Meditime

Ardhja

Adventi.

Lat. Adventus, “arritje”; advenire, ‟arrij”. Fjalë që fillimisht bënte të ditur ardhjen e hyjnisë në tempull, dëftimin e tij (gr. ἐπιφάνεια, “dëftimi”), hyrjen a arritjen e parë të ndonjë sunduesi pas marrjes së pushtetit, fronëzimin e perandorit, përkatësisht hipjen e tij në fron; fjalë e përvetësuar nga të krishterët dhe e përdorur që në krye nga krishtërimi për ardhjen e Krishtit në mesin e njerëzve, përkatësisht për mishërimin e tij, dëftimin e tij në trup dhe ardhjen e tij të sërishme, ardhjen e dytë (gr. παρουσία, “kthimi”).

Ardhja.

Lat. AdventusAdventus Domini, “Ardhja e Zotit”. Kohë liturgjike me një gjallëri këngësh dhe vëzhgimesh të lidhura ngushtë me Krishtlindjen dhe Dëftimin që dikur zgjaste gjashtë javë; kohë e shenjtë e krishterimit për t’u bërë gati për festën e lindjes së Krishtit nga Nazareti (për Krishtlindje), por njëherit edhe për ardhjen e dytë të Krishtit, atë eskatologjike (në mbarimin e shekujve); kohë liturgjike që qëndron më vete, me ç’rast fillon viti i ri kishtar dhe, bashkë me Krishtlindjen dhe Dëftimin, shfaq paraqitjen e Krishtit në historinë tonë; periudhë tashmë katërjavëshe liturgjike, e quajtur shpesh dhe në gjuhën tonë, sipas latinishtes, advent, në të cilën nuk thuhet Gloria, sepse Kisha dëshiron që ajo të tingëllojë më fuqishëm dhe si këngë e re engjëllore në Krishtlindje; stinë liturgjike, e quajtur dikur dhe “Koha para lindjes së Krishtit” (tempus ante natale Domini) ose “Koha e ardhjes së Zotit” (tempus adventus Domini) përkushtuar përgatitjes së Krishtlindjes; stinë kishtare me një ton të pendesës së gëzueshme që nga lashtësia e krishterë dhe përdorim të ngjyrës vjollcë, për të shënuar pikërisht pendesën dhe përgatitjen për festa të mëdha, pos të dielës së tretë, të quajtur Gaudete, kur përdoret ngjyra e trëndafiltë (roseus), për të shfaqur gëzimin paraprak dhe lumturinë; kohë e ngulmimit në lutje dhe uratë më shumë se rëndom, në të cilën ka epërsi pritja dhe shpresa, përgjimi dhe përqendrimi, me ç’rast, që nga fillimi i vitit liturgjik, del në spikamë e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja, dhe fillon me mbrëmësoren e parë të së dielës së parë të Ardhjes dhe përfundon në Natën e Shenjtë me mbrëmësoren e parë të Krishtlindjes.
Data më e hershme fillimit të Ardhjes është 27 nëntori, ndërsa më e vona 3 dhjetori, dhe në këtë hapësirë kohe kremtohen Meshat agimore (Rorate) për të simbolizuar gatishmërinë a të qenët zgjuar të të krishterëve në kohën e përgatitjes për Krishtlindje. Koha e Ardhjes në krishterimin perëndimor zgjat 22 deri 28 ditë duke përfshirë katër të diela, përpos dioqezave me ritin ambrozian. Shkaku ose fakti, që shpjegon a përligj një kohëzgjatje të ndryshme të Ardhjes është, që fillimi i saj duhet të jetë në një të dielë, ndërsa përfundimi më 24, përkatësisht 25 dhjetor në cilëndo ditë. Në kishat lindore nuk është e njohur me këtë emër një kohë e tillë para Krishtlindjes. Megjithëkëtë, më 15 nëntor fillon agjërimi katëdhjetëditor, i quajtur agjërimi i Krishtlindjes, por zakonisht i njohur si agjërimi i Filipit (sepse në ditën pas festës së tij, më 14 nëntor, fillon njinesa). Në kishat ortodokse, dy javë para Krishtlindjes, kremtohet e diela e etërvedhe e diela kryeetërve: Abrahamit, Isakut, Jakobit (përkujtimi i patriarkëve). Viti kishtar i ortodoksisë fillon me 1 shtator.

 Buzmi.

Rit etnografik që bëhet me një kërcu të trashë, i quajtur dhe buzmi bujar, i cili vihet në zjarr natën e Krishtlindjes a Kërshëndellave, që prehet në mal ende pa zbardhur agimi dhe ndizet në mbrëmje dhe shtihet brenda pasi të ketë perënduar dielli; tërësia e një kremtimi familjar me shumë gjeste, fjalë dhe gjësende materiale (si dru, zjarr, bukë, djath, kungulluer e tjera) që bëhet sipas një rregulli të ngulitur në traditën shqiptare natën e Krishtlindjes sipas traditës shekullore në trevat shqiptare dhe me gjerë nëpër Evropë; ceremoni familjare shqiptare me drunj dhe zjarr me prejardhje pagane, që i paraprin festës së Krishtlindjes dhe tashmë bëhet në nderim të saj, me ç’rast përshëndetet dhe ushqehet druri sikur të ishte qenie e gjallë, dhe pastaj digjet tërë natën pa u shqimur, hiri dhe shkumbi i të cilëve hidhet nëpër të lashta dhe pemishte për të ndjellur korrje dhe vjelje të mbarë; rit popullor, i ruajtur deri më tani në trevat shqiptare te të krishterët, i cili, ndonëse, sipas studimeve etnozakonore shqiptare, ka zanafillë te festat dionisiake, ka përvetësuar përbërës të krishterë, si shenjën e kryqit, përshëndetjen me emrin e Krishtit dhe përmbajtje të tjera të krishtera; rit i kulturës materiale, shoqërore dhe artistike të shqiptarëve në vigjiljen e Krishtlindjes, në të cilin merr pjesë tërë familja (i madh e i vogël), që mbahet për të sjellë mbarësi, trashëgimi në djem dhe vajza, njomësi dhe begati; zakon i lashtë pagan, sipas gjasave parakrishteror, që mbahej, dhe ende mbahet pjesërisht jo vetëm te të krishterët shqiptarë katolikë, por edhe te ata ortodoksë dhe islamë.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »