Për shumë vetë që e kanë takuar emrin e profesor Kolë Ashtës cilësori “Letrar” do ngjajë paksa i sajuar, sepse vazhdojnë ta lidhin figurën e tij ose me gjuhësinë ose thjesht me arsimin. Janë pak ata që dinë se profesor Kola ishte i thirrur për letërsi dhe e ushtroj këtë zeje hyjnore përgjatë gjithë rinisë së tij të hershme.
Kjo përmbledhje, besoj se shterruese, do i afrojë këtyre njerëzve, dhe të tjerëve, një prespektivë të re nga mund ta shohin portretin intelektual të Kolë Ashtës.
Kolë Ashta, siç e kam njohur
Një dorë e madhe, më shumë e gjatë se e bëshme, me gishtërinj të hollë, thonj të prerë rrumbullak dhe me një rreth ari në të katërtin, sheshonte sipërfaqen e rërës, duke zhdukë me këtë rast edhe gjurmën e një germe, për të shkruar më pas germën e rradhës.
Është pesëmbëdhjetë ditëshi i dytë i gushtit të vitit 1973. Velipojë. Plazh. Ndën të njëjtën çadër gjenden dy zonja, që na kanë kthyer kurrizin, dhe një burrë që kërkon të më tërheqë vemendjen me një buzëqeshje të pambarimtë.
Ime më me zyshë Netën vazhdojnë e flasin me zë të ulët me vështrimin nga deti. Ime motër, adoleshente aso kohe, me siguri që lahet ose shetit bregut. Im atë vjen vetëm mbasditeve dhe ikën mjeseve për në punë.
Unë jam vetëm me Atë. Zotni Kolën apo profesor Kolën, siç e thërrasin prindërit e mi. Atë vit unë jam 8 vjeç, kurse ai sa ç’jam unë sot, 55.
Dhe meqë po i afronte mosha e pensionit, si shpërblim për punën e mirë, udhëheqësia e Shkodrës kishte vendosur t’i jepte një kabinë plazhi, jashtë sezoni.
Dita e parë e plazhit dhe në vend që të lodrojë nëpër breg ka gjetë një orë kohë që të më japë mësimet e para në greqishten e vjetër. Kulmi! Po përpiqet të më mësojë alfabetin. Alfa, beta, gama, delta dhe ndonjë fjalë tjetër nëpër të. Dhe kështu më duket se më ikën e gjithë paraditja.
Pastaj vijnë shetitjet e mbasditeve vonë, bregut. Sërish zyshë Neta me t’ime më përpara. Profesor Kola me t’im atë, ish nxënësin e vet të gjimnazit, mbrapa. Unë disi si më i shmangur, por ama gjithë veshë te biseda e tyre.
Më vonë, kur nis të mendohem gjatë për atë burrë, kujtohem se ai vinte për vizitë të paktën njëherë në vit, në dhjetor, me date 17, për ditën e emrit të t’im eti. Ishte vizita e fundit. Mbas tij zor se vinte kush. Qëllonte shpesh të mos gjente njeri tjetër kur vinte dhe kjo padyshim që për të ishte lumturi e madhe. Ai pastaj fliste. Por rastiste edhe që ta gjente dhomën plot. Dhe ai pastaj heshte. Heshtja e tij zgjaste derisa dikush merrte guximin ta pyeste për diçka, për diçka që kishte lidhje me gjuhësinë natyrisht. Për mbiemrin e vet përshëmbull.
Ndonjëherë këtë rol “pasuesi” e merrte im atë. Ai s’përtonte ta përsëriste pyetjen rreth mbiemrit “Ashta”. E atëhere profesori ia niste shpjegimin. Kishte një tik, një si mbyllje buzësh e një si shpërthim të vogël ajri që i dilte prej hundësh, para se të fillonte bisedën. Dukej se ai çast i vetëm i mjaftonte për t’i përmbledhë në mënyrë metodike të gjitha që do thoshte. Ah, “Ashta”?! Ashta vjen nga ahishte, vend me ahe. Ndoshta vijmë, dikur, heret, edhe prej këtij katundi në të hyrë të Shkodrës, Ashtës.
