Meditime

Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Ditën e 55-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore

«Eja e shih!» (Gjn 1,46). Të komunikosh duke i takuar njerëzit ku e si janë

Të dashur vëllezër e motra,
ftesa “ejani e shihni”, e cila shoqëron takimet e para emocionuese të Jezusit me dishepujt, është gjithashtu metoda e çdo komunikimi autentik njerëzor. Për të treguar të vërtetën e jetës që bëhet histori (krh. Mesazhi për Ditën e 54-t Botërore të Komunikimeve Shoqërore, 24 Janar 2020) është e nevojshme të dilet nga prezumimi i rehatshëm i “tashmë së diturës” dhe të vihemi në lëvizje, të shkojmë për të parë, për të qëndruar me njerëzit, për t’i dëgjuar ata, për t’u përballur me realitetin, i cili gjithmonë do të na befasojë në ndonjë aspekt të tij. «Hapi sytë i mahnitur para asaj që do të shohësh dhe lëri duart e tua të mbushen me freskinë e limfës, në mënyrë që kur të tjerët të të lexojnë, të prekin me duart e veta mrekullinë e jetës që pulson», i këshillonte kolegët e tij gazetarë, i Lumi Manuel Lozano Garrido [1]. Prandaj, këtë vit, dëshiroj t’ia kushtoj Mesazhin thirrjes “eja e shih”, si një sugjerim për çdo shprehje komunikuese që dëshiron të jetë e kthjellët dhe e sinqertë: në redaktimin e një gazete ashtu si dhe në botën e web-it, në predikimin e zakonshëm të Kishës ashtu si dhe në komunikimin politik ose shoqëror. “Ejani e shihni” është mënyra me të cilën u komunikua besimi i krishterë, duke filluar nga ato takime të para në brigjet e lumit Jordan dhe të liqenit të Galilesë.

T’i konsumosh shojet e këpucëve
Le të mendojmë për çështjen e madhe të informimit. Prej kohësh, zëra të kujdesshëm vënë në dukje me keqardhje rrezikun e rrafshimit në “gazetat fotokopje” ose në lajmet në televizion, në radio e në web, të cilat janë thelbësisht të njëjta, ku lloji i hetimit dhe i reportazhit humb hapësirë dhe cilësi në avantazh të një informacioni të parapaketuar, “të pushtetit”, vetë-referencial, që gjithnjë e më pak arrin ta kapë zërin e së vërtetës së gjërave dhe të jetës konkrete të njerëzve, si dhe nuk di më të kapë as fenomenet shoqërore më të rënda, as energjitë pozitive që çlirohen nga baza e shoqërisë. Kriza e shtypit rrezikon t’i bëjë udhë një informimi të krijuar në redaksi, përpara kompjuterit, në terminalet e agjencive, në rrjetet sociale, pa dalë asnjëherë në rrugë, pa i “konsumuar shojet e këpucëve”, pa takuar njerëz për të kërkuar histori apo për t’i verifikuar de visu (me sytë e vet) disa situata. Nëse nuk i hapemi takimit, ne ngelemi spektatorë të jashtëm, pavarësisht risive teknologjike që kanë aftësinë të na vendosin përpara një realiteti të zmadhuar, në të cilin na duket sikur jemi zhytur. Çdo mjet është i dobishëm dhe i çmueshëm vetëm nëse na shtyn të shkojmë e të shohim gjëra që përndryshe nuk do t’i merrnim vesh, nëse hedh në rrjet njohuri që përndryshe nuk do të qarkullonin, nëse mundëson takime që përndryshe nuk do të ndodhnin.

