Meditime

Don Shan Zefi: Kush ishte Shën Nëna Tereze?

Në këtë pyetje të rëndësishme mbi njohurinë dhe identitetin e saj, si njeri i kësaj bote, as filozofët antikë nuk do të mund të jepnin përgjigjjen mbi arsyen që këtë PERSON e ngriti aq lart, dhe e cila (arsye) do t’i lënte të qetë apo do t’ua shuante kurreshtjen e amshueshme, sikur që ishte, bie fjala problemi i njohurisë së sendeve „in se“, me shprehjen filozofike të pakapshme si „noumenon“ te Platoni, „monada“ te Lajbnici apo „ding an Sich“- te Kanti e, po ashtu, këto vështirësi do të mbeteshin vërtet si mrekulli edhe për teologët e njohur skolastikë, si për Shën Tomë Akvinin, Bonaventurën, Duns Skotin etj, sepse ajo, këtu në tokë, kishte përjetuar një simbiozë hyjnore. U ngrit shpirti i saj deri të metafizika e Shën Tomës. Sikur të jetonin edhe sot mendimtarët e shquar të mendimit filozofik si F. Nistche, J.P. Sartre, Camy e shumë filozofë me botëkuptime të ngjashme: a thua a do të mendonin se jeta mbetet për njeriun një tragjedi, utopi, fshehtësi … ose do të shpallnin edhe sot Zotin e vdekur? Nëna Tereze gjithsesi me jetën e saj e dëshmoi të kundërtën.

Kjo Nënë thirret në këtë botë ta reinkarnojë dashurinë e Zotit, ta zbus vargun e dhimbjeve të ndryshme, që hyjnë thellësisht në trupin-mishin e njeriut. Atje ku ndihej nevoja më e madhe e dëshprimit, atje ishte inspiruese e pionere Nëna Tereze. Sigurisht, ata që e kanë njohur këtë Nënë (dhe ky që po i shkruan këto fjalë modeste) do të pajtohen gjithsesi se kjo qe dhe mbetet e përjetshme si PERSON që është zhytur thellësisht në tiparet e përbashkta të humanizmit, deri të identifikimi me vuajtjet njerëzore e më varfërinë e te të gjithëve.

Dashuria e Nënës Tereze ndaj njeriut, sidomos ndaj atij që është më pak i vlefshëm në sytë e botës së sotme, qe e madhe. Shpeshherë përseritte atë që të sëmurit e dëshironin, dmth. të jenë të pranuar me kujdes e zell, të respektohet edhe dinjiteti i tyre njerëzor.

Nëna Tereze kishte një vendstrehim për të gjithë e për secilin, sepse shihte te ta vetë bijtë dhe bijat e Zotit, për të cilët Krishti flijohet, vdes në kryq e ringjallet. Prandaj në sytë e zemrën e saj janë të denjë për çdo afekt, nderim e dashuri. Nëse nga mbretëria e Hyjit s’mund të përjashtohet askush, nga marrim ne guxim t’i përjashtojmë këta „varfanjakë“ nga të mirat tokësore dhe nga nderimi njerëzor; t’u thuhet se kjo jetë është kotësi, e pakuptimtë e tragjedi; ose do të ishte edhe më mirë t’ia merrnin jetën vetvetes – të mos kishin lindur fare?

Vërtet, ka kohë që meditoj mbi figurën e Nënës Tereze dhe ende nuk jam i bindur, edhe pse kemi parasysh vargun e gjatë të njerëzve që kanë kontribuar për njerëzimin si Nëna Tereze, e cila ka pasur aq kuptim për një BARAZI të përsosur njerëzore në mesin e të varfërve. Dashuria e saj për ta, në përgjasim të asaj hyjnore, i bën të gjithë të barabartë, si vëllezër e motra të një gjiri familiar, edhe pse këta dalloheshin dukshëm nga aftësia intelektuale ose kulturore, për nga bukuria fizike etj.

Kjo është, ndoshta e vetmja barazi që solli Nëna Tereze në këtë dhé, që nuk mund të mishërohet me ligj, të shtrëngohet me detyrime, të promovohet me protesta e revolucione, sespse kjo dashuri vjen thjeshtë nga Zoti, i cili bën që shiu të bjerë njëjtë: qoftë mbi të drejtin, qoftë mbi mëkatarin; qoftë mbi të shëndoshin, qoftë mbi të sëmurin; qoftë mbi të pasurin e qoftë mbi skamnorin…

Për Nënën Tereze identifikimi me të varfër, në mesin e të cilëve jetonte, nuk është një çështje retorike, e as farizeane, por njëmëndësi. Asgjë nuk i dallonte (duke përfshirë këtu, natyrisht, edhe Motrat e saja) nga të varfërit: as ushqimi, as veshmbathja e as paraja. Më këtë nuk dëshirojmë të themi se vetëm Nëna Tereze e Motrat e saja dhanë gjithçka për njeriun skamnor. Jo! Edhe qeveria e tyre (Indisë) ka merita të mëdha për të varfër. Atë që Nëna Tereze iu ofroi këtyre „varfanjakëve“ është diçka tjetër: DASHURIA E KRISHTERË.

Sigurisht, Nëna Tereze, duke iu dhënë këtë dashuri të krishterë njerëzve të lënë pas dore nga shoqëria e vërbuar, kishte edhe kritika, që janë apsolutisht të paqëndrueshme për shumë arsye. Ç’është e vërteta, atë e kritikonin për punën tejet të vogël apo josinjifikative, e të parëndësishme në krahasim me nevojën e madhe që mbretëronte në popullatën e Indisë. Madje, ndihmat e limituara medicinale dhe metodat që i zbatonin Motrat e Dashurisë viheshin në pah – në kritizim, me qëllim që të diskreditohet dobishmëria e tyre.

Është më se e vërtetë, nëse mirret parasysh çështja statistikore se veprimtaria e nënës Tereze ishte e vogël dhe jo aq e rëndësishme në krahasim me nevojat e mëdha të popullatës në fjalë, e të mos themi të botës në përgjithësi, mirëpo secili që njeh mësimin e Krishtit do të pajtohet se krishterimi nuk është vizion statistikor i jetës, siç është pohimi antistatistikor, kjo për të cilën në Qiell do të ketë me shumë gëzim për një mëkatar që kthehet (pendohet), sesa për shumicën e të drejtëve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për veprimtarinë e Nënës Tereze.

Vetë Zoti i Nënës Tereze na ka mësuar që secili person në këtë botë, pa kurrfarë dallimi: race e gjinie, kombi e feje, e ka dinjitetin e vet të vlefshëm për çdo nderim. Për njeriun që është në përgjasim me Zotin, t’i mohohet dashuria e përgjithshme e të adoptohen gjykimet vetjake, pra ku bëhen diskriminimet, është një gjë e tmershme dhe sjell konsekuenca të pamoralshme. Do të ishte një auto-gjenocid. Këtu shihet shembulli i Nënës Tereze, i klithjes së saj për një botë më të drejtë, më humane e më civilizuese. Ja një zë i këtij shekulli që kërkoi ndërgjegjësimin e njeriut. E tërë jeta e Nënës Tereze do të duhej, më në fund, të kuptohet si një aksiomë filozofike.

Nëna Tereze arriti ta bëjë revolucionin e madh të dashurisë së krishterë në fund të shekullit XX, sepse kishte fe të gjallë në Zotin dhe feja për të ishte lidhje personale me Krishtin e mishëruar; Kisha ishte për të një Bashkësi, të cilës i takoi, të cilës i mbeti besnike e të cilën e dëgjoi, sepse kishte besimin e paluhatshëm se vetëm ajo mund t’i promovonte denjësisht planet e Zotit në këtë botë. Konfliktet e ndryshme që e rëndonin Kishën e saj, thoshte, do të kalojë edhe kjo periudhë, e Kisha do të mbesin si gjithnjë në histori ta plotësojë misionin e saj inspirues-hyjnor.