Mandej në kujtesë më vijnë vizitat në shtëpinë e tij. Sa më shumë rritesha dhe përdëllohesha në punët e letërsisë, aq më të shpeshta bëheshin vizitat në shtëpinë e tij. Derën e oborrit të vogël e hapte gjithmonë zysh Neta, mbasi që ia merrte përgjigjen pyetjes së bërë që në krye të shkallëve: “Kush a?” Mandej zysh Neta e lajmëronte profesorin që nga oborri se kush po vinte, dhe ai varësisht nga konfidencat me përsonin që po hynte, zhdukte nga tavolina e punës librat dhe letrat që s’ishte e mira t’i shihte vizitori.
Përshkoje një oborr minimal, dy këmbë shkallë dhe fill djathtas te dhoma e ndenjes. Dhoma e ndenjës, e bukës si dhe studioja e profesorit qe tragjikisht e vogël. Shtëpia gjithashtu me gjasë kishte vetëm dy dhoma simetrike dhe një korridor. Sa hyje në dhomë të ndenjes, përballë ishte një tavolinë e madhe, e vjetër e mbuluar me mushama, mbi të cilën një xham i trashë. Mbi tavolinë shumë lapsa të mprehura picigjati, me stil. Një lupë. Mbas tavolinës, rrasë për mur, nga toka deri në tavan një sergjen me libra i mbuluar me një perde basme. Midis tavolinës dhe sergjenit një njeri i papepur, hero i dijes, kalorës i heshtjes, profesor Kolë Ashta.
– Si je profesor?
– “Si qoftë hajri e baftë Zoti,
Orën çuet po e ka Hoti”.
Këto dy vargje të “Lahutës së Malcis” ishin edhe përgjigjia e tij e zakonshme.
Aso kohe, diku në gjysmën e parë të viteve ’90, profesor Kola kishte ngut. Ai donte me çdo kusht t’i jepte fund projektit të tij madhor “Fjalori historik i gjuhës shqipe”. Kishte arritur në finale. Mbeteshin edhe pak metra deri në finish, ndaj dhe vetëm për këtë çështje mund të flitej me të.
Mirëpo ai qe i vëmendshëm edhe ndaj debateve të tjera që nisën të rilindnin mbas rrëzimit të komunizmit. Kur guzova atëherë ta pyesja për temën e nxehtë të atyre viteve: Gjuha letrare: Gegnishtja apo Toskërishtja? Ai më tha: “Fatkeqësisht nuk kam ma kohë, por do ulesha më kënaqësi me shkrue një punim, për me vertetue se gegnishtja me toskërishten ato janë kaq afër, saqë nuk janë dialekte. Ata janë thjeshtë të folme.”
E kështu, vite më vonë, me gjetjen e mjeteve për botimin e vëllimit të parë të veprës së tij madhore “Fjalori historik i gjuhës shqipe” pata fatin të merresha vetë. Ishte fillimi viti 1998 dhe zyra e Fondacionit “Soros” në Tiranë ofroi një shumë të mjaftueshme për botimin e vëllimit të parë. Vepra e plotë përbëhej nga shtatë vëllime.
Mbaj mend se ky vëllim u përgatit për botim nga ish kolekegët apo dhe ish studentët e tij të dashur, profesorët Simon Pepa, Tomor Osmani dhe Tef Topalli. Libri u shtyp ndën siglën e Universitetit të Shkodrës, në shtypshkronjën “Volaj”, që gjendej kund njëqind metra përtej shtëpisë së profesorit.
Kur mora ekzemplarin e parë vrapova për nga shtëpia e tij, hyra me kaq gëzim dhe entuziazëm te dhoma e tij, sa ç’mbeta edhe i shtangur kur nuk e gjeta në vendin e vet. Ai rrinte te tavolina e bukës përbri skrivanisë dhe buzë stufës me dru. Ishte thuajse tërësisht i verbuar. Zysh Neta u afrua gjithashtu te libri dhe të dy përnjëherë ia prekën me dorë kapakët.