Detajet e kronikës në Ungjill
Jezusi iu përgjigjet dishepujve të parë të cilët donin ta njihnin pas pagëzimit në lumin Jordan: «Ejani e shihni!» (Gjn 1, 39), duke i ftuar të jetojnë marrëdhënien me Të. Pas më shumë se një gjysmë shekulli, kur Gjoni, shumë i moshuar, shkruan Ungjillin e tij, kujton disa detaje “kronike”, të cilat zbulojnë praninë e tij në vend dhe ndikimin që ajo përvojë ka pasur në jetën e tij: «Ishte rreth orës dhjetë», shkruan, d.m.th., katër e pasdites (krh. rr. 39). Ditën pas – tregon përsëri Gjoni – Filipi ia komunikon Natanaelit takimin me Mesinë. Miku i tij është skeptik: «A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?». Filipi nuk kërkon që ta bindë me arsyetime: «Eja e shih!», i thotë atij (krh. rr. 45-46). Natanaeli shkon e sheh dhe prej atij momenti jeta e tij ndryshon. Feja e krishterë fillon kështu. E kështu komunikohet: si një njohje e drejtpërdrejtë që lind nga përvoja, jo me të dëgjuar. «Tani nuk besojmë më vetëm prej fjalëve të tua, sepse e dëgjuam vetë», i thanë njerëzit Samaritanes, pasiqë Jezusi ishte ndalur në fshatin e tyre (krh. Gjn 4, 39-42). “Eja e shih” është metoda më e thjeshtë për ta njohur realitetin. Është verifikimi më i ndershëm i çdo lajmërimi, sepse për të njohur nevojitet takimi, ta lejoj të më flasë atë që e kam përballë, të lejoj që dëshmia e tij të më arrijë. Falë guximit të shumë gazetarëve Edhe gazetaria, si paraqitje e realitetit, kërkon zotësinë për të shkuar aty ku nuk shkon askush: një vënie në lëvizje e një dëshirë për të parë. Një kureshtje, një hapje, një pasion. Duhet të jemi falenderues ndaj guximit dhe angazhimit të shumë profesionistëve – gazetarë, kameramanë, montazhierë, regjisorë, të cilët shpesh punojnë duke rrezikuar shumë – që sot ne njohim, për shembull, gjendjen e vështirë të pakicave të përndjekura në pjesë të ndryshme të botës; që janë denoncuar shumë abuzime dhe padrejtësi kundër të varfërve e kundër krijimit; që janë paraqitur shumë luftëra të hedhura pas krahëve. Nëse këto zëra do të mungonin, do të ishte një humbje jo vetëm për informimin, por edhe për mbarë shoqërinë dhe për demokracinë: një varfërim për gjithë njerëzimin. Realitete të shumta në planet, akoma më shumë në këtë kohë të pandemisë, ia drejtojnë botës së komunikimit ftesën “ejani e shihni”. Ekziston rreziku që pandemia e kështu edhe çdo krizë, të paraqitet vetëm ashtu si e shohin sytë e botës më të pasur, për të mbajtur një “llogari të dyfishtë”. Le të mendojmë për çështjen e vaksinave, ashtu si edhe të kurave mjekësore në përgjithësi, për rrezikun e përjashtimit të popullatave skamnore. Kush do të na e tregojë pritjen e fshatrave më të varfra të Azisë, të Amerikës Latine e të Afrikës për t’u shëruar? Në këtë mënyrë, dallimet shoqërore dhe ekonomike në nivel planetar, rrezikojnë të prekin rendin e shpërndarjes së vaksinave anti-Covid. Me të varfrit gjithnjë të fundit e me të drejtën e shëndetit për të gjithë, pohuar kjo në parim, por e boshatisur nga vlefshmëria e saj reale. Mirëpo, edhe në botën e atyre që janë më fatlumë, drama shoqërore e familjeve që kanë rrëshqitur shpejtazi në varfëri, mbetet e fshehur në pjesën më të madhe: edhe pse nuk përbëjnë lajm, të prekin në zemër njerëzit që, duke e kapërdirë turpin, qëndrojnë në radhë përpara qendrave të Karitasit për të marrë një pako me ushqime.