Feja, besnikëria, dashuria, flijimet… e Nënës Tereze kurrë nuk do të veniten, por gjithnjë do të sjellin dritë për njeriun e nesërm. Jeta e saj është tejet dritë e madhe që të errësohet; Krishtin të cilin e ndjekte është edhe mëtej shumë afër për t’u larguar nga njerëzimi. Fjalët dhe veprat e saja janë dritë e Rrëshajve, që do të vazhdojnë të shkëlqejnë deri në ditën e fundit.

Themi këtë, sepse feja e saj ishte jetë. Ajo predikoi Krishtin në çdo çast të ditës, duke jetuar me Të dhe për Të. Edhe sot ngurrohet nga shumë predikues të krishterimit të thuhet e vërteta mbi vlerën më të madhe që mund ta ketë një fe. Pra siç është krishterimi – rivelimi i mësimit të Jezu Krishtit të mishëruar Zot, që vjen të na shëlbojë e të na lirojë nga robëria e mëkatit. Vende-vende as që ëndërrohet sugjerimi i preferimit të krishterimit nga religjionet tjera, e të veprojnë në përkim me frymën e paraardhësve të tyre që, tekstualisht, e kuptuan urdhërin e Krishtit që të shkojnë nëpër mbarë botën e ta predikojnë Ungjillin, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë (ashtu siç i kemi edhe ne dokumentin e parë në shqipe, pikërisht kur i kanosej shurja e krishterimit te shqiptarët gjatë pushtimi osman). Përndryshe, drita e hiri i Zotit që e ndriçuan vazhdimisht shpirtin e Nënës Tereze si do të dërptojnë te popujt që ende nuk kanë dëgjuar për Jezu Krishtin e Nënës Tereze? Vërtet, do të ishte më se apsurd të mendohet se Nëna Tereze qe indifernte ndaj religjioneve, gjegjësisht mes kristianizmit dhe hinduizmit. Preferenca e saj është aq e qartë saqë secili pati mundësi t’i shohin përparësitë që sjell Zoti i saj, ashtu siç bëri Kryetarja e tanishme e Motrave të Dashurisë që u konvertua nga hinduizmi. E pra, ajo doli t’i bindin zonjat e zotërinjtë e vendit të merrnin pjesë në misionin e saj. Vërtet, Nëna Tereze mishëroi dashurinë e Krishtit që nuk mund të refuzohet!

Fenë e krishterë, siç e (për)jetoi dhe u rrit me të, ka një shprehje më kumptimplote e më të pranueshme sesa pohimet metafizike ose etike. Feja për të ishte më shumë një përvojë, sesa një teori; më shumë një mënyrë jete, sesa një ideologji; më shumë pjesëmarrës në mbretërinë shpirtërore të Hyjit, sesa në mbretërinë racionale të kësaj bote.

Në fillim të Ungjillit të Shën Gjonit thuhet: „Fjala u bë njeri e banoi ndër ne… plot hir e të vërtetë „. Historia e krishterimit është thjeshtë një paraqitje e pafundshme e procesit të Fjalës, që mishërohet dhe banon ndër ne, plot hir e të vërtetë. Ashtu mund të thuhet edhe për Nënën Tereze që përshkoi pothuajse tërë botën dhe ndriçoi me dritën e vet nëpër vende më të errëta, me fjalë të përshpirtshme e të ngrohta që jepnin shpresë, e besim nëpër zemrat e vetmuara edhe pa Zotin.

Njerëzit e këtij shekulli patën fatin ta shohin një DRITË gjithnjë të ndezur,që ndriçoi gjithkund dhe gjithkënd; në këtë kohë shpeshherë të egërsisë, e ajo ishte personifikimi i Ungjillit; në këtë kohë që duan ta shpallin ende Zotin e vdekur, ndërsa ajo paraqet Fjalën (Krishtin) që jeton ndër ne, plot mirësi e të vërtetë.