Edhe gëzimi qe i përmbajtur, tamam si jeta e tyre e përujntë…
Kolë Ashta “bachelor”
Kolë Ashta u lind në Shkodër më 1918. Ai ishte fëmijë i vetëm dhe shumë shpejt edhe jetim, për shkak të vdekjes së të atit, Balto Ashtës. E ëma bashkë me të motrën, beqare, ia dalin ta rrisin me thonjt e duarve, duke bërë gjithfarë punësh të ndershme dhe të përunjta.
Mësimet e para Kola i merr në qytetin e lindjes dhe tregohet një nxënës i shkëlqyer. Aq i shkëlqyer sa e ëma pranon t’i vazhdojë sakrificat dhe të mos e fusë në punë para kohe. Ajo e kupton se rruga e birit të saj është shkolla. Oso kohe në Shkodër ekzistonin tre gjimnaze: ai i fretënve, i jezuitve dhe i shtetit. Mirëpo koha e mbarimit të shkollës bazike dhe e regjistrimit në të mesmen për Kolën koinçidon me mbylljen e shkollave private në vitet 1933-1936. Për këtë arësye Kola rregjistrohet te gjithmnazi i shtetit. Aty u bë shok jete me Pashk Gjeçin[1], me të cilin kishin lindur në një vit, mbaruan gjimnazin bashkë si dhe ndoqën studimet universitare.
Më 1938, në moshën 20 vjeçare, me anë të një burse shtetërore fillon studimet për filologji në Universitetin “La sapienza” të Romës, ku edhe laurohet më 1942, në Fakultetin “Filosofie e lettere”.
Nga viti 1942 deri më 1944 nis punën si sekretar shkencor në Institutin e Studimeve Shqiptare në Tiranë, ku qenë bërë bashkë personalitete të tilla si: Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, Át Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimiter Berati, Át Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma, Dom Lazer Shantoja, etj.
Nga viti 1945 deri më 1949 shërben si mësues i gjuhës dhe i letërsisë në Berat në shkollën “24 Maji”, që ishte shtatëvjeçare, por edhe gjimnaz..
Në vitin 1950 kthehet në Shkodër dhe martohet me një arsimtare shkodrane të quajtur Karmina Gurakuqi[2]. Të gjitha vitet e martesës nga 1950 deri më 1955 i shpenzoi si mësues në Normalen e Elbasanit. Në fund të vitit 1955 Karmina sëmuret nga tuberkulozi dhe vdes krejt e re, pa lënë fëmijë.
Më 1956 deri më 1965 dha mësimin e letërsisë në Gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, nga ku ish nxënësit e tij trashëgojnë kujtime të mrekullueshme. Ata e kujtojnë si njeri fantazist, të mbushur me pasion, përson që mizanskenonte dhe mbushte me imazhe vepruese fragmente të ndryshme të letërsisë shqipe dhe të huaj. Të gjithë ndajnë të njëjtin opinion se profesor Ashta shkëlqente në interpretimin e letërsisë arbëreshe.[3]
Pas vdekjes së gruas së parë të dashur, Kolë Ashta më 1957 martohet me një tjetër arsimtare, ish sportiste, me zyshë Aneta Baba, me të cilën ngrys jetën, duke e pasë jo vetëm bashkëshorte, por edhe një bashkëpuntore të ngushtë.
Në vitin 1965 profesor Kolën e marrin në katedrën e Gjuhës Shqipe të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës për të dhënë lëndën e Leksikologjisë dhe Gramatikës Historike të gjuhës shqipe. Ai punoi aty deri sa u pensionua më 1976.