Mundësitë dhe kurthet e web-it
Interneti, me format e tij të panumërta të rrjeteve sociale, mund ta shumëfishojë aftësinë për të treguar e për të bashkëndarë: shumë më tepër sy të hapur ndaj botës, një fluks i vazhdueshëm i figurave dhe dëshmive. Teknologjia dixhitale na jep mundësinë e një informimi të dorës së parë dhe në kohë reale, shpeshherë shumë të dobishëm: le të mendojmë për lajmet e para, gjithashtu edhe komunikimet e para të shërbimit ndaj popullatave, të cilat përshkojnë mirëfilli web-in në rastet kur ndodhin emergjenca. Është një mjet i mrekullueshëm që na bën të gjithëve përgjegjës, si përdorues dhe si shfrytëzues. Potencialisht, të gjithë mund të bëhemi dëshmitarë të ngjarjeve që përndryshe do të ishin anashkaluar nga mediat tradicionale, mund të japim një kontribut tonin shoqëror, të bëjmë të dalin në pah më shumë histori, edhe ato pozitive. Falë internetit kemi mundësinë ta tregojmë atë që shohim, atë që ndodh para syve tanë, të ndajmë dëshmi me të tjerët. Mirëpo, tanimë janë bërë të qarta për të gjithë edhe rreziqet e një komunikimi social të paverifikuar. Prej shumë kohësh kemi kuptuar se si lajmet, madje edhe figurat, janë lehtësisht të manipulueshme, për mijëra arsye, ndonjëherë edhe vetëm për një narcizëm banal. Një vetëdije e tillë kritike na shtyn të mos e demonizojmë mjetin, por të kemi një aftësi më të madhe dalluese dhe një sens përgjegjësie më të pjekur, qoftë në shpërndarjen, qoftë në marrjen e përmbajtjeve. Të gjithë jemi përgjegjës për komunikimin që bëjmë, për informacionin që japim, për kontrollin që mund të ushtrojmë së bashku mbi lajmet e rreme, duke i demaskuar ato. Të gjithë jemi të thirrur që të jemi dëshmitarë të së vërtetës: të shkojmë, të shohim e të bashkëndajmë. Asgjë nuk e zëvendëson të parit personalisht Në komunikim asgjë nuk mund ta zëvendësojë plotësisht të parit personalisht. Disa gjëra mund të mësohen vetëm falë përvojës. Në të vërtetë, nuk komunikohet vetëm me fjalë, por me sy, me tonin e zërit, me gjeste. Forca e madhe tërheqëse që kishte Jezusi mbi ata që takonte, varej nga e vërteta e predikimit të tij, por efektiviteti i asaj që thoshte ishte i pandashëm nga shikimi i tij, nga qëndrimet e tij, madje deri edhe nga heshtjet e tij. Dishepujt nuk dëgjonin vetëm fjalët e tij, e shihnin teksa fliste. Njëmend, në Të – Logos-i është mishëruar – Fjala është bërë Fytyrë (njeriu), Hyji i padukshëm ka bërë që të shihet, të dëgjohet e të preket, siç shkruan vetë Gjoni (krh. 1 Gjn 1,1-3). Fjala është efektive vetëm kur ajo “shihet”, vetëm nëse të përfshin në një përvojë, në një dialog. Për këtë motiv ajo “eja e shih” ishte dhe është thelbësore. Të mendojmë se sa elokuencë boshe ka me bollëk edhe në kohën tonë, në çdo fushë të jetës publike, në tregti ashtu si edhe në politikë. «Di të flasë pafund dhe të mos thotë asgjë. Arsyet e tij janë si dy kokrra gruri brenda dy shinikëve me byk. Duhet të kërkosh gjithë ditën për t’i gjetur dhe kur i gjen nuk ia vlen barra qeranë»[2]. Fjalët therëse të dramaturgut anglez vlejnë edhe për ne komunikuesit e krishterë. Lajmi i mirë i Ungjillit është përhapur në botë falë takimeve njeri me njeri, zemër me zemër. Burra dhe gra që kanë pranuar të njëjtën ftesë: “Eja e shih” dhe kanë mbetur të goditur nga ajo “më shumë” njerëzishmëri që shkëlqeu tejdukshëm në shikimin, në fjalët e në gjestet e personave që dëshmonin Jezu Krishtin. Të gjitha mjetet janë të rëndësishme dhe ai komunikues i madh (i fjalës) që quhej Pali nga Tarsi, me siguri do t’i kishte përdorur postën elektronike dhe mesazhet e rrjeteve sociale; mirëpo, ishin feja e tij, shpresa dhe dashuria që ai kishte, ato që lanë mbresa te bashkëkohësit, të cilët e dëgjuan të predikonte dhe patën fatin të kalojnë ca kohë me të, ta shihnin gjatë mbledhjeve apo në një bashkëbisedim individual. Duke e parë në veprim në vendet ku ai gjendej, verifikonin se sa i vërtetë dhe se sa i frytshëm për jetën ishte kumtimi i shpëtimit, bartës i të cilit ishte bërë falë hirit të Hyjit. Edhe atje ku nuk ishte e mundur që ky bashkëpunëtor i Hyjit të takohej personalisht, mënyra e tij e të jetuarit në Krishtin, dëshmohej nga dishepujt që dërgonte (krh. 1 Kor 4,17). «Në duart tona gjenden librat, para syve tanë faktet», pohonte shën Augustini [3], duke nxitur për të verifikuar në realitet, realizimin e profecive që gjenden në Shkrimet e Shenjta. Kështu Ungjilli ngjan sërish sot, sa herë që ndeshim në dëshmi të qarta të personave, jeta e të cilëve ka ndryshuar nga takimi me Jezusin. Prej më shumë se dymijë vitesh, një zinxhir takimesh përcjell magjepsjen e aventurës së krishterë.
Prandaj, sfida që na pret është komunikimi duke i takuar njerëzit ku dhe si janë.
Zot, na mëso të dalim nga vetja jonë
dhe të vihemi në kërkim të së vërtetës.
Na mëso të shkojmë e të shohim,
na mëso të dëgjojmë, të mos kultivojmë paragjykime
e të mos dalim në përfundime të nxituara.
Na mëso të shkojmë atje ku askush nuk dëshiron të shkojë,
të marrim kohën e duhur për të kuptuar,
t’i kushtojmë vëmendje thelbësores,
të mos shpërqendrohemi nga e panevojshmja,
të dallojmë dukjen mashtruese nga e vërteta.
Na jep hirin të njohim banesat e tua në botë
dhe ndershmërinë për të treguar ato që kemi parë.

Romë, Shën Gjoni në Laterano, 23 janar 2021, Vigjilja e Përkujtimit të Shën Françeskut të Sales.

Franciscus

___
[1] Gazetar spanjoll, lindur në vitin 1920 dhe vdekur ne vitin 1971, i lumturuar në vitin 2010.
[2] W. Shakespeare, Il mercante di Venezia, Atto I, Scena I.
[3] Predikimi 360/B, 20.

PRIFTI I MISIONIT

Biografia e Don Albert Jakaj

Feerstrasse 10
5000 Aarau

Tel.: 062 822 84 94
Fax: 062 822 70 08
E-Mail: albert.jakaj@kathaargau.ch

Translate »