Kur analizohet jeta Nënës Tereze, atëherë vetvetiu shtrohet një pyetje: Nga e mori tërë atë fuqi shpirtërore, atë dinamizëm dhe atë energji? Ndoshta, e tërë ajo që mund të thuhet për Nënën Tereze qëndron në faktin se ajo ishte besimtare e thellë e LUTJES, e kurrë nuk prante a të mos lutej, apo të mos meditojë për katër (4) orë në ditë e të mos besonte ngultësisht në fuqinë e saj. Nëna Tereze nuk do të frikësohej a të mos thellohej në lutje, e cila (lutje) e nxjerr një përshpirtëri të pastër e të kulluat të shpirtit, e që kjo e lind shenjtërinë e njeriut për t’i përballuar „shenjtërive“ të kësaj bote. Vetëm kështu ajo arriti të bëhej dëshmitare e vërtetë e krishterimit dhe njerëzimit, e dashurisë së Krishtit, në kohë dhe hapësirë, për shëlbimin e njeriut, ashtu siç ishte mësuar edhe vet prej Jezu Krishtit. Kjo, siç u zu goje edhe më lartë, është filozofia e jetës së Nënës Tereze që zgjidh shumë probleme në dritën e mistereve të krishterimit. Jeta e saj mund të thuhet ishte një sintezë e filozofisë skolastike, sepse bëri të shohim se qenia e njeriut ka zanafillën dhe kuptimin e vet te Qenia apsolute-te Zoti, që mishërohet për njeriun.

Edhe këto fjalë po me duken të zbehta për ta paraqitur me këtë rast një Nënë me plot mirësi hyjnore për njerëzimin e kohës së sotme, një Nënë me plot dashuri të Zotit për të afërmin, një Nënë me shpresë për të ardhmen e pasigurt të njeriut, që ka mbyllur zemrën dhe sytë për vlera shpirtërore e, më në fund, për një Nënë që u flijua krejtësisht për njeriun, si vlerë më e madhe e dashurisë së Zotit nga të gjitha krijesat e veta.

Edhe lajmin i fundit që e mora mbi kalimin Nësnë Tereze në amshim, e përjetova nën ndriçimin e hirit, si diç të shenjtë, ashtu siç ishte edhe ajo e shenjtë. Ç’është e vërteta e për befasi, unë nuk luta për shpirtin e saj, siç është traditë ndër të krishterë, por fillova aty për aty t’i lutem spontanisht, që të ndërmjetësojë te Zoti sa më parë për zgjidhjen e çështjes së gjithmbarshme të popullit të saj e që në meditime bëja apel te të gjithë shqiptarët vullnetmirë që t’i luten kësaj Shenjtëreshe, këtij Engjëlli tashmë qiellor, që t’i mishërojë në dashuri, mirësi, bamirësi dhe vyrtyte të tjera njerëzore-hyjnore.

Përfundim

Po përfundoj ende duke pyetur, se kush ishte kjo Nënë Terezja?
Ndoshta këtë më së miri e shprehu edhe vetë populli nga katër anët botës, pa dallim feje e kombi, race e gjinie, duke klithur si kurrë më parë e një zëri: „KJO ISHTE SHENJTRESHË E GJALLË“ dhe e lutnin Shenjtrinë e Tij Papën Gjon Palin II menjëherë ta shpallnin të shenjtë, pa i vezhguar procedurat e gjata kanonike, meqë të gjithë besonin se kjo tashmë e gëzonte lumturinë e amshueshme. Këtyre klithjeve të shumta, gjithsesi iu bashkangjit edhe lutja e Papës Gjon Pali II (dhe ky që i shkroi këta dy – tri rreshta me përlotje), që sa më parë të shpallet e shenjtë, duke i premtuar botës se kjo do të ndodh së shpejti, para Jubileut të madh të krishterimit: 2000 vjetorit. Kjo ngjarje historike sigurisht do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua e, sidomos, për popullin shqiptar nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë. Kjo e shpërbleu për amshim popullin e vet, duke edifikuar botën e shumë civilizimeve, kulturave e religjioneve të ndryshme që, sipas njohurisë sonë, të ketë pasur rrallëherë në histori aq PERSONA MADHSHËTORË E NË ZË SHENJTËRIE, siç ishte Nëna jonë Tereze. Për këtë shqiptarët dhe mbarë bota duhet të jenë falënderues për amshim.