Nga viti 1976 dhe deri në fund të jetës ai i jepet me mish e me shpirt përfundimit të punës për hartimin e Fjalorit Historik të gjuhës shqipe. Ai e kishte të qartë arkitekturën e kësaj ngrehine monumentale. Në mendjen e tij ky projekt i kishte “vetëtuar”[4] në krye që kur bëri divorcin me letërsinë, ndaj i dinte përmendësh rrugët sesi i dileshe në fund. Duheshin vetëm shëndet, kohë dhe vullnet, çka të cilat Zoti ia fali. Kështu që në vitin 1997, një vit para se të ndahej prej nesh ai i kishte përfunduar të shtatë vëllimet e kësaj vepre jete.
Vdes më 1998 në qetësi dhe përultësi të plotë.
Hyrje-dalja e Kolë Ashtës në letërsi
Hyri në letersi pa emër. Si shumë të tjerë edhe ai përdori një psudonim. Zgjodhi t’i bëjë hapat e para me pseudonimin “Shkaba”. Ngandonjëherë, në të rradhë përdori edhe: “a” apo “o”. Mbas mbarimit të universitetit nisi të shfaqej me emrin e tij të vertetë. Dhe pikërisht atëhere, sapo vetëtoi në qiellin letrar shqiptar, në moshën 26 vjeçare, e braktisi letërsinë, kritikën dhe studimet letrare, duke na lënë mbrapa një trashëgimi të pabesueshme në këto fusha.
Kolë Ashta fill mbas çlirimit e ndërpret krejtësisht raportin me letërsinë. Kohë më vonë i rikthehet krejt përkohësisht asaj, duke u vënë në kërkim të aspekteve letrare dhe estetike të autorëve të vjetër dhe rishfaqet në shtypin shkencor me një tufëz studimesh si: “Tue u ndalë ndër shkrimtarë të veriut nga shek. i XVI në shek. XVIII, “Në kërkim të anës letrare të Matrangës.”, “Pjetër Budi, prozator e vjershëtar”, “Frang Bardhi shkroi të parën apologji për Skënderbeun më 1636.”, punime të cilat janë më së shumti filologjike sesa letrare, në kuptimin estetik të kësaj fjale.
Siç e thamë më sipër, një pjesë e madhe e krijimtarisë dhe kontributit tjetër letrar gjendet e nënshkruar me pseudonimin “Shkaba”. “Shkaba” kishte me qenë një anagramë e emrit të vet, emrit të babës dhe mbiemrit. Pra nga Kolë kemi “k”, nga Balto kemi “ba” dhe nga Ashta kemi “ash”.
Mirëpo mbas ardhjes në fuqi të komunizmit, Kolë Ashta heqë përfundimisht dorë nga letërsia. Ai heq dorë fillimisht nga krijimtaria letrare, studimet dhe kritika dhe më pas heq dorë edhe nga mësimdhënia e letërsisë. E pra vazhdonte epoka kur mësuesi i letërsisë ishte qënia më e dashur për nxënësit. Kur ndodhi një gjë e tillë Kolë Ashta ishte novic në veprimtarinë e vet letrare. Kishte vetëm tetë vjet. Ai sapo kishte filluar të skuqej si molla në degë, kur nisë me u pjekë. Dhe tamam në këtë kohë struket në gjuhësi, në gjuhësinë historike, te autorët e vjetër të shqipes, ku edhe shndritë me aftësitë e veta interdisiplinore filologjike. Sepse fundja një njeri si ai dinte të bënte mirë gjithçka që i çasej.
Po pse hoqi dorë nga letërsia? Ai hoqi dorë nga letërsia për të mos tradhëtuar veten, formimin e tij, arealin kultural prej nga kishte ardhur dhe kujt i përkiste. Kolë Ashta nuk do që t’ia fali kujt muzën e vet dhe aq më pak një ideologjie antihumane, që promovonte ide refraktare për krijimin e një përbindëshi, që do quhej Njeriu i Ri, me të cilin Kola nuk u lidh asnjëherë, deri në vdekje.
