhe ditët që na presin deri në Pashkë.
Sidoqoftë Kreshma është një ushtrim për jetën: ne mësojmë ta njohim praninë e Krishtit, pikërisht në këto rrethana që janë për shëlbimin e shpirtit.
Virusi vdekjeprures i quajtur Covid 19 tashmë na bën të kuptojmë se nuk duhet të kemi kufij dhe mure mes shteteve, por duhet të mendojmë dhe reflektojmë globalisht për të përballur këtë armik të padukshëm, që e ka kapluar njerëzimin. “Aty ku ka një të keqe, ka edhe një të mirë”, thotë një fjalë e urtë popullore. Mund të themi se është një mënyrë tjetër e jetës, jetojmë më shumë në qetësi dhe të bashkuar si familje, si shoqëri dhe më solidar ndaj të afërmit që ka nëvojë. Flitet se në Kinë dhe në Europë, gjatë kohës së koronavirusit ndotja e ambientit është në nivel më të ultë (CO2), duke jetuar gjendje izolimi në shtëpi e sidomos në qytetet e mëdha ku kërkohet nga Insititucionet Shëndëtësore të jetojmë në karantinë, pra duke ruajtur vetën dhe të tjerët nga infektimi i mundshëm i virusit Covid-19. Papa Françesku, sot, më 24 mars, në Meshën e mëngjesit, në Rezidencën Papnore “Domus Sanctae Marthae” na përkujtoi se përmes solidaritetit këtyre ditëve në Itali, kanë vdekur 24 mjekë, mbi 5.000 infermierë janë infektuar dhe 50 meshtarë kanë kaluar në amshim, sepse “kanë marrë sëmundjen gjatë shërbimit ndaj të sëmurëve. Të lutemi për ta, për familjet e tyre dhe falënderoj Zotin për shembullin e heroizmit që ata na japin në kujdesin ndaj të sëmurëve”. Nëse pas periudhes në karantinë, ne dalim të paprekur nga asnjë lloj pandemie, e njëjta gjë pas kohës së Kreshmëve duhet të jemi të pastër në shpirt, në takim me Jezusin e Ringjallur. Kemi ardhur në konkluzion se me virusin dhe me mëkatin nuk mund të negociohet. E si përfundim, Ati i Shenjtë, Papa Françesku na porosit “kush ka besim në Jezu Krishtin, nuk ka frikë”.

PRIFTI I MISIONIT

Misionari: Don Marjan Demaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08

Translate »