Letërsia e rrezikonte, siç kishte rrezikuar shokët e tij të burgosur Arshi Pipën, Pashko Gjeçin, Nikollë Dakën etj, etj
Fillimet letrare
Ka qenë hiç më shumë se 18 vjeç kur revista më seroze dhe skrupuloze e kohës, “LEKA”, e themeluar nga etërit jezuitë, ia hapë dyert. Madje me këtë rast revista themelon edhe një rubrikë për shkrimtarët dhe përkthyesit e rinj të titulluar “Për nji edukim ma methodik në lamë letrare”, duke kërkuar publikisht falje se: ”Kemi pasë gjithmonë dishir t’napim të rijvet nji lamë punimi ndër fletë të rivistës s’onë. Por ndopak serjoziteti i fysionomis se sajë, ndopak rrebtsija e zyres s’onë censures e kanë frigue deri sot mase nji nder ta.”, duke përfunduar kështu shënimin redaksional me fjalët: “Në kaq botojmë nji perkthim poetik të vogel, ne te cillin perkthyesi i ri ka diftue gjith at vullndet të mirë qi jep shpresë perparimi të vertetë.”[5]
Përkthen tekste nga autorë si John Ruskin[6]. Po kështu përkthen nga Renato Fucini[7]. Sjell në shqip poezi nga poetë shumë të rëndësishëm të modernes italiane si p.sh Giovanni Pascoli[8] apo nga Giosuè Carducci[9]. Nga ana tjetër profesor Kola i kushtohet edhe neoklasikes italiane, duke çmuar kësisoj edhe vështirësitë e përkthimit. Përkthen nga ajo letërsi Giuseppe Giusti[10] dhe Vincenzo Monti[11].
Dy janë revistat ku shfaqet më rëndom emri i Kolë Ashtës. Revista “Cirka” që botohej në Shkodër dhe revista “Shkëndija” që botohej në Tiranë.
Revista “Cirka” nisi të botohej më 1936 dhe jetoi deri më1938. Drejtor ishte Cuk Simoni, përkthyes dhe një ndër esperantistët e parë shqiptar. Revista publikohej dy herë në muaj. Trajtesat ishin te karakterit kulturor, historik, social dhe folklorik kryesisht të lidhura me krahinën e Shkodrër. Vend te veçantë në revistë zinin rubrikat kulturore të Shkodërs. Në të shkruajtën firmat më të dëgjuara shkodrane dhe më gjërë. Në këtë revistë mund të gjejmë fondin themelor të krijimtarisë së Kolë Ashtës, botuar me pseudonimin “Shkaba”.
Në revistën e dytë “Shkëndija” kemi kontributet e tij kritike dhe estetike. Numrii parë i “Shkëndijës” doli në korrik të vitit 1940, ndërsa numri i fundit, i njëmbëdhjeti, është i vitit 1943. Ky organ drejtohej nga shkrimtari Ernest Koliqi, kurse drejtor përgjegjës ishte Selahudin Toto. Por nga numri 1 i vitit 1942 drejtor përgjegjës dhe pronar u bë Ernest Koliqi. Shkëndija ishte periodiku kryesor letrar në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Nis të botojë edhe jashtë Shkodrës së tij, si p.sh në “Rilindja” (1934-1936): revistë e përdyjavshme shoqërore, kulturore dhe letrare që u botua në Korçë. Pjesën më të rëndësishme të kësaj reviste e përbënin artikuj ku u përshkrua gjendja sociale e vendit, ndërsa në rubrikën letrare të saj u botuan shkrime nga autorët e rinj.
Me rëndësi gjithashtu është edhe bashkëpunimi i Kolë Ashtës me revistën “Koha” (Il Tempo) që dilte aso kohe në Itali. Kështu përshembull në hyrje të studimit të tij “Përmbajtja idilike e “Lahutës së Malcis”, redaksia e “Kohës” ka shënuar: “Nji ndër përfaqsuesit ma mëdhej të letërsisë së re shqiptare asht sigurisht edhe Dr. Kolë Ashta i lauruem tash së fundi prej universitetit Mbretnuer të Romës. Për koncesjon dashamirë të tij sod mundemi të botojmë nji copë prej tezit të laurës së tij qi rreh gjanë e gjatë aspektet e shumllojshëmtë poemës s’onë kombëtare, Lahutës së Malcis”[12]. Po kështu edhe në numurat e tjerë redaksia nuk ka pushuar së vlerësuari zotësinë dhe të ardhmen e sigurtë të djaloshit të ri: “Po vijojmë të nxjerrim prej thesit të laurës së Doktorit Kolë B. Ashta, këte parafrazë të poemës s’onë kombëtare, siç asht studjue dhe ndamë prej tij në rragatjen e dijshme dhe të thellë qi ka bamë para profesorëve të Fakultetit të Letrave në Universitetin Mbretnuer të Romës.” Kurse te “Përmbajtja epike e “Lahutës së Malcis” thuhet: “Po botojmë artikullin e fundit të nxjerrun prej analyses së holl të Doktorit Kolë B.Ashta mbi poetin t’onë kombëtar dhe kryeveprën e tij: “Lahuta e Malcis”.
Kolë Ashta shkrimtar
Fillimet e veta Kolë Ashta i ka si shkrimtar. Si shumica e njerëzve të dashuruar mbas letërsisë si lexim, por edhe si pasqyrë e shpirtit të trazuar, e fillon me poezi. Janë dhjetë poezi që kemi arritur të mbledhim nga rinia e tij. Ato janë të thjeshta dhe rrinë paqësisht në rrjedhat e poezisë së kohës, që po tentonte të shkëputej nga klasikja dhe romantikja e sheqerosur.
Në poezitë: “Marí!”, “Poezija e rinís”, “Kështjelli i Shkodrës”, “Natë dimni”, “Natën”, “Rapsodi i malit”, “Vjollcës”, “Kur të kalojë dimni”, “Melodi e venitun”, “Due”, Kolë Ashta paraqitet si një djalosh me virtyte poetike, të mbështetura te shprehitë e lindura melodike, senset temporitmike dhe shqisa të tjera të mprehura për t’i hyrë lëmisë poetike.
Në prozë ai qartazi është në ndikimin e shkrimtarëve të rinj të kohës. Veçanërisht sa i takon lëvrimit të prozës së shkurtë, që ishte një frymëzim poetik i derdhur në forma më komunikuese, profesor Kola është në rrjedhat më të dlira të shkrimtarëve bashkëkohës si Koliqi, Migjeni, etj. Prozat e tij të shkurtëra si: “I pshtuem”, “Nji jetë”, “Pênda”, “Malsorit”, “Zemër e ndrydhun”, “Kangatarja endacake”, “Jeta e Andres”, “Gjarpni”, “Jetesa” etj.
Kolë Ashta ka dy burime estetike nga të cilat ushqehet. Njëra është letërsia shqipe e kultivuar veçmas në qytetin e tij dhe prej autorësh të rëndësishëm dhe burimi i dytë është ai i leximeve kryesisht nga italishtja dhe frëngjishtja.
Kolë Ashta kritik
Kolë Ashta përsa kohë që u mor me letërsi, shkelqeu në kritikë. Ai ishte edhe i talentuar të merrej me këtë zeje, por ai ishte edhe i arsimuar më së miri në të njëjtën kohë. Kolë Ashta dëshmon se njeh më së miri të gjithë teknologjinë e hartimit të tekstit letrar si dhe të gjitha teknikat e zbërthimit të tij. Kolë Ashta dëshmoi me kritikat e veta se ishte i aftë ta nxirrte tekstin nga konteksti pa e dëmtuar atë; ta zbërthente tekstik letrar në detaje; t’i kundronte një e nga një detajet duke kuptuar kësisoj funksionin e tyre në të tërën; dhe pastaj ta vendoste tekstin edhe njëherë në kontekst. Tamam ashtu siç zhbërthehet dhe mbërthehet një makinë. Por në pikpamje të shkollës kritike që ndoqi dhe së cilës if përket ai qe positivist.
Ai dëshmoi se e vlerësonte historinë e letërsisë dhe të arteve shqiptare si një dëshmi specifike e karakteristikave kombëtare, si një mjet për të njohur psikologjinë e popullit tonë. Posaçërisht historia e letërsisë nisi të shihej prej tij si studim i paanshëm, që do të mund të shpjegonte dukuritë historike dhe zhvillimin e tyre dhe, duke u bazuar në spjegime të tilla, do t’ia dilte të shpjegonte edhe veprat e veçanta artistike, si përmendore të ndryshimeve përgjatë zhvillimeve historike të shoqërisë njerëzore.
Në një kuptim më të ngushtë të termit, pozitivizmi i aplikuar si metodë filozofike në shkrimet e profesorit mund të konsiderohet si bindje për ta kuptuar veprën artistike në bazë të të dhënave të nxjerra nga jeta e autorit. Këtë metodologji leximi dhe interpretimi Kolë Ashta e dëshmon gjithandej në kritikat e veta, si në: “Rozafa e Dom Ndre Zadejës”; “Novelat e Mihal Gramenos”; “Mihal Gramenua “Vdekja e Piros””; “Mallkimi i gjuhës shqipe”, komedi e Mihal Gramenos”; “Ndieshmenia e re lirike të Nexhat Hakiu” etj. Etj.
Kolë Ashta polemist dhe veprimtar
Entuziazmi i studentit të letërsisë Kolë Ashta si duket se shkakton turbullira në opinionet letroro-estetike të kohës. Që në çastin kur ai boton artikullin e vet te “Shkëndija” të titulluar “Për nji kritikë letrare”[13]nxit reagime pro e kontra. Asgjë që shkruan Kolë Ashta nuk kalon në heshtje. Këtu është me interes të permendim reagimin e Dr. Kolë Prela në revistën e famshme “Hylli i Dritës” me titull “Kundrime letrare”[14], me të cilin artikull ai nuk bie dakort me mendimin e Kolë Ashtës se kritika duhet me i “shenjue udhën letratyrës”.
Një tjetër polemikë në të cilën Kolë Ashta është aktiv është ajo e hapur nga At Gjon Karma S.J edhe ky jezuit pra, në mbrojtje të gjenialitetit poetik të Dom Ndre Mjedës. Në këtë polemikë që mund të thirret me emra të ndryshëm të tipit “Fishta apo Mjeda?” apor “A asht poet Ndre Mjeda” etj, marrin pjesë shumë personalitete të kohës si At. Fulvio Cordignano S. J, Kolë Kamsi, Nikollë Dakaj, Filip Fishta, Nikë Barcolla[15], Henrik Lacaj dhe në fund edhe Kolë Ashta, i cili qe shprehë qartë se: “… Fishta lartohet porsi epiku dhe satiriku ma i madh i Kombit…. Mjeda n’anë tjetër xen vendin e parë si poet lirik klasik. Cui honor, honor!”[16]
Ndërkaq, po atë vit, më 1943, me t’u botuar në gjuhën shqipe romani i famshëm i romanticizmit italian “Të fejuemt” e Aleksandër Manzonit, Kolë Ashta shkruan një recensë[17], me të cilën me dashje apo jo, hapë një polemikë, në të cilën do implikohën dy grupe njerëzish, që po i thërrasim konservatorë dhe liberal, apo pro dhe kontra çështjes së gjuhës letrare.
Në artikullin “Pse gegnisht Manzoni…?”[18], përkthyesi At Mark Harapi S.J, vëllai i filozofit dhe publicistit të famshëm At Anton Harapi o.f.m mbasiqë merret me qëndrimet me artikujshkruesve të gazetës “Balli i Rinis” dhe “Shkëndija, përkatësisht “Thumbi” dhe Skënder Pirro, shkruan:” Porse në marc (1943), nji tjetër (e kësaj here jo toskë, por gegë, e madje shkodranë: Kolë Ashta), krejt shoqi i tij, kinse po din ma mirë, duel me diçka ma të gjatë.”
Në mbështetje të tezës së Kolë Ashtës, se përkthimi duhej të qe bërë në një gjuhë “të mesme” dhe jo në shkodranisht del edhe një bashkëmoshatar i tij, Nikollë Daka me artikullin “Kështu i don mushka drut” (Dy fjalë me mustakoça)[19]
Polemika pastaj vazhdon sërish me reagimin e përkthyesit At Mark Harapit S.J. e kësaj here në revistën e vet “Leka”. Kësaj here ai përveçse me Nikollë Dakën merret sërish me Kolë Ashtën[20].
Është me interes gjithashtu që të ceket në këtë hyrje se Kolë Ashta qe një ëndërrimtar dhe progresist i madh. Ai kishte në kokë modele emnacipuese kulturore europiane që donte t’i implementonte me çdo kusht edhe në Shqipëri. Në këtë kontekst është e tij iniciativa që: “Instituti Mbretëror i Studimevet Shqipëtare, Akademia Albanologjike e Shkodrës dhe Bibliotheka “Dine” e Korçës që po pajohen me nga një seri të plotë e të njëjtë prej 100 e kusur manuskriptesh shqipëtare kombëtare.”[21]
Në lidhje me krijimin e këtij fondi dorëshkrimesh dhe me të ardhmen e këtij projekti ndrinstitucional, reporter i “Tomorit” na njofton se: “…në vargun e botimeve që do të duhet të shtypen ndënë mbititullin “Corpus Scriptorum Albanesium”, një endërr shqiptare e vjetër këjo e të ndjerit Janon Vreto Postenani, edhe një ëndërr e re, e sotme, që e tfaq me shumë vlagë profesori i ri shkodranë Kolë Ashta.”[22]
_____
[1] Pashk Gjeçi (Shkodër, 1918 – Tiranë, 2010) qe poet, dhe përkthyes i “Komedisë hyjnore” të Dantes dhe “Odisesë” së Homerit.
[2] Shiko: Gurakuqi, Karl. “Qi të mos harrohen”, ditar. Vëll. 1, fq.174. Dorëshkrim.
[3] Nga bisedat me xhxhanë tim Cezar Capaliku, ish nxënës I profesor Kolës.
[4] “Më vetëtoi idea” shprehje tipike e profesor Kolës.
[5] Shih: Revista “Leka”, fëruer, VIII/1936, nr. 2, f. 69.
[6] Kritiku kryesor i artit anglez i epokës viktoriane, si dhe një mendimtar i shquar shoqëror dhe filantrop
[7] Poet dhe shkrimtar moralist Italian, i njohur edhe me pseudonimin Neri Tanfucio
[8] Poet, studiues klasik dhe një figurë emblematike e letërsisë italiane të fund shekullit XIX, që së bashku me Gabriele D’Annunzio, ishte poeti më i madh dekadent i Italisë.
[9] Poet, shkrimtar, kritik letrar me shumë me ndikim dhe i vlerësuar si poeti zyrtar kombëtar i Italisë moderne
[10] Poet satirist Italian.
[11] Poet, dramaturg dhe përkthyes neoklasicist.
[12] Shih: “Koha” nr. 30 Milano 25 shkurt 1943”
[13] Shih: Revista “Shkëndija”, gushta-shtator 1941, fq.61
[14] Shih: Revista “Hylli I Dritës” fq. 453-456
[15] Pseudonim i Dom Nikollë Mazrrekut.
[16] Shih: “I tretuni”. Revista “Shkëndija”, viti III, nr.3, janar, 1943
[17] Shiko: “Manxoni- Të fejuemit- At Mark Harapi S.J” botuar në revistën “Shkëndija” vj.III, nr.5 Tiranë mars 1943
[18] Harapi, Mark. “Pse gegnisht Manzoni e jo në gjuhë zyrtare?”. Revista “Leka”. Nr.6. Shkodër, 1943
[19] Shih: Revista “Shkëndija”, viti III, nr.10. Tiranë, gusht, 1943
[20] Shih: “Shkoj shyta me marrë brienat e la edhe veshët”. Revista “Leka”, viti XV, Shkodër, 1943
[21] Shih: Gazeta “Tomori”, 28 maj 1942.
[22] Po aty